Pro, Pro, Pro: Qëndrimi i partive opozitare në Kosovë për Projekt-Rezolutën e Edi Ramës kundër Raportit të Martyt - NACIONALE

Pro, Pro, Pro: Qëndrimi i partive opozitare në Kosovë për Projekt-Rezolutën e Edi Ramës kundër Raportit të Martyt

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kuvendi i Shqipërisë të enjten do të hedhë në votim Projekt-Rezolutën kundër pretendimeve të raportit të Dick Martyt se Ushtria Çlirimtare e Kosoëvs është përfshirë në trafikim organesh. Çka mendon opozita për këtë lëvizje të pushtetit në Shqipëri?

Partitë opozitare kosovare, Partia Demokratike e Kosovës [PDK], Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], kanë mirëpritur Projekt-Rezolutën e Kuvendit të Shqipërië për raportin e Dick Martyt.

PDK

Deputetja Blerta Deliu-Kodra nga partia më e madhe opozitare në Kosovë, PDK, për Nacionalen ka thënë se është një veprim i nevojshëm për të zbardhur të vërtetën ndaj mashtrimit të madh të Serbisë dhe se kjo duhet t’u bëhet e qartë anëtarëve të Këshilit Evropian.

Adresimi i kësaj çështjeje nga Shqipëria, e cila është anëtare e Këshillit të Evropës, për të dekonstruktuar fabrikimin e raportit të porositur nga Serbia e Rusia të Dick Martyt, është një veprim i mirëpritur, i qëlluar dhe i nevojshëm për të zbardhur të vërtetën, para miratuesve të këtij raporti, të mashtrimit të madh të një shërbëtori të interesave ruse e pro-ruse si Serbia, në Evropë”, ka thënë ajo.

Por, çfarë duhet të bëjë Kosova sipas deputetes në fjalë?

Por, qeveria e Kosovës dhe institucionet shtetërore të Kosovës duhet shfrytëzuar çdo hapësirë dhe prezencë ndërkombëtare për ta sensibilizuar këtë çështje, këtë padrejtësi ndaj luftës së UÇK-së, të ndërtuar mbi sajesa të shërbimeve sekrete ruse e serbe. Duhet ta kuptojmë se në Hagë po gjykohen themelet e lirisë e shtetit të Kosovës dhe ideja e kontestimit të këtyre themeleve synon vetëkontestimin e shtetit të Kosovës. Duke mbrojtur të vërtetën e luftës së UÇK-së, mbrojmë të drejtën tonë, të cilën e konfirmuan të gjitha shtetet e civilizimit perëndimor”, ka thënë depuetja e PDK-së.

LDK

I të njëjtit mendim është edhe depueti i LDK-së dhe ish-komandati i UÇK-së, Anton Quni.

Quni për Nacionalen ka thënë se çdo iniciativë që është në funksion të së vërtetës duhet përshëndetur dhe se pretendimet e Dick Martyt do të hedhen poshtë nga Gjykata Speciale.

Çdo iniciativë që është në funksion të së vërtetës së luftës sonë të drejtë është për t’u përshëndetur dhe vlerësuar. E vërteta e luftës sonë është e bazuar në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, në kuadër të rrugëtimit për liri e pavarësi. Pretendimet e Dick Martyt për luftën e UÇK-së kanë qenë dhe mbeten jashtë çdo realiteti, për çka jam i bindur se një gjë e tillë do të vërtetohet edhe nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai.

AAK

Përkrahje kësaj rezolute i ka dhënë edhe depuetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj që ishte ish-ushtare e UÇK-së, për Nacionalen ka thënë se Evropa duhet të kërkojë falje për njollën që i ka bërë luftës së UÇK-së.

Mendoj se është e qëlluar, sepse një rezolutë për këto pretendime është votuar në Këshillin e Evropës. Meqenëse e gjithë kjo ka ngelë veç hamendësim dhe pretendim pa bazë, kërkimfalja është ma e pakta që mundet me u ba. Sepse ajo rezolutë ka ndikuar ne imazhin e Kosovës për të keq dhe ka qenë një njollë në historinë e lavdishme të UÇK-së!”, ka thënë ajo.

LB

Deklarim për çështjen ka bërë edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i cili ka thënë se nisma e Edi Ramës dhe Kuvendit të Shqipërisë mund të ketë prapa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën, pasi sipas tij, kanë ndryshuar kurs politik për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Nisma diplomatike e Ramës për raportin e Dick Martit, nismë personale, apo pjesë e ndryshimit të dinamikave gjeopolitike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë?... “Tani është interesant të dihet nëse kjo nismë e shtetit dhe qeverisë shqiptare është prapë po ashtu produkt i rrethanave dhe ndryshimit të kursit të politikës së SHBA-ve dhe partnerëve evropianë në kontekstin e konfrontimit me Rusinë për Ukrainën dhe kudo tjetër në botë, apo veç një nismë vetanake e Edi Ramës. Së paku mua, kjo e fundit po më duket pak e besueshme”, ka shkruar ndër të tjera Murati.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Tritan Shehu, ka treguar se kjo parti do ta mbështesë Projekt-rezolutën e PS-së kundër raportit të Dick Martyt.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai është shprehur skeptik për efektet e Projekt-rezolutës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të Dick Martyt për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri nga ish-krerët e UÇK-së.

Deri më tani, nuk kemi parë ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës për projek-rezolutën e Shqipërisë.

Lajme të ngjashme