Kurti e Bislimi në linja të kundërta për planin franko-gjerman - Kush e ka "mirë"?
Plani franko-gjerman tash e sa javë është kryefjalë në mediat kosovare dhe jo vetëm.
Një dokument ky, ku parashihet marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, e planifikuar të nënshkruhet deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, dy personat më të rëndësishëm të ekzekutivit tonë kanë pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Ose të paktën kanë deklaruar kështu.
Me datën 28 të muajit që lamë pas, zëvendës-kryeministri Bislimi, teksa fliste për këtë plan, thoshte se më shumë u afrohet interesave të Serbisë.
Siç precizonte saktë ai, synim i palës kosovare është që në dokumentin respektiv të ketë njohje reciproke në qendër.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdoshmërisht modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të asaj marrëveshje s’janë të përfshira në këtë iniciativë. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë,” - pat thënë z. Bislimi.
Megjithatë, në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, ku foli rreth zhvillimeve të fundit në veri, komentoi edhe planin franko-gjerman.
Ai tha se i gjithë organizimi për t'i liruar institucionet kosovare është veç për një gjë, për të destabilizuar situatën e për të mos e pranuar këtë dokument, që sipas tij, veçse e kanë refuzuar.
“Unë e thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin. Por, për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin. Por, duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje", tha fillimisht i pari i qeverisë, duke vazhduar më pas:
“Unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Korniza e përgjithshme e marrëveshjes ka qenë pika e parë më 18 gusht në Bruksel. Deri më tani kemi pasur dialog për proces, por jo për marrëveshje. Më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardh në zyrën time këtu e më pas shkuan në Beograd këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman… Pra ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtet e mia por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin. Por në Beograd i thanë jo, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së tyre” - shtoi tutje ai.
Sipas kësaj deklarate nënkuptohet që dy koment është i favorshëm për ne. Pra me bazë të mirë e me vlera.
"Kujtesa"
Të menjëhershëm qenë reagimet. Fillimisht zyrtari i PSD-së, Nol Nushi përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", ka thënë se deklaratat e kryeministrit dhe zëvendës-kryeministrit janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Kurti u shpreh se nuk e kishte kundërshtuar planin franko-gjerman, dhe se ai ishte “hap në drejtim të duhur”.
Po ashtu, kryeministri e denoncoi Serbinë si palën që po e refuzonte planin dhe po e maskonte këtë refuzim me veprimet në veri të Kosovës.
Ndërkohë, Bislimi kishte deklaruar se “propozimi franko-gjerman është shumë më afër asaj që dëshiron Serbia më 28 tetor.
“Kush po rrenë?” – pyet aktivisti socialdemokrat, Nushi.
“Brenda 10 ditëve kemi dy qëndrime komplet të kundërta karshi planit franko-gjerman", shkroi ndër të tjerash ai.
I së njëjtës linjë me Nushin ishte edhe gazetari Bekim Kabashi.
Ky i fundit tha se nëse duhet besuar Bislimin, atëherë Kurti ka pranuar një plan që i afrohet më shumë Serbisë.

