Kurti harron dialogun me serbët e Kosovës - i kërkohet ta zbatojë premtimin e madh - NACIONALE

Kurti harron dialogun me serbët e Kosovës - i kërkohet ta zbatojë premtimin e madh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dialogu i brendshëm me serbët e Kosovës, i proklamuar nga kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë, ende nuk ka ndodhur. Ndonëse Kurti ka hyrë në vitin e dytë të qeverisjes, ai nuk po e sheh të arsyeshme të merret me këtë proces, për të cilin kishte thënë se do të fillojë ta zbatojë qysh në javën e parë si kryeministër. Derisa moszbatimi i këtij dialogu po shihet si shkelje e zotimit nga ana e Kurtit, nevoja e një komunikimi të tillë po shihet si shumë e nevojshme.

Monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta zbatojë dialogun e brendshëm me serbët, të cilin e kishte propozuar sa ishte në opozitë.

Ata kanë vlerësuar se kjo ka qenë një ide e qëlluar e Kurtit dhe partisë së tij.

Sipas tyre, tani Qeveria duhet ta zbatojë këtë propozim.

Analisti politik Dukagjin Gorani, ka thënë se ky proces do ta ndihmojë procesin e dialogut politik në mes të dy vendeve.

“Nëse ekziston diçka që mua më ka pasë lënë përshtypje të kjo qeveri që është sot në pushtet, ka qenë theksi të cilin edhe kryeministri e edhe organizata Vetëvendosje e vendoste mbi domosdoshmërinë e dialogut të brendshëm me komunitetin serb të Kosovës”, ka thënë Gorani në një tryezë për dialogun, të organizuar nga KDI.

Sipas tij, përmes këtij dialogu do të përfitohej një përshtypje se çka duhet të përmbajë edhe marrëveshja finale në mes të dy vendeve.

“Edhe kam pasë thënë se nëse ky është zotim real dhe serioz, atëherë kjo është edhe një pikënisje që përmes diskutimit dhe dialogut të brendshëm së paku të arrihet një përfytyrim, një përshtypje se çka ish’ dashtë të përmbajë pakoja e zgjidhjes gjithëpërfshirëse. Ky dialog me komunitetin serb nuk ndodhi kurrë, së paku deri më sot ”, ka thënë Gorani.

Ndërsa monitoruesja e dialogut nga KDI, Violeta Haxholli, ka thënë se një proces i tillë do ta rriste komunikimin në mes të qytetarëve serbë dhe Qeverisë së Kosovës.

“Propozimi i qeverisë aktuale i prezantuar në kohën sa partia në pushtet ka qenë në opozitë, për zhvillimin e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës, duhet të zbatohet, pasi kjo mund t’i kontribuojë rritjes së komunikimit mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të këtij komuniteti duke fuqizuar kështu edhe pozicionin e Kosovës në dialog”, ka thënë ajo për gazetën Nacionale.

Përmes këtij procesi, ka thënë Haxholli, Kosova do ta forconte edhe pozicionin e saj në procesin e dialogut me Serbinë.

“Me rritjen e bashkëpunimit me qytetarët serbë, Kosova mund të shtjerrë argumentet e Serbisë e cila e përdor komunitetin serb për të arritur qëllimet e saj politike në dialog. Dialogu i brendshëm mund t’i shërbejë Qeverisë së Kosovës edhe në dy aspekte tjera. Fillimisht, vendosja e komunikimit të rregullt të Qeverisë me qytetarët serbë do të dobësonte ndikimin e shtetit Serb te ky komunitet, duke ndikuar kështu në integrimin e tyre në shtetin e Kosovës. Dhe së dyti, Qeveria do të arrinte të kuptonte direkt nga qytetarët e këtij komuniteti se cilat janë kërkesat dhe shqetësimet e tyre në mënyrë që të njëjtat t’i shqyrtojë dhe t’i adresojë jashtë procesit të dialogut”, ka thënë ajo, duke shtuar se videot e herëpashershme të udhëheqësve institucionalë në rrjete sociale nuk mjaftojnë për të përçuar mesazhet e Qeverisë te ky komunitet.

“Dialogu i vërtetë dhe efikas mund të ndodhë vetëm direkt, në terren dhe në mënyrë sistematike. Këto veprime të Qeverisë duhet të bëhen me qëllim të integrimit të qëndrueshëm të këtij komuniteti në sistemin e Kosovës, në mënyrë që të jetë Kosova ajo që flet në emër të qytetarëve të saj dhe jo Serbia”, është shprehur ajo.

Kurti: Në javën e parë si kryeministër do të filloj dialogun me serbët

Pak para se të merrte postin e të parit të Qeverisë, Albin Kurti ishte zotuar se qysh në javën e parë si kryeministër do të fillonte procesin e dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës.

Ai kishte thënë se këtë proces do ta vazhdonte paralelisht me procesin e dialogut në Bruksel.

“Por edhe më herët se kaq, në javën e parë në zyrë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, që është një gjë tjetër për zhvillim, dialog demokratik prej poshtë për integrim të tyre, ndërkaq ekipi negociator, ekipi i bisedimeve me Serbinë do të udhëhiqet nga unë”, kishte thënë Kurti gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, në tetor të vitit 2019.

Kryeministri Albin Kurti ka hyrë në vitin e dytë të qeverisjes dhe ende nuk e ka përmendur mundësinë e fillimit të këtij procesi. Mosrealizmi i këtij propozimi, po konsiderohet si një premtim i shkelur i Kurtit.

Gjatë këtij mandati, edhe procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë një pauzë. Po bëhen dy vjet që këto dy vende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje në Bruksel. Janë bërë gati tetë muaj dhe të dy palët marrëveshjen e përkohshme për targat, e cila është arritur në shtator të viti të kaluar, nuk po mund ta shndërrojnë në marrëveshje përfundimtare.

Në nivelin politik, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar dy herë në Bruksel. Udhëheqësit e të dyja vendeve në këto takime nuk janë pajtuar për asgjë, sikurse nuk janë pajtuar as për darkën joformale që kanë pasur në Berlin të Gjermanisë.

Lajme të ngjashme