Zhvillimet në Veri, Presidentja Osmani pret në takim Xhelal Sveçlën - NACIONALE

Zhvillimet në Veri, Presidentja Osmani pret në takim Xhelal Sveçlën

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.

Këtë e konfirmoi zyrja e presidentes përmes një komunikate për media, të publikuar vetëm para pak çastesh.

Siç bëhet e ditur, ky takim ka qenë në kuadër të informimit për zhvillimet në veri të vendit.

Ministri Sveçla e njoftoi të parën e vendit për atë se si rrodhën gjërat gjatë ditës së sotme, teksa kujtojmë faktin se detaje të hollësishme dha edhe gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti.

"Presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës", thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Më poshtë edhe komunikata e plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ministri Sveçla ka njoftuar Presidenten Osmani për hapat e ndërmarra për sa i përket sigurisë publike dhe mbarëvajtjes se funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në veri të vendit.

Presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Konferenca

Në konferencën për media që u mbajt sot dhe e cila pasoi pas mbledhjes së qeverisë, shefi i ekzekutivit komentoi lirimin e institucioneve nga ana e zyrtarëve serbë.

Këta të fundit ai i ftoi që të rikthehen në pozitat paraprake, duke iu drejtuar me atë që mos të bien pre e lojërave politike.

Veç kësaj, ai hodhi akuza në drejtim të Vuçiqit, duke thënë se e gjithë kjo po ndodh për shkak të refuzimit të planit franko-gjerman.

“Unë e thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin. Por, për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin. Por, duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje", tha fillimisht i pari i qeverisë, duke vazhduar më pas për planin franko-gjerman.

Kurti pohoi se kishte vërejtjet e tij për këtë plan, por që nuk e ka refuzuar, sepse sipas tij posedon bazë të mirë.

“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë) por më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhë në zyren time këtu përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez."

Rajoni

Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, përfshirë edhe largimet e serbëve nga institucionet, kanë nxitur edhe reagimin e ndërkombëtarëve.

Përveç BE-së, Amerikës, e shteteve veç e veç, së fundmi kanë reaguar edhe shtetet e rajonit. I gjallë është bërë gjithashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama pas tri ditësh të tensioneve në pjesën veriore të vendit, ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale. Edhe pse reagoi me vonesë, kryeministri i Shqipërisë tha se zhvillimet po i ndjekin me vëmendje të madhe.

Kreu i ekzekutivit shqiptar bëri thirrje për vetpërmbajtje dhe të përkrahet plani franko-gjerman.

“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA dhe BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë”, ka shkruar Rama në Twitter.

Gjithashtu, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka thënë se po i përcjellin zhvillimet e fundit. Ai bëri thirrje që të mos ketë përshkallëzim të situatës.

“Republika e Maqedonisë së Veriut po ndjek me kujdes situatën në veri të Kosovës, përkeqësimi i mëtutjeshëm i së cilës mund të përbëjë një sfidë serioze për stabilitetin e rajonit. Si fqinjë të drejtëpërdrejtë të dy vendeve, apelojmë që të përmbahen nga aktivitetet që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës, ftojmë për kthim në institucionet e sistemit dhe vazhdimin aktiv dhe të menjëhershëm të dialogut që ne mbështesim dhe inkurajojmë fuqishëm”, thuhet në postimin e Bujar Osmanit në rrjete sociale.

Lajme të ngjashme