Ngjitja e spiunit të BIA-s deri në Kryeministri e Presidencë, Prokuroria: Pozita mund t’i ketë mundësuar qasje në informacione të ndjeshme
Fehim Sali, i cili dje është arrestuar nën dyshimin për spiunazh, kishte arritur të ngjitej deri në Kryeministri dhe Precedencë. Në takimet që kishte pasur në këto dy institucione të larta ai ishte shfaqur i afërt me kryeministrin në detyrë dhe ish-presidenten Vjosa Osmani. Këtë e dëshmojnë fotografitë e publikuar nga këto institucione.
Për shkak të këtyre takimeve dhe pozitave që ka mbajtur, Prokuroria ka shprehur dyshimet serioze.
Në kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e paraburgimit për të dyshuarin si spiun i BIA-s thuhet se për shkak të pozitave politike që ka ushtruar ai ka pasur mundësi që të ketë qasje në informacione të ndjeshme.
“Në këtë kontekst, rëndësia e veçantë ka edhe pozita politike që i dyshuari ka ushtruar në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, e cila mund t’i ketë mundësuar qasje në informacione të ndjeshme dhe kontakte me persona të ndryshëm me rëndësi për funksionimin e institucioneve shtetërore. Po ashtu, duhet të merren parasysh situata aktuale e sigurisë në vend dhe rrethanat konkrete në të cilat pretendohet se është kryer vepra penale, të cilat, në tërësi, mund të tregojnë për ekzistimin e një rreziku konkret dhe jo vetëm hipotetik të përsëritjes së veprës penale”, është thënë në kërkesën e Prokurorisë.

Feim Sali, ishte arsimtar nga Komuna e Dragashit, i cili ishte i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë.
Ai kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron pranë Presidencës së Kosovës.
Madje, janë publikuar edhe fotografit e tij me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Sipas Presidencës, ai kishte qenë anëtar i Këshillit si përfaqësues i komunitetit goran për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024. Ai u tha se ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti të informacioneve të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.

Ndërsa, Sali kishte qenë edhe në Kryeministri.
Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar më 3 tetor të vitit 2022 se shefi i Qeverisë, Albin Kurti kishte bashkëbiseduar “me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës”.
“Duke shprehur mirënjohje për kontributin e komunitetit goran në Kosovë, Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies së këtij komuniteti. Ai veçoi mbështetjen e dhënë përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Kjo ka përfshirë përfaqësimin e komunitetit në skemën e punës praktike në institucione gjatë gjashtë muajve të fundit, si dhe grantet që mbështesin OJQ-të në punën e tyre për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e komunitetit”, ishte thënë në njoftimin e Kryeministrisë.
