Pritet fitore rekorde e majtistëve britanikë, Kurti s’e sheh të nevojshme ndërhyrjen
Partia Laburiste e Britanisë pritet të vijë në pushtet me numër rekord të ulëseve në zgjedhjet e së enjtes, sipas një parashikimi të kompanisë së sondazheve, “Survation”. Ky lajm mund të jetë lehtësim për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk do të ketë nevojë që të dalë publikisht me thirrje kundër partisë së homologut britanik, Rishi Sunak, i cili i takon krahut të djathtë.
Sipas skenarit qendror të kësaj kompanie, laburistët e majtistit Keir Starmer pritet të fitojnë 484 nga 650 ulëset e Kuvendit, shumë më shumë se 418 të fituarat nga ish-kryetari i partisë, Tony Blair, në fitoren e tij të famshme më 1997, kur kishte siguruar më së shumti deputetë në histori, raporton agjencia “Reuters”.
Konservatorët, që kanë qenë në pushtet gjatë 14 viteve të fundit, parashikohet të fitojnë vetëm 64 ulëse, që do të ishte numri më i ulët që nga themelimi i partisë në vitin e largët, 1834.
Partia djathtiste, “Reformoje Mbretërinë e Bashkuar”, u parashikua se do të fitojë shtatë ulëse, sipas rezultateve të sondazhit.
Në analizën e kompanisë “Survation” u përdor një teknikë që e vlerëson opinionin publik në një nivel lokal nga mostrat e mëdha kombëtare.
Sipas analizave të tjera, laburistët pritet të shënojnë fitore me dallim më të vogël, por në asnjë anketë nuk është shfaqur ndonjë rezultat i përgjithshëm më ndryshe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dalë me ndonjë thirrje publike se cila parti të votohet në Britani, të paktën deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Para disa javëve, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, kryeministri Kurti u bëri thirrje bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në vende të BE-së që t’i votonin partitë social-demokrate. Megjithatë, rezultati nuk ishte fort i kënaqshëm, pasi djathtistët shënuan fitore të mëdha.
Më pas, para pak ditëve, Lëvizja Vetëvendosje bëri thirrje kundër votës për të djathtën ekstreme në Francë dhe për mbështetje të Frontit të Ri Popullor, bllok majtist. Sidoqoftë, atje fitoi pikërisht e djathta ekstreme, ndërsa blloku majtist doli i dyti.
Sjellim ndër mend që kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën kanë marrë anë edhe në zgjedhje të shteteve të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut./Nacionale