NZZ: Kurti s'mund t'i lejojë vetes rezistencë të hapur ndaj amerikanëve
Njohësi i zhvillimeve në Serbi e dikur korrespodent nga Beogradi i gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, Andreas Ernst, ka publikuar së fundi një artikull interesant me titull: "BE i paraqet ultimatum të pjesshëm Serbisë në lidhje me Kosovën".
Sipas tij, Brukseli dhe Uashingtoni duan të shtyjnë përpara atë që e shohin si marrëveshje. Tutje, Ernst thotë se duke u bazuar në këto tentime, Kosova do të përfitojë njohje "de-facto" nga Serbia, kurse kjo e fundit do të sigurojë autonomi për banorët e saj brenda Kosovës.
Megjithatë, këtë e sheh problematike, teksa kujton fakte historike nga e kaluara të ultimatumeve ndaj Serbisë.
“Në vitin 1914, pas atentatit në Sarajevë, Austro-Hungaria kërkoi që Beogradi të lejonte hyrjen e organeve të tij hetimore në vend. Dhe në vitin 1999, fuqitë perëndimore kërkuan nga Serbia që NATO të merrte kontrollin e Kosovës. Dy herë Beogradi refuzoi dhe të dyja herë pasoi një sulm.
Ndoshta kjo shpjegon reagimin e ashpër publik ndaj fjalimit televiziv të presidentit Aleksandar Vuçiq në fillim të javës, në të cilin thuhej se ‘pesëshja e madhe’ i kishte dhënë ultimatum për çështjen e Kosovës”.
Veç kësaj, ai komentoi edhe lëvizjet e kryeministrit Kurti, duke thënë se përderisa BE-ja po merret me Beogradin, amerikanët janë të ngarkuar me Kosovën.
“I mbërthyer është edhe kundërshtari i Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Derisa BE-ja po e përpunon Beogradin, amerikanët janë të ngarkuar me Kosovën.
Për Kurtin, i cili e sheh veten si luftëtar antikolonial për çlirim, fillimisht nga Serbia dhe më pas nga protektorati i Kombeve të Bashkuara, ky është një provokim i pabesueshëm: përfaqësuesit e një superfuqie po ndërhyjnë drejtpërdrejt në kompetencat e qeverisë.
Megjithatë, ai nuk mund t’i lejojë vetes rezistencë të hapur ndaj amerikanëve. Amerika është e popullarizuar në Kosovë dhe ata e konsiderojnë atë garantuese të ekzistencës së shtetit”.
Kuptohet, fare në fund të analizës ai shtoi se i gjithë ky presion është për t'i bindur palët drejt një marrëveshje, çka do të thoshte jodestabilizim i Ballkanit Perëndimor.
“Brukseli dhe Uashingtoni duan të përdorin forcat e bashkuara për të arritur atë që ata e shohin si një kompromis: Serbia në fakt e njeh Kosovën, kurse Kosova u jep autonomi serbëve ‘të saj’. Megjithatë, kjo qasje ka dobësi. Nga këndvështrimi serb, nuk është kompromis – në fund të fundit, është e qartë se pas njohjes faktike do të duhej të pasonte njohja juridike, ky është kuptimi i planit”, thuhet veç tjerash në analizë, të cilën të plotë e transmetoi Telegrafi.
Jo edhe jo
Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur faktin se është kundër Asociacionit dhe se nuk do të nënshkruajë diçka të tillë, ose edhe të përafërt.
Në një intervistë dhënë gazetares së Radios Evropa e Lirë, Doruntina Baliu, shefi i ekzekutivit ka rikujtuar deklaratën e presidentit Biden ku thuhet që palët e përfshira në dialog duhet të nënshkruajnë marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke.
"Presidenti Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që në qendër e ka njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik, të hiqet njohja reciproke prej qendërs, e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan.
Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera. Dhe ne do duhej që shtetin tonë e atdheun tonë ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai".

