"Nuk do të ngutesha të bëj vlerësim", "ka dykuptimësi": Deklarimet e Osmanit për draftin e Asociacionit brenda një muaji
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pasi kishte kërkuar draft-statuti i Asociacionit të mos shpallet në harmoni apo me Kushtetutën e Kosovës, tash ka thënë se ka çështje që duhet sqaruar te drafti pasi krijon dykuptimësi. Lexoni në tekstin në vazhdim dy deklarimet e Osmanit brenda një muaji.
Presidentja Vjosa Osmani përsëri është deklarauar rreth draft-statuti të Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Megjithatë, kësaj radhe për dallim nga një deklaratë e para disa jave, presidentja e ka cilësuar njëfarë forme që drafti krijon dykuptimësi.
“Vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë. Pra, në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj, kur të shkojë ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim, se cilat pjesë të atij drafti duhet të sqarohen në mënyrë që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë. Pra, nuk do të ngutesha të bëj vlerësime për përpuethshmerinë, përderisa kjo është detyre e Gjykatës Kushtetuese e paraparë edhe vete në atë proces. Pra, nuk mendoj se është serioze që tani të shpallet në harmoni apo jo.” – thoshte presidentja Osmani para tri jave.
Por tani Osmani ka thënë se ka çështje që duhet të sqarohen në draft të Asociacionit pasi që krijon dykuptimësi.
“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzoj komentet. Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë akterët relevantë të cilët kanë qenë të involuar në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – ka thënë ajo.
“Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese.” – ka thënë Osmani.
Tutje, ajo e ka cilësuar si të padrejtë që drafti i Asociacionit të mos ndahet edhe me liderët e partive opozitare.
“Meqenëse është kërkesë e vet emisarëve ndërkombëtarë që mos t’i bëjmë publike komentet, pa e bërë ata vet publik draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e pa arsyeshme që ky draft mos të ndahet edhe me liderët e opozitës.” – ka thënë ajo.
Ndërkohë, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani rreth draftit të statutit të Asociacionit.
Abdixhiku në Debat Plus të Dukagjinit ka thënë se kjo deklaratë është vazhdimësi e asaj të parës dhe se sipas tij, Kurti e Osmani thonë gjëra të kundërta për Asociacioni.
“Deklarata e presidencës është vazhdimësi e deklaratës së parë, e cila vinte në kohën kur kryeministri i vendit kishte theksuar se atij i kishin thënë, ndonëse për ne ishte e pakuptimë që s’ka mendim vet, se drafti i statutit ishte në përputhje me kushtetutën. E më pas kur ke dy lider institucional që thonë gjërat të kundërta bëhet një gjë shumë e rëndësishme, ajo gjë është të ndahet drafti, së paku akterët në vend, deputetët. I kuptoj rrethanat që dialogu është çështje e interesave nacionale.” – ka thënë ai.




