Avokati i Popullit: Nëse anulohet vendimi për shtrenjtimin e rrymës, qytetarët duhet të kompensohen
Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një intervistë për gazetën Nacionale ka thënë se vendimet e Gjykatave duhet të zbatohen. Kjo pas pezullimit të vendimit për shtrenjtimin e rrymës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Qelaj ka theksuar se nëse Gjykata Themelore e anulon vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, atëherë qytetarët duhet të rimbursohen për muajt që kanë paguar tarifa më të larta për energjinë elektrike.
“Ne duhet me pritë vendimin përfundimtar nga Gjykata për me mujtë me dalë me konstatimin se si me vepru më tej. Nëse anulohet vendimi dhe konsiderohet i kundërligjshëm, pa dyshim se duhet me i kompensu qytetarët për këtë periudhë sa janë faturu me tarifa të reja. Ne kemi pasë edhe një praktikë tjetër gjyqësore në fakt me mosfaturimin e rrymës në veri, ku shpenzimet e krijuara në këtë pjesë të Kosovës u janë faturuar konsumatorëve të tjerë pa njoftim, pa pëlqim dhe për neve kjo ka paraqet veprim të kundërligjshëm dhe diskriminues në të njëjtën kohë. Vendimi është anuluar dhe kjo pastaj ka vendosë që konsumatorëve që për periudhën që ne kemi bërë kërkesë, t’u kthehen ato mjete që janë faturuar në emë të energjisë elektrike. Besoj që e njëjta situatë do të ndodhë edhe tek vendimi i tanishëm nëse Gjykata vendos që me aprovu atë kërkesë dhe vendimin me konsideru të kundërligjshëm”, ka thënë Qelaj për Nacionalen.
Avokati i Popullit ka theksuar se edhe vendimi për masën e përkohshme rreth tarifave të energjisë, ka qenë i pritshëm. Kjo pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, pezulloi përkohësisht rritjen e çmimit.
“Në fakt ne nuk i komentojmë vendimet e Gjykatës. Por në këtë rast, mund të them se ka qenë vendim i pritur nga ana jonë. Prej momentit kur ZRrE-ja ka marrë vendimin në fjalë, ne kemi filluar një hulumtim të mirëfilltë të krejt aspekteve që lidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Kosovës me anë të këtij vendimi, dhe besoj që javën tjetër do të dalim me një opinion që do të jetë qëndrim zyrtar i Avokatit të Popullit me gjetjet që kemi gjetur gjatë këtij hulumtimim dhe me konstatime dhe rekomandime se si duhet ta kalojmë këtë situatë. Në shikim të parë vendimi duket të ketë probleme të natyrës së barazisë së qytetarëve para ligjit sepse vetë vendosja e bllok-tarifave për neve paraqet një shqetësim, ngase askund nuk e kemi parë të rregulluar me legjislacion të qartë se është rregulluar kjo e drejtë e ZRrE-së në këtë rast me vendosë një tarifë të tillë, edhe përkundër faktit se një gjë e tillë ka ekzistuar, mesa duket edhe atëherë ka qenë mungesë të bazës ligjore”, tha Qelaj për Nacionalen.
Avokati i Popullit e konfirmoi se mospagesa e rrymës nga serbët e veriut, vazhdon të jetë diskriminuese për pjeën tjetër të qytetarëve.

“Ka ndryshuar forma e mbulimit me pagesë e këtyre shpenzimeve, dhe jo rregullimi i tërësishëm i kësaj teme, sepse edhe më tej nuk është arritë me u shtri regjistrimi dhe faturimi i energjisë elektrike në këtë pjesë. Nëse me vendimin e kaluar Gjykata e ka vlerësuar të kundërligjshëm ku qytetarëve u janë faturuar shpenzimet e energjisë në veri, ne këtë e kemi konsideruar si diskriminim direkt të kompensimit të këtyre shpenzimeve duke i subvencionuar institucionet, me këtë formë konsideroj se në mënyrë indirekte prapë po e cenon xhepin e qytetarëve, dhe në këtë formë prapë po i shkel të drejtat e tyre për me u trajtu të barabartë”, deklaroi Naim Qelaj.
SHKELËSIT
Avokati Qelaj ka treguar se kush janë shkelësit më të mëdhenjë të të drejtave të njeriut.
“Nëse flasim me numrin e ankesave që pranojmë ne si institucion, po i them si të drejta që cenohen: e para është ankesat lidhur me zvarritjen e procedurave gjyqësore, vazhdon të jetë top-prioritet i shqetësimeve që lidhen me të drejtat e cenuara. E dyta ka të bëjë me të drejtën e mjetit juridik nga autoritet publike, kryesisht vjen nga administrata sepse në gjykatë nuk ndodh. Dhe e treta është e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit që lidhet me të drejtat që cenohen nga autoritetet publike në ushtrimin e autoriteteve të tyre ndaj zyrtarëve dhe personave që janë të punësuar në këto organe”, deklaroi Avokati i Popullit.
Naim Qelaj ka kërkuar punë më të madhe nga institucionet, që të mos shkelen të drejtat bazë të njeriut.