"Nuk e kemi refuzuar": Pse nuk po veprohet për propozimin franko-gjerman dhe çka po e pengon atë? - NACIONALE

"Nuk e kemi refuzuar": Pse nuk po veprohet për propozimin franko-gjerman dhe çka po e pengon atë?

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Tashmë çdo ditë e më shumë po zbardhen pjesë nga propozim franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Fillimisht, ishte kryeministrit i vendit, Albin Kurti, që theksoi se ky propozim nuk është refuzuar, duke lënë të kuptohet se ka qenë i favorshëm ndaj Kosovës. Pastaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dha edhe hollësi të tjera. Sidoqoftë, pse ky plan nuk po shtyhet përpara dhe çfarë pritet?

Propozimi franko-gjerman është bërë pjesë e opinionit publik tash e një muaj. Çdo ditë e më shumë po dalin hollësi nga ky propozim.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova nuk e ka refuzuar planin, ndonëse nuk dha hollësi të tjera për këtë propozim, por vetëm ka thënë se Serbia e ka refuzuar planin dhe se situata në veri është si pjesë e këtij refuzimi.

Ata e kanë refuzuar planin, por duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje"- ka thënë Kurti.

Pra ata (këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman Scholz) kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia, por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin”- ka thënë ai.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se plani franko-gjerman është i mirë për zgjidhjen e problemeve Kosovë - Serbi dhe se Kosova e ka të vështirë t’i thotë jo.

Të gjitha ato rezervat që i kemi, paraprihen prej fjalisë me të cilën fillon që ky është një plan, në bazë, është një plan i mirë për t’i zgjidhur deri në njohjen e plotë në relacionin në mes të Kosovës dhe Serbisë”- ka thënë Konjufca në Rubikon.

Më tej, Konjufca ka thënë se Kurti i ka dërguar komentet e tij për këtë propozim.

Çka thonë njohësit e politikës?

Sa i përket planit franko-gjerman, njohësit e zhvillimeve politike në vend kanë mendje të ndara. Disa nga ta thonë se as vetë Kosovës nuk i ka pëlqyer ky plan dhe se vendimi për targat është marrë për ta refuzuar këtë plan.

Njohësi i politikës, me të cilin bisedoi Nacionale, Petrit Zogaj, ka thënë se propozimi franko-gjerman duhet të merret seriozisht.

Tashmë ka një pranim nga të gjitha palët, përfshirë ShBA-në dhe BE-në, që ekziston një plan franko-gjerman në procesin e dialogut Kosovë - Serbi, por që nuk ka një konfirmim se për çfarë drafti saktësisht po flasim. Nëse i referohemi një publikimi që është bërë nga disa medie në Kosovë, duket që ai plan është një bazë solide që Kosova të merret seriozisht me të dhe të përpiqet që ta marrë maksimumin në proces të dialogut”- ka thënë ai për Nacionalen.

Zogaj tutje theksoi se Qeveria dhe partitë opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për planin franko-gjerman teksa i ka kritikuar dallimet mes deklaratave të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi rreth propozimit.

Në këtë situatë, është e pritshme dhe e përgjegjshme që Qeveria e Kosovës e, nëse është e nevojshme, edhe partitë opozitare, që të diskutojnë, analizojnë dhe të ndërtojnë një qëndrim karshi këtij plani franko-gjerman dhe të jenë të hapura për dialog. Është absolutisht e papërgjegjshme që të shohim deklarata komplet kontradiktore, sikur ato të zv.kryeministrit Bislimi, ku thotë që “plani më shumë i ofrohet pozicionit serb” dhe atij të kryeministrit Kurti që “plani është bazë e mirë”. Kjo qasje është e papranueshme dhe e dëmshme”- ka thënë ai.

Ndërsa politologu Shkodran Ramadani ngre dyshime se Kurti ka refuzuar një pjesë të planit franko-gjerman duke marrë vendim për ndërrimin e targave ilegale.

Tashmë është e qartë që targat kanë rënë ndesh me Planin Franko-Gjerman. Për nga rëndësia, Plani Franko-Gjerman është gjithëpërfshirës dhe makro-politik (që, mes tjerash, e rregullon edhe çështjen e targave), kurse targat janë vetëm sektoriale dhe mikro-teknike. Pra, nëse plani i madh është i mirë për ne, pse duhej Albin Kurti ta bllokonte atë me targat e vogla? Pyetja është pse Albin Kurti favorizoi një pjesë (targat) të planit Franko-Gjerman kundrejt planit si tërësi? Ka veç një arsye: sepse ai mendon se ky plan është i keq dhe i dëmshëm për Kosovën. Prandaj i përdori targat si instrument për pengimin e tij”- ka shkruar Ramadani në “Facebook”.

Tutje ai thotë se Kurti e pranoi propozimin franko-gjerman, pasi mbeti pa mbështetje të ndërkombëtarëve.

Planin franko-gjerman nuk është bërë publik akoma. Deri më tani, Qeveria Kurti ka treguar shumë pak, gati hiç, për këtë plan.

Lajme të ngjashme