Kurti e mbron draft-statutin e Asociacionit: Pakrahasimisht më i avancuar, e njeh shtetin e Kosovës
Albin Kurti, kryeministër i Qeverisë së Kosovës, ka dhënë një intervistë për emisionin “Context” të ATV-së, ku ka folur për shumë tema, përfshirë veriun e Kosovës. Në këtë intervistë, Kurti ka folur për zgjedhjet në katër komunat e veriut, duke thënë se Kosova ka ofruar zgjidhje. Natyrisht, shefi i ekzekutivit foli edhe për draft-statutin e Asociacionit, që është tema kryesore politike në javët e fundit. Çka tha Kurti në ATV?
Në hyrje të emisionit, Kurti foli për takimin që kishte me ndihmësekretarin James O’brien, duke treguar se çfarë foli me zyrtarin amerikan.
“Biseda e sotme (me O’brien v.j.) ka qenë e përqendruar në atë se si duhet ndihmuar Kosova për të avancuar edhe në aspektin e njohjeve ndërkombëtare, të organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë, para së gjithash këtu e kam fjalën për Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO, se si kemi më shumë nevojë për siguri për Kosovën, e në anën tjetër se si përpjekja e Kosovës për integrim evropian dhe euro-atlantik është shumë e lidhur me përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë dhe Administratës Biden për një urë të fuqishme transatlantike.” – tha ai.
Në intervistë Kurti ka përmendur që ka rieskalim të situatës, duke shtuar se edhe faktori ndërkombëtar po pajtohet që Kosova nuk ka faj për këtë rieskalim, por Beogradi.
“Ndërkaq, në anën tjetër, kemi rieskalim për të cilën të gjithë faktorët ndërkombëtarë po pajtohen se jo vetëm që Kosova nuk ka faj, por faji është te Beogradi, i cili ka mbështetur logjistikisht, financiarisht, ushtarakisht, edhe me armatim, edhe trajnime luftarake grupin terrorist të Milan Radojiçiqit, i cili ishte vetëm disa orë në burg ose në stacion të policisë para se të lirohej dhe sot të jetë sikurse secili qytetarë tjetër i Serbisë, që është e patolerueshme për ne e besoj që do të jetë edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha Kurti në emisionin “Context” të ATV-së.
Apologjia e Kurtit
Natyrisht, Kurti foli edhe për draft-statutin e Asociacionit. Në këtë segment të intervistës, Kurti tingëllonte si një apologjet i draft-statutit, duke tentuar të shquante si “pakrahasimisht më të mirë” draft-statutin e Asociacionit në krahasim me Marrëveshjen e 2013 dhe 2015.
Sipas tij, draft-statuti i Asociacionin e pranon shtetin demokratik dhe të pavarur të Kosovës.
“Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj.” – theksoi Kurti.
“Për këtë arsye, edhe unë kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët, që përafroheshin në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015 dhe ku në fakt nuk kishte barazi midis palëve.” – shtoi Kurti.