Johnsonit i kërkohet largimi i menjëhershëm: Qëndrimi deri në vjeshtë, rrezik për vendin
Dy ish-ministra britanikë i kanë thënë gazetës “The Guardian” se ata mendojnë që nuk është e mundshme që kryeministri, Boris Johnson, të qëndrojë në krye të qeverisë deri në vjeshtë.
Një ish-ministër tha: “Ai duhet të largohet sonte, (zëvendëskryeministr) Raab duhet ta marrë postin.” Një tjetër ish-ministër tha: “Ai duhet t’i dorëzojë vulat e zyrës sot dhe të largohet, në mënyrë që të mund të kemi një kryeministër në detyrë”.
Një burim tjetër i lartë në Partinë Konservatore, që ka qenë me Johnsonin gjatë 48 orëve të kaluara, tha se sjellja e tij nënkupton se qëndrimi i tij në pushtet është i rrezikshëm për vendin.
“Sjellja e tij në 48 orët e fundit ka qenë e pamatur dhe e çrregullt. Atij nuk mund t’i besohet udhëheqja e vendit deri në vjeshtë. Zoti e di se çfarë do të bëjë”, tha burimi.
Një ish-këshilltar qeveritar gjithashtu tha që është rrezik që Johnsoni të qëndrojë në post. Një ish-ministër e quajti kryeministrin “turp”.
Ndërkohë Pallati Mbretëror refuzoi të komentonte për atë nëse Mbretëresha Elizabetë ka pasur ndonjë komunikim me kryeministrin të enjten në mëngjes.
Kryetari i Partisë Laburiste në opozitë, Keir Starmer, tha se dorëheqja e Johnsonit është lajm i mirë për vendin.
“Kjo është dashur që të ndodhte kohë më parë. Ai gjithmonë ka qenë i papërshtatshëm për postin. Ai ka qenë përgjegjës për gënjeshtra, skandale e mashtrime në nivel industrial”, tha kryeopozitari britanik./Nacionale