Pse profesori i UP-së rrogë deri në 3500 euro e mësuesit e fillores 420? E vërteta e trishtë që askush s'po e përmend - NACIONALE

Pse profesori i UP-së rrogë deri në 3500 euro e mësuesit e fillores 420? E vërteta e trishtë që askush s'po e përmend

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Të enjten, 25 gusht, pritet të nis greva e përgjithshme e punëtorëve të arsimit (por jo vetëm). Paralajmërimi na la në sy një gjë: gabimet e shumta drejtshkrimore të profesorëve universitarë, ose jo, dallimi i madh në paga mes tyre dhe mësimdhënësve të cikleve më të ulëta.

Profesori universitar Fadil Maloku po vazhdon të shajë gazetarët, për vetëm një arsye. Ata i kishin evidentuar gabimet e shumta drejtshkrimore, dhe po ashtu tregonin se si ai gjykonte mësuesit e fillores me 420 euro rrogë, e paga e tij mund t’i shkonte deri në 3500 sosh.

Por, t’i kthehemi BSPK-së: çka kërkojnë sindikalistët?

Kërkojmë 100 euro shtesë deri sa të miratohet Ligji për Paga. Më 10 gusht 2022 BSPK-ja mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim të sigurisë të situatës. BSPK-ja përsëri ndoqi të gjitha rrugët ligjore drejt realizimit të kërkesave, por nuk ia doli të ulet me Qeverinë dhe të gjejmë një rrugë të duhur. Prandaj sot dua t’ju informoj se ligji është që na obligon të hyjmë në grevë, mu ky është shkaku që sot po e shpallim grevën e përgjithshme për shkak të mos-realizimit të kërkesave.” - ka thënë Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ose sindikalisti ‘i preferuar’ i kryeministrit Kurti.

Ai ndodhej përkrah Rrahman Jasharajt të SBAShK-ut. Ky i fundit theksoi se në këtë grevë do të jenë të përfshirë dhe administrata e arsimit dhe sektorët tjerë në kuadër të saj.

Qeveria Kurti mbajti pozicionin e gabuar, jemi të shtyrë të mbajmë grevë nga 24 ose 25 gushti. Në këtë grevë do të jenë të përfshirë dhe administrata dhe sektorët tjerë,” ka thënë Jasharaj, që po ashtu kishte qenë mësimdhënës i ciklit fillor.

Në një intervistë të mëhershme në Podcast/Nacionale, z. Jasharaj kishte folur po ashtu për dallimin e madh në paga mes profesorëve universitarë dhe mësimdhënësve para-universitarë. Ai kishte nënkuptuar se kjo mund të kishte ndodhur për shkak se “shumica e politikanëve janë profesorë universitarë”.

Dallimi i madh në paga

Dallimi mes pagave të profesorëve universitar dhe atyre mësimdhënësve në sektorin parauniversitar janë alarmuese.

Në një analizë të bërë nga INDEP në vitin 2018, evidentohej po ashtu një gjë e tillë. Aty tregohej po ashtu se si në Francë “paga e mësimdhënësit universitar dallonte vetëm për 100 euro nga paga e mësimdhënësit të shkollës së mesme”.

Prioriteti i sheteti duket që ishte dhe mbetet sistemi universitar pasi që dallimi vazhdon të jetë tronditës.

Sipas të dhënave, paga bazë e një mësuesi të shkollës fillore është 471 euro, ndërsa paga e një arsimtari në shkollë të mesme të ulët është 530 euro dhe ajo e një arsimtari në shkollë të mesme të lartë është 525 euro. Për mësuesit parafillorë kjo pagë është 431 euro.

Ndërkaq më Projektligjin e ri për Paga që u prezantua nga Qeveria e Kosovës javën e kaluar, del që për ta do të ketë rritje të pagës.

Vlera e një koeficienti ende nuk është saktësuar në projektligj, por Nacionale mëson se ajo është propozuar të jetë 120 euro.

Sipas Projekligjit, mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, do ta kenë koeficientin 5.8 duke shumëzuar me 120 del që paga bazë e tyre do të bëhet 696 euro; mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, 5.6 apo 672 euro pagë bazë, e ata mësimdhënësit e institucioneve parashkollore koficient 5.2 apo 624 euro.

Edukatorët do të kenë koficient 5 apo 600 euro.

Ndërkaq, drejtori i shkollës së mesme të lartë pritet që të ketë koeficientin 6.4 apo 768 euro. Teksa drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët parashihet që ta ketë koficientin 6.

Mirëpo, e njejta gjë nuk është edhe për profesorët universitar. Sipas Projektligjit, profesorëve universitarë po ashtu do t’ju rritet rroga edhe më shumë se sa që e kanë aktualisht.

Aktulisht, pagat bazë për profesorët e universiteteve publike në Kosovë janë 1429 euro, pa llogaritur edhe shtesat e më të cilat paga e tyre mund të mbërrijë deri në 3 mijë e 500 euro.

Sipas Projektligjit për Paga, në Arsimin universitar, koeficientin më të lartë pritet që ta ketë rektori me, 14.2 apo 1 mijë e 704.

Ndërsa, profesori i rregullt universitar pritet që ta ketë koficientin 12.4 duke shumëzuar me 120, i bie që paga bazë e profesorëve universitarë do të jetë 1 mijë e 488, këtu nuk përfshihen shtesat e tjera, duke bërë që paga e tyre të mbërrijë eventualisht në 4 mijë euro në muaj.

Në lidhje me këtë dallim të madh në pagat ekzistuese pyetëm edhe njohësin e çështjeve të arsimit, z. Rinor Qehaja, dhe i cili u shpreh si vijon:

Dallimi në paga mes niveleve të arsimit sado që mund të argumentohet me kompleksitetit të nivelit dhe shkollim të punonjësve, në asnjë moment nuk mund të argumentoj që një edukatore që edukon fëmijët e grup moshave të ndjeshme 0 deri ne 5 duhet të paguhet 300% më pak se një mësimdhënës universitar. Pra, duhet të nxisim për incentiva monetare dhe jo monetare përgjatë gjithë sistemit për tu siguruar në një performance të balancuar nga të gjithë nëpunësit e sistemit arsimor.

Ndërsa për Projekligjin për Paga, Qehaja theksoi se me rritjen e pagave për mësimdhënësit duhet të fuqizohen edhe mekanizmat llogaridhënësë brenda sistemit arsimor.

Në anën tjetë, kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk është koha për greva por për punë, si përgjigje sindikatave.

Lajme të ngjashme