Çitaku e kritikon Kurtin për dialogun me Serbinë: Je shndërru në noter
Gjatë vikendit, Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, theksoi se janë të gatshme 3-4 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pa treguar shumë informacion se për çfarë bëhet fjalë. E këtë të hënë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e takoi Lajçkun. Por, asgjë e re nuk u kuptua rreth marrëveshjeve që janë afër finalizimit mes dy vendeve.
Nacionale kërkoi sqarime shtesë nga Bashkimi Evropian, që për nga funksioni janë përgjegjës për të lehtësuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në një përgjigje krejtësisht burokratike, BE nuk sqaroi asgjë. Ata i thanë Nacionales se palët janë afër arritjes së një mirëkuptimi të përbashkët.
“Palët kanë diskutuar fushat e bashkëpunimit të mundshëm në të ardhmen gjatë muajve të fundit. Ndërsa ata janë afër arritjes së një mirëkuptimi të përbashkët, diskutimet vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës si zakonisht nuk ka kthyer përgjigje në adresë të Nacionales, përkundër kontaktimit.
Megjithatë, opozita kosovare e ka diagnozën. Për partitë opozitare, Qeverisë Kurti i mungon transparenca rreth dialogut me Serbinë.
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratikë të Kosovës, i tha gazetës Nacionale se Kurtit i mungon transparenca, konsistenca e vizioni i qartë në dialogun me Serbinë.
"Tri elemente e karakterizojnë Kryeministrin Kurti në procesin e dialogut: mungesa e konsistencës, mungesa e transparencës dhe mungesa e vizionit të qartë. Në vend se dialogu të përqendrohet në njohje reciproke, kryeministri po flet për stikersa, e gjoja reciprocitet, në kohën kur tregu i Kosovës është vërshuar nga mallrat serbe”, deklaroi ajo.
Tutje, Çitaku, që Kurtin e quan noter të marrëveshjeve paraprake, e ka një mesazh të qartë për shefin e ekzekutivit.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka theksuar se PDK do të kërkojë llogaridhënie për dialogun.
“Kryeministri është shndërruar në noter të marrëveshjeve paraprake, pikërisht të të njëjtave marrëveshje për të cilat na quante tradhtar. Kurti nuk duhet ta marrë të mirëqenë qëndrimin parimor të opozitës karshi qeverisë në raport me dialogun. Do të kërkojmë llogaridhënie", përundoi Çitaku.
Edhe ish-ambasadori Anton Berisha, që tash është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është kritik ndaj mënyrës se si Kurti po e udhëheq dialogun.
Sipas tij, Kurti po e dëshmon çdo ditë se është kundër asaj çfarë ka “propaganduar një dekadë e më shumë” në skenën politike kosovare.
“Edhe, dialogu të cilin e kishte kushtëzuar, jo vetëm që ka hyrë në të pa kushte, por është duke e zhvilluar në mënyrë jotransparente, herë-herë të fshehtë dhe me sqarime manipulative, dhe çka është më shqetësuese, dialogu është kthyer në nivelin teknik e që nuk i dihet fundit”, tha Berisha.
Ndërsa, ish-shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, e cilëson Qeverinë Kurti si “qeveri të territ” sa i përket dialogut me Serbinë.
“Plotësisht mungon transparenca dhe llogaridhënia, praktikisht kjo është një qeveri e territ për sa i takon dialogut me palën serbe, në një anë dialogun me Serbinë, në të njëjtën kohë i frikësohet përgjegjësisë. Mendoj që opozita duhet të kërkojë që qeveria të japë llogaridhënie në Parlamentin e Kosovës, para sa të bëhet vonë, apo para se të dëmtohen interesat nacionale të shtetit të Kosovës”, deklaroi Tahiri për Nacionale.
Kujtojmë që kohë më parë Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për të zbatuar udhërrëfyesin për mbledhjen e faturave të energjisë elektrike në veri të vendit.

