Ambasada Amerikane 'përgatitet' për Asociacionin, brenda pak ditësh fillon diskutimet - NACIONALE

Ambasada Amerikane 'përgatitet' për Asociacionin, brenda pak ditësh fillon diskutimet

1 vit më parë

nga Eriola Cacaj

Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka konfirmuar se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Nga kjo ambasadë kanë treguar se kanë ftuar për takim liderë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë.

Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi.” – kanë bërë të ditur nga ambasada për REL.

Nga ambasada kanë njoftuar gjithashtu se synimi i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”.

Asociacioni i Komunave Serbe vazhdon të jetë një pikë e zezë në dialogun Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Kurti nuk duket i gatshëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Së paku, jo në intervista. Ai është deklaruar pothuajse në të gjitha intervistat kundër “Asociacionit një etnik”.

“Në Kosovë ne nuk mund të kemi një asociacion ose çfarëdo institucioni ose organizate të bazuar vetëm në një etni. Asnjë serbë i Kosovës nuk më ka shkruar letër për të më kërkuar një Asociacion të bazuar në etnicitet. Ata duan punë, drejtësi, por asnjëri nga ta nuk e do këtë Asociacion. Është Beogradi që insiston në të” – theksoi Kurti për Al Jazeeran.

Mirëpo ndër të tjera Kurti më 12 janar gjatë vizitës në Austri ka thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti [Marty] Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti.

Escobari shumë i qartë për Asociacionin

Ndryshe nga liderët institucional të Kosovës, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ai ka thënë se Kosova duhet të fillon menjëherë me formimin e asociacionit.

Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – k thënë Escobar.

Diplomati amerikan ka treguar se asociacioni do të ndihmonte rregullimeve e raporteve ndërmjet grupeve entnike në Kosovë.

Unë e shoh këtë si mundësi për t'i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.”, është shprehur Escobar.

Ai ka mohuar se Asociacioni mund të jetë një kopje e Republikës Srpska.

“Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”, ka thënë diplomati amerikan.

Lajme të ngjashme