Vjosa Osmani ‘luan’ presidenten, shfaqet pak më unifikuese në një adresim për grevat - NACIONALE

Vjosa Osmani ‘luan’ presidenten, shfaqet pak më unifikuese në një adresim për grevat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të mërkurën në Kosovë u mbajt protesta ku kishte mijëra të pranishëm, kjo pas dhunimit të një 11 vjeçareje nga 5 persona. Edhe këtë javë, vendi u përball me reduktime të energjisë elektrike, deri sot kur u stabilizua situata pas rikthimit të bllokut B2 dhe A3. Mijëra punonjësve të sektorit publik u janë ndalur pagat nga shteti, pas shpalljes së grevës nga BSPK, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra kundër Qeverisë.

Për krejt këto ngjarje, presidentja Vjosa Osmani nuk ishte këtu, por pak më parë, bëri një reagim në lidhje me grevën, ku u paraqit unifikuese.

Osmani përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, u kërkoi mësimdhënësëve që të kthehen në shkolla për të zhvilluar procesin mësimor.

Po ashtu, ajo ka bërë thirrje në dy raste për "dialog social", kërkesë e përsëritur vazhdimisht edhe nga kryesindikalisti Rrahman Jasharaj.

Në shkrimin e saj në Facebook, Osmani s’e përmendi ndalesën e pagesës për grevistët, gjë për të cilën Qeveria është kritikuar shumë. Megjithatë, ajo tha se zyra e saj është angzhuar për këtë çështje.

“Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor”, ka thënë Osmani.

Çka ndodhi në Kosovë, sa presidentja ishte në Çeki?

Për herë të fundit në Kosovë, Vjosa Osmani u pa më 30 gusht. Presidentja ndodhet për një vizitë në Çeki.

Por gjatë vizitës së saj atje, kanë ndodhur shumë ngjarje në vendin tonë. Kryetarja e shtetit, foli për dhunimin e 11 vjeçares nga pesë persona, megjithatë, nuk ishte këtu që të marrë pjesë në protestën e cila u konsiderua si më e madhja ndonjëherë.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës. Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, tha Osmani për rastin e 11 vjeçares.

Asnjë fjalë s’e ka thënë presidentja Osmani për krizën energjetike, e as për reduktimet me të cilat qytetarët u përballën për ditë të tëra.

Gjatë dy ditëve të fundit, pikërisht kur ajo ndodhej në Çeki, kriza u thellua edhe më shumë ku reduktimet tani nuk ishin 6 me rrymë, e 2 pa rrymë, por 4 me rrymë e 2 pa rrymë, e në disa vende edhe 3 me 3.

Ndërkaq sot, nxënësit parashihej që t’i ktheheshin bankave shkollore, por kjo nuk ndodhi për shkak se thuajse të gjitha shkollat në nivel vendor po e respektojnë grevën.

Në lidhje me grevën, situata ka shkuar aq larg saqë SBASHK-u ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati, i cili akuzoi këtë sindikatë për keqpërdorim të fondeve.

Kur është fjala te Murati, edhe ky konfirmoi se kanë kërkuar përditësimin e listës së pagave dhe për shkak se është vonuar ky proces, grevistëve dhe mësimdhënësëve nuk u janë ekzekutuar fare pagat.

Çka bëri presidentja krejt këtë kohë?

Larg protestës, ankesave për krizë energjetike, grevës – Osmani po qëndron për vizitë në Çeki.

Presidentja atje ka takuar disa politikanë, ndërsa sot mori pjesë në një forum për nder të figurës së ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti.

Osmani në “Twitter” i ka mbajtur të informuar ndjekësit e saj rreth takimeve që ka zhvilluar.

“Me Presidentin e Senatit @Vystrcil_Milos, sot theksova rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen për anëtarësimin tonë në @CoE dhe PfP të @NATO-s. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë për të çuar përpara rrugën tonë të integrimit në BE”, ishte postimi i Osmanit më 31 gusht.

Në po këtë ditë, Osmani e takoi edhe kryeministrin çek, Petr Fiala, me të cilin siç tha ajo diskutuan edhe për liberalizimin e vizave.

“Kosova dhe Republika Çeke ndajnë vlerat themelore demokratike dhe një vizion të përbashkët për Evropën. Në takimin tim me kryeministrin @P_Fiala, diskutuam të punojmë së bashku gjatë Presidencës Çeke për të avancuar perspektivën evropiane, duke përfshirë liberalizimin urgjent të vizave”, ka thënë Osmani.

Presidentja në Çeki ka takuar edhe kryediplomatin holandez dhe kryetaren e Kuvendit, Markéta Pekarová Adamová.

Lajme të ngjashme