Intervistë | Dobruna: Qeveria të veprojë ndaj krizës energjetike, jo të bëjë panik për dimër të vështirë - NACIONALE

Intervistë | Dobruna: Qeveria të veprojë ndaj krizës energjetike, jo të bëjë panik për dimër të vështirë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Thirrjet e Qeverisë së Kosovës për të kursyer energjinë elektrike i ka vlerësuar si të mangëta. Ato, sipas saj, flasin për mungesë të vizionit të qeverisë për t’u përballur me krizën. Ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka thënë se Qeveria duhet të veprojë, e jo të bëjë panik duke paralajmëruar dimër të vështirë.

Ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka guxim dhe as ekspertizë për t’u përballur me krizën energjetike.

Ajo ka thënë se në mungesë të një vizioni për t’u përballur me këtë krizë, Qeveria po nxit panik të qytetarët duke paralajmëruar një dimër të vështirë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Dobruna ka deklaruar se thirrjet e qeveritarëve për kursim të energjisë elektrike janë të mangëta dhe të pakuptimta.

Sipas saj, tani nevojiten programe për kursim të energjisë, lehtësira dhe subvencione për gjetjen e alternativave për ngrohje.

Dobruna nuk beson se shpallja e gjendjes emergjente në fushën e energjisë do të sjellë ndonjë ndikim në jetën reale të qytetarëve sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Ajo ka thënë se gjendja emergjente, e shpallur nga Kuvendi i Kosovës, duhet të përcillet me politika afatshkurtra dhe afatmesme, të cilat tani janë duke munguar.

Ndër të tjera, në këtë intervistë, Dobruna ka folur edhe për veprimet që duhet t’i ndërmarrë Kosova në aspektin afatgjatë për të zgjidhur problemin e furnizimit me energji elektrike.

Nacionale: Znj. Dobruna, cili është vlerësimi juaj për menaxhimin e sektorit të energjisë në këtë kohë të krizës nga ana e Qeverisë së Kosovës?

Dobruna: Mungon guximi dhe ekspertiza që është më se e nevojshme, jo vetëm në kohë krize, por edhe gjatë hartimit të politikave të mirëfillta energjetike.

Nacionale: Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizimin me energji elektrike. Si e keni parë këtë veprim të institucioneve. Ka qenë e nevojshme shpallja e gjendje emergjente?

Dobruna: Vendimi për masat emergjente për furnizim me energji elektrike pa i definuar masat dhe pa ofruar alternativa për ngrohje është vetëm panik energjetik. Sezoni i ngrohjes fillon vetëm edhe 2 muaj, më 15 tetor, kur pritet të dyfishohet konsumi.

Nacionale: Sa besoni se do të mund të ndikojë në realitet shpallja e gjendjes emergjente?

Dobruna: Gjendja emergjente duhet të përcillet me politika afatshkurtra dhe afatmesme të cilat mungojnë. Thirrja për kursim, si kërkesë për kontribut vullnetar, është shumë e mangët, andaj edhe nuk pres të ketë ndonjë ndikim në uljen e konsumit. Nevojiten programe për kursim të energjisë, lehtësira dhe subvencione për gjetjen e alternativave për ngrohje.

Nacionale: Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një konference për medie paralajmëroi një dimër të vështirë në aspektin energjetik. Si e keni parë këtë deklaratë të saj?

Dobruna: Panik energjetik përcillet me paralajmërime për dimër të vështirë. Në mungesë të vizionit se si të menaxhohet rritja vjetore e konsumit dhe dyfishimi i konsumit gjatë dimrit, nuk prezantohet ndonjë plan si me e tejkalu dimrin.

Nacionale: Institucionet vazhdimisht po bëjnë thirrje për kursim të energjisë, ose do të përballemi me reduktime. A duhet të ofrojnë zgjidhje institucionet në këtë situatë?

Dobruna: Institucionet duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, t’i shfrytëzojnë instrumentet e politikave të energjisë, që ua mundëson ligji e jo të ngrisin panik te qytetarët.

Nacionale: Kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra-tjetrës. Ato kanë njoftuar se po e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta. Sa mund të ndikojë kjo në komplikimin e gjendjes?

Dobruna: Një situatë e tillë, ku operatorët e sistemit elektroenergjetik kanë detyrime ndaj njëri-tjetrit, është realitet i ri, që përkthehet në pasiguri të shumta zinxhirore, duke filluar nga prodhimi i thëngjillit, gjenerimi i energjisë, bartja dhe distribuimi, si dhe furnizimi.

Nacionale: Për të zgjidhur problemin me energji, çka duhet të bëjë Kosova. Ta ndërtojë një termocentral të ri?

Dobruna: Kosova duhet të zhvillojë potencialin e burimeve të ripërtritshme, të vendosë për burimin energjetik tranzicional që do të zëvendësojë termo-elektranën “Kosova A”, të rehabilitojë termocentralin “Kosova B” dhe të rrisë bashkëpunimin me Shqipërinë për planifikim të përbashkët si të projekteve, ashtu edhe të tregut bilateral.

Lajme të ngjashme