Kurti ishte “skeptik” për të, por Meloni e Italisë del e para në zgjedhjet e BE-së - NACIONALE

Kurti ishte “skeptik” për të, por Meloni e Italisë del e para në zgjedhjet e BE-së

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Vëllezërit e Italisë, grup politik konservator i kryeministres Giorgia Meloni, e fituan shumicën e votave në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në fundjavë, sipas rezultateve, duke e fuqizuar pozicionin e saj brenda dhe jashtë vendit. Si duket, votuesit e saj nuk janë aq “skeptikë”, siç ishte kryeministri ynë, Albin Kurti, për të.

Pas numërimit të 96 për qind të votave, Vëllezërit e Italisë fituan 28,8 për qind të votave, më shumë se katërfishi i votave që kishin marrë në zgjedhjet e fundit të BE-së më 2019 dhe duke e tejkaluar edhe fitoren në zgjedhjet kombëtare, kur kishin ardhur në pushtet me 22 për qind të votave, raporton agjencia “Reuters”.

“Unë jam krenare që Italia do ta paraqesë veten në Grupin G7, në Evropë me qeverinë më të fuqishme nga të gjithë. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në të kaluarën, por po ndodh sot, është një kënaqësi dhe gjithashtu një përgjegjësi e madhe” – tha Meloni të hënën herët në selinë qendrore të partisë.

Partia Demokratike e Italisë doli e dyta me 24 për qind të votave, ndërsa një grup tjetër opozitar, Lëvizja 5 Yjet, ishte e treta me 9,9 për qind – niveli më i keq i saj në nivel vendi që nga themelimi më 2009.

Zgjedhjet evropiane treguan se koalicioni qeverisës i Melonit, i përbërë nga parti që kanë qëndrime nga qendra e djathtë deri te e djathta ekstreme, ka gëzuar rritje të mbështetjes në më shumë se 47 për qind, nga më pak se 43 për qind më 2022.

Në një intervistë për mediumin Italian, AGI, në mars të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se Melonin e konsideronte si figurë me lidhje me fashizmin. “Më duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën, e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të së djathtës ekstreme, me fashizmin. Që nga koha kur ajo u bë kryeministre, i kam vërejtur marrëdhëniet e saj të mrekullueshme me Bidenin dhe me ShBA-në, mbështetjen e saj të bindur për Ukrainën. Jo njësoj për Salvinin, i cili ka marrëdhënie me Putinin” - kishte deklaruar Kurti.

Në vitin 2022, Giorgia Meloni në zgjedhjet e përgjithshme triumfoi duke u bërë kryeministrja e parë grua e Italisë.

Fitorja e saj ishte historike jo vetëm për shkak të gjinisë së saj, por sepse ajo drejton një parti që është më e djathtë se çdo lëvizje politike kryesore që Italia ka parë që nga koha e ish-udhëheqësit të saj fashist, Benito Musolini.

Meloni shumë shpejt u vu në shënjestër të mediave pikërisht për faktin se udhëhiqte një parti të ekstremit të djathë – “Vëllezërit e Italisë”.

Skepticizmi qëndronte në atë se si një kryeministre me tipare të ekstremit të djathtë do të mund ta udhëhiqte një vend demokratik si Italia.

Lajme të ngjashme