Top-5 qëndrimet ‘më të shkelura’ të Kurtit për Dialogun gjatë kësaj vere - NACIONALE

Top-5 qëndrimet ‘më të shkelura’ të Kurtit për Dialogun gjatë kësaj vere

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për të marrë vëmendjen ndërkombëtare, Kurti së fundi po përdor gjithnjë e më shpesh fjalën “luftë”. Por, është një luftë të cilën nuk po e përmend e që po ndodh përnjëmend: lufta kundër qëndrimeve të tij si opozitar. Në këtë artikull keni disa prej qëndrimeve më të shkelura të tij gjatë kësaj vere.

Kryeministri i Kosovës do të takohet më 18 gusht, e enjte, me presidentin e Serbisë. Sërish. Në lidhje me temat që do të diskutohen dhe agjendën nuk dihet (e as nuk pritet) gati asgjë – dhe shumica e qytetarëve të Kosovës madje as nuk duan t’ia dinë, të lodhur nga mungesa e progresit tash e shumë vite.

Por, pikërisht kjo indiferencë dhe lodhje e qytetarëve ka bërë që të harrohen ose anashkalohen shumë fjalëve që kryeministri i ka shkelur përgjatë kësaj vere – e të cilave do t’i hedhim një vështrim të shkurtër.

*Kryeministri ka shkelur shumë qëndrime edhe para kësaj vere, por ne do të përqendrohemi vetëm te vera e këtij viti (2022).

1. Marrëveshjet për Energjinë

Kryeministri i Kosovës i ka deleguar detyrën e kryenegociatorit në dialog teknik, zëvendësit të tij, Besnik Bislimit.

Ky i fundit më 20 qershor e nënshkroi me Serbinë një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë të nënshkruara më 2013 dhe 2015.

Problemi?

Ka një numër shumë të madh problemesh që derivojnë nga ai nënshkrim. Më i rëndësishmi ishte se Kurti dhe partia e tij i kishin kundërshtuar me fanatizëm këto marrëveshje të bëra nga pushtetet e mëhershme.

Madje, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës Kurti me të drejtë kontestonte operatorin serb që do të licencohet për të ofruar shërbime për banorët serbë në katër komunat veriore të Kosovës: Elektroseverin.

I pyetur për këtë ndryshim alarmant qëndrimi, Kurti nuk kishte dhënë shpjegime racionale duke u shprehur vetëm si vijon: “Unë po bëj pranimin minimal të realitetit, për ndryshimin maksimal të tij!”

Ftojmë të gjithë lexuesit që të gjejnë një lider serioz shteti tek e pranon me gojën e tij se nuk e pranon pjesën më të madhe të realitetit.

2. Rishikimi i marrëveshjeve

Udhërrëfyesi i nënshkruar nga Besnik Bislimi na zbuloi të tjera qëndrime e premtime të shkelura nga Kurti.

Një prej këtyre ishte “rishikimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”. Megjithëse mund ta keni harruar, ky është një premtim i dhënë ndoshta qindra herë përgjatë kohës sa VV ishte në opozitë dhe kundërshtonte marrëveshjet.

Por, tashmë ky qëndrim është shkelur me të dyja këmbët.

Besnik Bislimi në një paraqitje televizive pas nënshkrimit të udhërrëfyesit me Serbinë ishte shprehur se “po shmangej precedenti i rishikimit të marrëveshjeve”. Pra, jo Kosova dhe Kurti por Serbia dhe Vuçiqi kërkonin hapjen e këtij precedenti, në mënyrë që kishte rinegocim të tyre.

Edhe gjatë muajit maj, Kurti ishte pyetur nëse kishte paraparë rishikimin e marrëveshjeve por i kishte ikur pyetjes duke mos dhënë përgjigje.

Në kuadër të këtij rishikimi të premtuar tërësor, do të mund të kishte edhe rishikim të marrëveshjeve që Kurti i konsideron thelbësisht të dëmshme për sovranitetin e vendit, si ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. E megjithatë, kjo mundësi e ky premtim nuk u mbajt!

3. Marrëveshja gjithëpërfshirëse

Marrëveshja gjithëpërfshirëse (përfundimtare/finale) ishte një togfjalësh që zinte një vend qendror në fjalorin e liderëve të mëhershëm, si Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti.

Megjithatë, për shkak të qëndrimit se marrëveshjet e arritura në Bruksel duheshin rishikuar, Albin Kurti ka qenë kundërshtar i kësaj ideje.

Në një intervistë të para disa viteve, Kurti ishte shprehur se ishin “marrëveshjet e këqija ato që çonin në luftë” dhe jo mosmarrëveshjet.

Hoti – ashtu si eksponentë të tjerë opozitarë - ka qenë veçanërisht i zëshëm në kundërshtimin e formatit të dialogut në Bruksel, i cili sipas tij në kohën e Kurtit kishte rrëshqitur në një “dialog teknik”.

Se edhe Kosova nën Kurtin e synonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e kishte thënë po Besnik Bislimi me anë të një deklarate interesante:

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse,” – ishte shprehur ai.

Për të përftuar marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda diskursit të tyre besohet se ka kontribuuar edhe vizita e zyrtares së lartë amerikane Karen Donfried në muajin maj, e cila në mënyrë të qartë u shpreh se status quo-ja (mos-arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse) i konvenonte vetëm Rusisë.

4. Transparenca

Për pak muaj, ka pasur shumë zhvillime në dialogun e Kosovës me Serbinë. Gjithçka u ringjall me një darkë që Kurti e hëngri me Vuçiqin dhe Lajçakun në Berlin.

Por, për darkën e muajit maj populli i Kosovës nuk di asgjë, ashtu siç nuk e dinte edhe se ajo do të hahej (BE e kishte paralajmëruar si takim informal mes Lajçakut dhe Kurtit dhe më pas Lajçakut dhe Vuçiqit).

Transparenca mungoi edhe për diskutimet e tjera të marrëveshjeve, si ato për energjinë, targat, të zhdukurit me dhunë etj.

Transparenca mungon edhe për takimin që pritet të mbahet më 18 gusht.

Mirëpo, Kurti ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në kërkim të transparencës për dialogun nga kryeministrat e mëparshëm.

Ndërkohë, në raportimet e tij në Kuvend, Kurti ka qenë i mjegullt dhe nuk ka dhënë detaje nga takimet apo bisedimet me Serbinë.

Mungesën e transparencës e ka arsyetuar me sekretësinë e nevojshme që “Serbia të mos kuptojë strategjinë e Kosovës”. Në fakt, Serbia ka vend në tavolinën e Brukselit dhe është e njoftuar detajisht me ecurinë nga presidenti i saj Vuçiq apo kryenegociatori i dialogut teknik, Petar Petkoviq.

5. Reciprociteti

Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik do të ishte “çështje ditësh e javës, por kurrsesi muajsh” sipas Albin Kurtit të 12 shkurtit 2021.

Megjithatë, ky premtim e qëndrim është shkelur edhe gjatë këtyre muajve të verës. Janë bërë 16 muaj qeverisje dhe Kurti nuk e ka vendosur Reciprocitetin. Ai madje, u detyrua ta shtynte edhe zbatimin e reciprocitetit sa i përket letërnjoftimeve për një muaj.

Fatkeqësisht, sovraniteti i vendit do të jetë sërish çështje në bisedimet e Brukselit marrë parasysh që pritet diskutim edhe për reciprocitetin – një e drejtë thelbësore e çdo vendi sovran.

Nëse do të ketë qëndrime tjera të shkelura në takimin e 18 gushtit ose jo, Nacionale do t’ju mbajë të informuar.

Lajme të ngjashme