Osmani për grevën: Presidentja merret me politikë të jashtme, por kur të kthehem në Kosovë shohim - NACIONALE

Osmani për grevën: Presidentja merret me politikë të jashtme, por kur të kthehem në Kosovë shohim

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu ka bërë thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që t’i rikthehen procesit mësimor, duke thënë se “shkollat po mbahen peng”. Megjithatë, thotë se ajo merret me politikë të jashtme, por do të shohë se çfarë mund të bëjë për ngërçin e krijuar në arsim.

Tashmë janë bërë katër të hëna që prej kur shkollat mbesin të mbyllura, derisa procesi mësimor duhej të fillonte më 1 shtator.

Përkundër kësaj, sindikatat dhe Qeveria nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, me këta të fundit që kanë refuzuar çdo kompromis duke prezantuar një pako për ndihmë.

Në krejt këtë situatë, presidentja Vjosa Osmani ka tentuar të mbajë një rol ndërmjetës, sidoqoftë, në disa situata i ka dalë krah Qeverisë duke përmendur pakon ndihmëse si të mjaftueshme.

Së fundi, presidentja foli sërish për këtë situatë, ku në një intervistë për RTV 21, nga SHBA-ja ajo paralajmëroi edhe një pako të re.

“Kemi propozuar që të miratohet edhe një pako e re e inflacionit, pasi të skadojë kjo që është deri në dhjetor. Natyrisht, derisa ka inflacion, se nëse ndërpritet, nuk mund të ketë inflacion. Kemi ofruar ndihmë për skemat pensionale, për shumë e shumë ide të tjera. Të gjitha këto jnë bërë në fillim. Tash po diskutohen shumë ide në media kisne të propozuara për herë të parë, por për fat të keq, janë refuzuar nga ana e sindikatave”, tha Osmani.

Tutje, ajo u ka bërë thirrje mësimdhënësve që ta ndërpresin grevën, duke lënë të kuptohet se gjatë dimrit mund të ketë problem me rrymë, që rrjedhimisht, mund të shkaktojnë probleme edhe në procesin mësimor.

“U bëj thirrje mësimdhënësve të nxënësve të Kosovës që ta ndërperjnë grevën, duke parë se shumica dërrmuese e kërkesave janë trajtuar dhe se hapja e shkollave, trajton edhe kërkesat e tjera. Të mos dëmtohen nxënësit, sepse janë dëmtuar, do të dëmtohen edhe gjatë dimrit kur shumë shkolla mund të kenë problem me rrymë, po na pret një dimër i vështirë. Ka ardhë koha që të ndërpritet kjo grevë, pasi ka dëmtuar një të drejtë kushtetuese të fëmijëve. Greva është e drejtë ligjore, por nuk është mbi të drejtën kushtetuese”, tha ajo.

Në fund, Osmani nënkuptoi se “shkollat po mbahen peng”, ndërsa tha se ndonëse merret me politikën e jashtme, sapo të kthehet, do të shohë mundësinë e gjetjes së një zgjidhje.

“Shkollat iu takojnë nxënësve, nuk mund t’i mbajë peng ato askush. Mos të dëmtohen fëmijët në mënyrë kaq të riparueshme. Sapo te kthehemi në Kosovë, sepse presidentja është udhëheqëse e politikës së jashtme, këtë muaj kam qenë në pesë shtete, sapo të kthehem do të shohim se çka tjetër mund të bëjmë sapo të tejkalohet kjo situate”, tha Osmai nga SHBA-ja.

Situata me grevën

Qeveria Kurti s’ka ofertë të re, e rrjedhimisht s’ka ftesa për dialog social, në anën tjetër, SBAShK-u po vazhdon grevën. Që një muaj, ky është peisazhi i grevës. Duke parë një situatë të tillë, SBAShK-u ka filluar komunikimin me anëtarësin e saj për të marrë një qëndrim në lidhje me vazhdimin e grevës.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ymer Ymeri, nënkryetar i SBAShK-ut, theksoi se anëtarësia do të tregojë qëndrimin e saj për grevën.

Ky takim, sipas tij, vie pasi Qeveria Kurti nuk ka servuar ndonjë ofertë të re për sindikalistët.

‘’Për çdo situatë ne jemi në komunikim me anëtarësinë. Ne kemi kërkuar nga anëtarësia një qëndrim, duke e parë që Qeveria Kurti s’po tërhiqet e madje as nuk po dëshiron të dialogoj më. Pasi të marrim qëndrimin e anëtarësisë padyshim që do ta bëjmë publike gjendjen, por njëherë nuk ka lëvizje për ndalje te grevës. Nëse veç e kërkon këte gjë anëtarësia tashmë, ne do të jemi në kontakt’’ Ymer Ymeri, nënkryetar i SBAShK-ut.

Tutje, ai ka thënë se greva është zgjatur shumë.

Nëse Qeveria nuk tërhiqet, ne do të konsultohemi me antarësinë se ç’ka me vepru tutje, pasi që vërtet u zgjat greva shumë, dhe sipas të gjitha gjasave po shihet se Qeveria nuk është e gatshme me ba asnjë lëvizje.”, shtoi Ymeri.

Kryeministri Kurti ndërkaq, thuajse në secilën paraqitje të tij së fundi ka sulmuar sindikalistët. Një goditje të re, ai ua bëri këtyre të fundit të dielën, kur pati zgjedhjet e brendshme të partisë.

Ai akuzoi se sindikalistët janë të lidhur me partitë opozitare, duke i cilësuar ata se janë sindikalistë të PAN-it që kanë sentiment anti qeveritar.

Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, tha kryeministri Kurti.

Lajme të ngjashme