Pas vapës, Britania mund të ballafaqohet me stuhi e vërshime - NACIONALE

Pas vapës, Britania mund të ballafaqohet me stuhi e vërshime

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra zjarrfikës luftuan kundër zjarreve të martën në Angli, pasi temperatura arriti në nivel rekord – 40.3 gradë. Sidoqoftë, të mërkurën pritet rënie e temperaturave dhe reshje në disa pjesë të vendit.

Pritet që temperatura të bjerë për deri 10 shkallë në disa zona të mërkurën. Reshje të dendura e stuhi janë parashikuar në pjesën veriore të Anglisë dhe pjesën jugore të Skocisë, me mundësi për vërshime të lokalizuara, rrufe, pengesa në transport e ndërprerje të rrymës.

Të martën në mbrëmje, reshjet filluan në disa pjesë të Anglisë, ndonëse Zyra e Meteorologjisë tha se ajri ishte aq i thatë, saqë shumë pak shi po arrin në tokë. Sidoqoftë, shiu i së mërkurës pritet të jetë shumë më i dendur. Zyra e Meteorologjisë ka shpallur paralajmërim të verdhë për stuhi për disa pjesë në juglindje, lindje dhe qendër të Anglisë për të mërkurën pasdite dhe në mbrëmje.

Rekordi i mëparshëm prej 38.7 gradësh u thye të martën në Charlwood, ndërsa në Heathrow temperatura shkoi në mbi 40 gradë rreth orës 13, shkruan "The Guardian".

Të hënën në mbrëmje u thye rekordi i temperaturës më të lartë të natës me 25.9 gradë në Emley Moor. Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar më 1990 në Brighton – 23.9 gradë.

Ekspertët kanë llogaritur se afërsisht 1.000 njerëz mund të vdesin si rezultat i valës së vapës, që nisi të dielën e pritet të zgjasë deri të mërkurën.

Kryeministri Boris Johnson të martën në takimin e kabinetit qeveritar tha: “Duhet t’i mbajmë shkollat hapur dhe sistemin e transportit aktiv sa më gjatë që mundemi gjatë këtyre temperaturave të larta dhe ta mbajmë sistemin tonë fantastik shëndetësor duke u ofruar shërbime njerëzve të këtij vendi.”

Temperaturë rekorde u shënua edhe në Skoci, vend i njohur për motin e freskët e me shi – 34.8 gradë. Spitalet e zvogëluan numrin e operacioneve të planifikuara dhe instaluan njësi ftohëse në dhomat e serverëve të IT-së.

Shërbimi ambulantor në lindje të Anglisë raportoi se është rritur numri i thirrjeve emergjente, ndërsa shërbimi i trenave në Euston u pezulluan për shkak të zjarreve pranë linjave.

Ministri i Transportit, Grant Shapps, pranoi se do të nevojiten dekada që infrastruktura të bëhet mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i bërë ballë klimës në ngrohje e sipër. “Është një proces i gjatë i zëvendësimit të saj dhe i modernizimit të saj për t’u qëndruar temperaturave, qoftë shumë të nxehta ose, nganjëherë, shumë më të ftohta se ato me të cilat jemi mësuar. Këto janë ndikime të ngrohjes globale”, tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme