Rrahman Jasharaj i përgjigjet Kurtit: Nuk jemi PAN, këto deklarata janë bajate - NACIONALE

Rrahman Jasharaj i përgjigjet Kurtit: Nuk jemi PAN, këto deklarata janë bajate

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Që në mëngjes, kryeministri Kurti ditën e nisi me një deklaratë “therrëse” karshi sindikalistëve, të cilët që nga 25 gushti po mbajnë grevë.

Kurti këta sindikalistë, në krye me Rrahman Jasharajn i quajti “Sindikalistë të PAN-it”, që sipas tij iu ka këputur sahati me 14 shkurt, kur edhe VV-ja i fitoi zgjedhjet.

Bëhet fjalë për një inati ndaj qeverisë së zhvillimit dhe shpresë. Sindikalistëve të PAN-it iu ka këputur sahati më 14 shkurt dhe aty iu ka ngelur sahati sindikalistëve dhe tani po dëshirojnë që t’ia bëjnë PAN-it opozitën, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë.”, ka thënë Kurti.

Këtë deklaratë i pari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj po e cilëson si bajate. Ai në një prononcim për gazetën Nacionale tha se me këto deklarata, Kurti po mundohet të ndikojë tek anëtarësia, por një gjë e tillë, është e pamundur.

"Kjo nuk është hera parë që ai flet pa pas asnjë argument, s'di pse po e thotë kaq shpeshë. Këtë po ia përforcojnë disa panelistë e analistë. Kjo deklaratë është bërë bajate, nëse e ka për të ndikuar tek anëtarësia, e ka shumë gabim”, tha Jasharaj për Nacionalen.

Kryetari i Këshillit Grevistë, Jasharaj, e ka një këshillë për Kurtin, se çfarë të bëjë në vend të këtyre deklaratave bajate.

Në vend të këtyre deklaratave që janë bërë bajate dhe nuk kanë arritur asnjë efekt, kishte me qenë më mirë me u ulë me gjetë një zgjidhje”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se deri tani, nuk ka asnjë lëvizje për të filluar mësimin e për ta ndalur grevën.

Ndërsa nënkryetari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri në një prononcim për gazetën, tha se sa po duket, që po afrohen qëndrimet për të gjetur zgjidhje, deklaratat e tilla nga Qeveria, po e pamundësojnë një gjë të tillë.

“Deklaratat e kryeministrit e të ministrave, sapo po afrohemi në qëndrime me gjet një zgjidhje, po tentojnë më i largu bisedimet dhe mos me pas zgjidhje. 25 mijë sindikalista janë që Kurti i quajti të PAN-it, gjatë kohës sa ishte Haradinaj kryeministër, Kurti në opozitë na ka përkrahë më së shumti, na ka qëndru afër. E tash nuk e di qysh u banëm të PAN-it. Kurti po tenton me i përça sindikalistët, por një gjë e tillë s'ndodhë”, tha Ymeri për gazetën Nacionale.

Ai me bindje tha se me këto deklarata, greva nuk do të ndalet.

“Me këto deklarata nuk ndalet greva, le te dijnë krejt qeveria”.

Pas kësaj deklarate, pati reagim edhe nga Sindikata e Shërbyesve Civilë.

Ali sefaj, tha se nuk është PAN-ist, e madje as pianist.

Nuk jam PAN-ist as Pianist. As çiftelisë s’di mi ra!”, ka shkruar Sefaj në Facebook, ku i ka bashkëgjitur një shkrim të tij ku kundërshtonte qeveritë e kaluara.

PDK: Dobët kryeministër, dobët

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar rreth kësaj deklarate të Kurtit. Ajo ka thënë se Kurti e ka problem ta kuptojë që ka sindikata, të cilat nuk nënshtrohen.

“Dobët Kryeministër, dobët. Në vend se të ulet e të bëjë zgjidhje, Kurti paska vendosur edhe sot të thumbojë mësueset dhe arsimtarët tanë.Njëhere, njerëzit e VV e quajtën kryesindikalistin njeri të Serbisë, e sot, Kryeministri i paska quajtur sindikatat “ sindikata të PAN-it.”

Si duket Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen. Si duket e ka problem të kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vet. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën. Kryeministër, ju jeni Kryeministër i Kosovës, jo i VV-së. Fatkeqësisht nuk po silleni si i tillë. Jemi me 25 shtator, e fëmijët tanë janë në shtëpi. Hapi dyert e shkollave Kryeministër. Çelësat i ke në dorë ti”, ka shkruar Çitaku.

LDK: Kurti tallet me epitete për mësimdhënësit

Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku Sadriu ka deklaruar se Kryeministri i vendit nuk dëshiron të gjejë zgjidhje; për më tepër ai tallet me epitete për mësimdhënësit.

“Si asnjëherë në historinë e shtetit tonë, në javën e pestë të shtatorit shkollat janë ende të mbyllura. I gjithë sistemi arsimor publik është paralizuar, se Kryeministri i vendit tonë nuk dëshiron të gjejë zgjidhje; për më tepër ai tallet me epitete për mësimdhënësit.

17 ditë humbje mësimi; 27 030 000 orë mësimore të humbura; 318 000 fëmijë viktima; 3040 shkolla të mbyllura.

Dëm i pariparueshëm në kurriz të fëmijëve. Fëmijëve që jetojnë në Kosovë!

Qeveri e papërgjegjshme! Qeveri e dëmshme për vendin!”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se Qeveria dhe Sindikatat, nuk po mund të arrijnë në një pikë të përbashkët, për të vendosur për ndaljen e grevës, e cila ka filluar sot një muaj.

Lajme të ngjashme