Thirrja e Kurtit ndaj diasporës s’i shpëton socialdemokratët e Evropës nga humbjet - NACIONALE

Thirrja e Kurtit ndaj diasporës s’i shpëton socialdemokratët e Evropës nga humbjet

5 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Ishte mesdita e së mërkurës, kur kryeministri Albin Kurti vendosi që të merrte anë edhe në një palë zgjedhje. Thirrja e tij për ndaj bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në vende të BE-së për të votuar një bllok të caktuar politik ndoshta nuk na befasoi, por me gjasë as nuk ia solli rezultatet që ai i dëshiroi.

“Të nderuara dhe të nderuar bashkatdhetarë e bashkëqytetarë, ju që jetoni nëpër shtete anëtare të Bashkimit Evropian, po ju drejtohem sot me një mesazh të veçantë” – e nisi video-adresimin e tij Kurti javën e kaluar.

Fjalimi është shumë i gjatë për t’u transkriptuar i tëri dhe mund ta dëgjoni me zë dhe figurë në videon e publikuar nga vetë Kurti në llogarinë e tij në “Facebook”, por në mënyrë të përmbledhur Kurti shpjegoi:

Pasi ua tregoi diasporës ditën dhe datën e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe u foli për rëndësinë e kësaj gare, pa harruar që t’i përmendte edhe agresionin rus ndaj Ukrainës, synimet e blloqeve të caktuara për dobësimin e BE-së me mbështetjen e Rusisë, Kurti krejt në fund u bëri thirrje bashkatdhetarëve që ta votonin Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.

Sidoqoftë, socialdemokratët nuk shënuan rezultate të kënaqshme në shumë shtete evropiane, përfshirë katër prej kryesoreve: Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën.

Koalicioni i kancelarit Scholz pësoi humbje të rëndë në zgjedhjet evropiane. Të tria partitë në koalicionin e tij dolën pas konservatorëve dhe të djathtës ekstreme, sipas rezultateve preliminare.

Gjermani, socialdemokratët e Scholzit e shënuan rezultatin më të keq në histori me vetëm 14 për qind të votave, duke dalë në vend të tretë, prapa partisë së të djathtës ekstreme, AfD, e cila mori rreth 16 për qind të votave, dhe shumë prapa bllokut konservator CDU – CSU, që siguroi rreth 30 për qind, raporton gazeta "The Guardian".

Francë, sipas rezultateve të deritanishme, partia e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen-it, doli e para me 30 ulëse, duke e nxitur presidentin Emmanuel Macron që të bëjë një lëvizje të rrezikshme politike për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Itali, pas numërimit të 96 për qind të votave, Vëllezërit e Italisë, partia e kryeministres djathtiste, Giorgia Meloni, fituan 28,8 për qind të votave, më shumë se katërfishi i votave që kishin marrë në zgjedhjet e fundit të BE-së më 2019 dhe duke e tejkaluar edhe fitoren në zgjedhjet kombëtare, kur kishin ardhur në pushtet me 22 për qind të votave, raporton agjencia “Reuters”.

Lexoni edhe: Kurti ishte "skeptik" për të, por Meloni e Italisë del e para në zgjedhjet e BE-së

Spanjë, Partia Popullore e qendrës së djathtë doli e para në zgjedhjet e së dielës, duke siguruar 22 nga 61 ulëset e ndara për këtë shtet, duke i dhënë një goditje qeverisë së udhëhequr nga socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez.

Lajme të ngjashme