Sindikatat dhe Qeveria të vendosura, njëra mban grevë e tjetra i ndal pagat - NACIONALE

Sindikatat dhe Qeveria të vendosura, njëra mban grevë e tjetra i ndal pagat

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Sindikatat tashmë e kanë të qartë qëndrimin e tyre, ashtu sikurse edhe Qeveria Kurti. Të parët do të vazhdojnë mbajtjen e grevës, ndërsa ekzekutivi do t’i ndëshkojë duke ua ndalur pagat. Nuk dihet sa do të zgjatë kjo përplasje, megjithatë duket se nuk ka lëkundje e përafrim në mes kampeve.

Sot është 1 shtatori, por për shkak të greves ato nuk janë hapur për nxënësit, me përjashtim gati të pavërejtshëm të dy tri shkollave nëpër Kosovë. E përplasja mes SBASHK-ut e ministrit të Financave, Hekuran Muratit vetëm se është thelluar ditëve të fundit.

Dyshimeve të ngritura nga Murati për keqpërdorim të fondeve nga SBASHK-u, i është kundërpërgjigjur sindikata. Ata kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj ministrit të Kurtit.

SBASHK-u e ka dorëzu në organin gjegjësisht në prokurori kallëzimin penal ndaj z.Hekuran Murati . Kur te thirrin le ti qet letrat, thuajse janë parat e tij. Nuk e ka pru atë buxhet prej shtëpisë së vet. Ne nuk po i themi Hekuran ana rrogën tënde”, ka thënë Jasharaj gjatë një konference për media.

I heshtur karshi kësaj çështje, çuditërisht është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po flet kryesisht për temën e dialogut, targave e reciprocitetit me Serbinë. Paralajmërimit për greva të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Kurti u ishte përgjigjur me një aforizëm: s’është koha për greva, por për punë.

Por, një lutje qasje e tillë alla “Daut Demaku”, nuk i ka bindur sindikalistët.

Greva...vazhdon megjithatë

Dje u kuptua që pushteti aktual ka marrë një vendim, që gjerësisht u cilësua si skandaloz. Me vendim të Thesarit, që është pjesë e Ministrisë së Financave, pagat në sektorin publik, për punëtorët e arsimit dhe të tjerë, nuk janë ekzekutuar.

Ministri Murati, njoftoi dje se grevistëve dhe mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar fare pagesat. Sipas tij, mos-pagesa e pagave është bërë për shkak të vonesave në dorëzimin e listave të personave që janë në grevë.

“Kemi bërë kërkesë nga organizatat të përditësojmë listat e pagave, por meqë nuk ka arritur të bëhet me kohë, ka qenë e pamundu të procesohet me pagat e tyre. Janë procesuar vetëm ato organizata që kanë kompletuar listat e pagave,” - deklaroi ministri i Financave.

Ndonëse e vlerësoi si të padrejtë ndalimin uniformë, ai tha se një gjë e tilkë përcaktohet edhe nga ligji për grevat.

Për shkak se kjo përcaktohet edhe nga ligji për grevat. Ligji thotë se pjesëmarrja në grevë është vullnetare. Ne kemi parë të arsyeshme t’I kërkojmë ato lista, dhe nuk kemi arritur të procedojmë me pagesën e pagave. Për shkak të vonesave dhe mos-arritjes së listave me kohë nga komunat dhe disa tjera nga niveli qendrore, nuk ka arritur të procesohet lista e pagave. Sa i përket asaj që po thuhet se janë kërkuar listat e grevistëve, ne kemi kërkuar ata që janë duke punuar. Kush është në vendin e punës duhet të lajmërohet”, ka thënë Murati, transmeton Nacionale.

Por, kjo nuk i ka ndalur sindikalistët e as luhatur nga greva e kërkesat e tyre.

Sot pothuajse të gjitha shkollat anembanë Kosovës janë në grevë, e disa prej tyre siç është njoftuar do t’i vizitojë edhe “baba i grevave”, Rrahman Jashari.

SBASHK-u, fillimisht do të vizitojnë Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë, nga ora 09:30. Nga ora 10:10, Këshilli Qendror Grevist i SBAShK-ut, shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i BSPK-së vizitojnë çerdhen “Lulevera” në Prishtinë dhe nga ora 11:00 do të vizitojnë Shkollën Fillore “Naim Frasheri” në Prishtinë.

As grevistët e institucioneve publike qendrore nuk janë trembur nga mos ekzekutimi i pagave.

Ali Sefaj, zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës e njëherit sindikalist e grevist, në një postim në Facebook, ka bërë ditur se greva do të vazhdojë edhe në nivel qendror.

“Buzëqeshja s’ndalet për paga dhe as nuk blehet me pare. Greva vazhdon!”, shkroi Sefaj duke bashkangjitur edhe një foto të kolegëve të tij grevistë gjersa po konsumonin kafen e mëngjesit.

Lajme të ngjashme