“Kërcënimet” e pushtetit ndaj Sindikatave – Çka thotë Ligji për Grevat - NACIONALE

“Kërcënimet” e pushtetit ndaj Sindikatave – Çka thotë Ligji për Grevat

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

“Nuk është koha për grevë, por për punë”, deklaroi kryeministri Kurti, me t’u kthyer në Kosovë, nga Brukseli. Deklarata e kryeministrit erdhi pas paralajmërimit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, se më datë 25 gusht do të futen në grevë.

Përplasja në mes kryeministrit e grevistëve ka të bëjë me kërkesën e këtyre të fundit për shtesa prej 100 eurove, deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Meqë s’u morën vesh, sindikalistët nga sot kanë hyrë në grevë. E pikërisht sot, në medie u publikua një email, të cilin e kishte nisur një eksponent i qeverisë, drejt punëtorëve.

Zv. sekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, duke u thirrur në ligj, kërkoi që t’i dorëzohen emrat e atyre që janë në grevë, në mënyrë që të “pezullohen” nga paga.

Çka thotë ligji?

Neni 18 i Ligjit për Greva, ku thirret Spahiu, ka titullin: Efektet e grevës së ligjshme.

Aty, me 3 paragrafë rregullohet ligjshmëria e grevës: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, Ndërprerja ose largimi nga marëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme është i kundërligjshëm, paragrafi i dytë nuk zbatohet kur i punësuari gjatë grevës kryen një akt që bie ndesh me ligjin.

Sqarim: Paragrafi 1, ku flet për pezullimin e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, është i dedikuar për punëtorin që futet në grevë. Pra, grevisti, i pezullon detyrimet që i rrjedhin nga kontrata që është edhe kuptimi i grevës.

Tutje në ndryshim/plotësimin e ligjit është shtuar edhe një pjesë ku flet për "të drejtën në pagesë" duke e ndërlidhur me pushimin e detyrimeve nga kontrata e punës. Duhet një interpretim ligjor nëse kjo dispozitë zbatohet në rastet e shkeljeve të ligjit për grevë, apo kjo ndodhë automatikisht, meqenëse nuk ka ndodhur asnjëherë një situatë e tillë.

Këtë kuptim e jep edhe paragrafi në vazhdim, ku thuhet se ndërprerja apo largimi nga puna për shkak të pjesëmarrjes në grevë është i kundërligjshëm.

Si bëhet një grevë e paligjshme – a është rasti?

Greva bëhet e paligjshme kur kryhet ndonjë akt që bie në kundërshtim me ligjin. E në të njëjtin ligj parashihet: Paralajmërimi i grevës.

Këshilli i grevistëve ka për obligim të paralajmërojë grevën te punëdhënësi dhe sindikata, Këshilli ka për obligim që të paralajmërojë grevën jo më vonë se 7 ditë nga dita e fillimit të grevës, duke ua dorëzuar vendimin për ngritjen në grevë organit të qeverisjes dhe punëdhënësit.

Pra, paralajmërimi i grevës, i jep ligjshmëri vetë asaj.

Rrahman Jashari, Kryetari i SBASHK-ut, për Gazetën Nacionale ka thënë se i kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore, duke e paralajmëruar grevën.

“Ne kemi njoftuar se greva do të fillojë më 25 gusht, i kemi dhënë hapësirë dialogut. Qeveria nuk e ka bërë asnjë hap që të ulet me sindikatat, uroj që të mos jetë kërcënues, sepse një vendim i tillë është cënim i të drejtave dhe shkelje drastike e ligjit për greva”, ka thënë Jashari.

Pra, nëse vendimi për mbajtjen e grevës, është dorëzuar 7 ditë para datës 25 gusht, greva e sindikatave është e ligjshme. Kështu të paktën e thotë Ligji.

Vëmendje: Ligji për Grevat, në nenin 13 e rregullon një çështje shumë të rëndësishme sa i përket situatës.

Mbrojtja e të drejtave të të punësuarve gjatë grevës

Me këtë nen rregullohen dhe mbrohen të drejtat e punëtorëve që futen në grevë, duke specifikuar hollësisht se si të mbrohet një grevist.

“Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

Paragrafi tjetër specifikon se gjatë kohës së grevës punëdhënësit nuk mund t’i zëvendësojnë pjësëmarrësit në grevë me punëtorë të ri.

Sqarime shtesë:

Çka është greva? Greva - ndërprerje e organizuar e punës nga ana e të punësuarve me qëllim të realizimit të të drejtave dhe interesave ekonomike, sociale dhe profesionale nga marrëdhënia e punës.

Kush është grevisti? Grevistët - të punësuarit të cilët pakënaqësinë e tyre lidhur me të drejtat, kushtet e punës, interesat ekonomike, sociale dhe profesionale i shprehin me anë të grevës.

Çka është Këshilli Grevist? Këshilli Grevist - organ i përkohshëm i zgjedhur nga të punësuarit që përfaqëson interesat e të punësuarve dhe udhëheq e koordinon grevën në emrin e tyre.

Lajme të ngjashme