“Mbesim me shpresë”: Francezët s’e dëgjojnë thirrjen e VV-së, humb blloku majtist
Ishte e premte mbrëma e 28 qershorit. Lëvizja Vetëvendosje vendosi që të dilte publikisht përmes një shkrimi në “Facebook” kundër të djathtës ekstreme në Francë. Sidoqoftë, duket se vargjet e partisë në pushtet në Kosovë nuk u lanë përshtypje shumë francezëve.
“Rezultatet e zgjedhjeve të fundit të mbajtura me 9 qershor në Bashkimin Evropian nuk ishin ato që do t’i donim për vetë vlerat e këtij bashkimi si liria, demokracia e barazia. Si pasojë e këtij rezultati, edhe Presidenti Francez Emmanuel Macron shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 30 qershor dhe 7 korrik 2024” – thuhet në fillim të këtij shkrimi.
Partia e kryeministrit Albin Kurti shprehu shqetësim për gjasat e fitores së një qeverie të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekt socialdemokrat dhe si pjesë e familjes socialdemokrate evropiane (PES-it, Aleancës Progresive, Internacionales Socialiste) shpreh shqetësimin e saj mbi gjasat e fitores së një qeverie të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë. Kjo do të rrezikonte jo vetëm rizotimin e Bashkimit Evropian për angazhim drejt zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por do të përhapte edhe më tej narrativat destruktive dhe dezinformatat e ekstremit të djathtë për Kosovën, në veçanti të ushqyer nga boshti Moskë-Beograd” – thuhet më tej.
E majta kosovare tha se mbetej me shpresë që blloku majtist në Francë, ‘’Nouveau Front Populaire’’, do të triumfonte.
“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘’Nouveau Front Populaire’’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës” – thuhej në shkrimin e VV-së kundër të djathtës ekstreme në Francë.
Sidoqoftë, rezultatet nga Ministria e Brendshme e Francës me gjasë i zhgënjyen anëtarët e VV-së.
Partia franceze e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, dhe aleatët e saj kanë fituar 33 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të Francës, ka thënë Ministra e Punëve të Brendshme.
Aleanca majtiste, Fronti i Ri Popullor, doli e dyta me 28 për qind, ndërsa koalicioni “Së Bashku” i presidentit Emmanuel Macron fitoi 20 për qind, sipas kësaj ministrie, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo është hera e parë që Tubimi Kombëtar ka fituar më shumë se 20 për qind të votave në zgjedhje parlamentare dhe e vë partinë brenda mundësive për ta formuar qeverinë e parë të së djathtës ekstreme./Nacionale