Presidentja ngurroi që ta shpallte si kushtetues draftin e ri të BE-së: A po dallon Osmani nga Kurti e Konjufca për Asociacionin?
Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk kanë hezituar ta shpallin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës draft-statutin për Asociacionin, të cilët më 21 tetor në Prishtinë e ka sjell “pesëshja e madhe”. Të njëjtën gjë nuk e ka bërë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është me profesion juriste.
Pas takimit me Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, presidentja Osmani ka thënë se nuk do të ngutej për ta shpallur si kushtetues këtë draft.
“Më 21 tetor është dorëzuar një plan i ri nga ana e të dërguarve të posaçëm të BE-së, të shteteve anëtare dhe të SHBA-së. Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëj Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kështu që, unë nuk do të ngutesha me e shpall në përputhje me Kushtetutën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.
Në këtë mënyrë, ajo ka lënë të kuptohet se nuk pajtohet me gjithçka që ka pa në atë dokument.
Madje, ajo ka thënë se nëse ai draft dërgohet në Kushtetuese, ajo do të dërgon edhe komente për të kërkuar se cilat nene duhet të sqarohen.
“Vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë. Pra, në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj, kur të shkojë ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim, se cilat pjesë të atij drafti duhet të sqarohen në mënyrë që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë. Pra, nuk do të ngutesha të bëj vlerësime për përpuethshmerinë, përderisa kjo është detyre e Gjykatës Kushtetuese e paraparë edhe vete në atë proces. Pra, nuk mendoj se është serioze që tani të shpallet në harmoni apo jo”, ka shtuar Presidentja.
Analisti politik Visar Ymeri ka bërë me dije se ky hezitim i presidenten Osmani është një vërejtje për draftin e BE-së.
“Presidentja tha se nuk është bash krejt në përputhje me Kushtetutën. Ose tha se unë nuk ngutna me e quajt në përputhje me Kushtetutën, që i bije një far vërejtje. Nga leximi i saj i vëmendshëm ajo si juriste paska ardhur në përfundim se nuk është bash e sigurt se është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Ymeri mbrëmë në emisionin “Debat Plus”.
Ai ka kërkuar nga liderët institucionalë që të jenë më të kujdesshëm me deklaratat e tyre.
“Unë mendoj se në këtë proces kaq të ndjeshme dhe serioz duhet me qenë pak më të kujdesshëm me fljalet që i thonë. Mos me folë fjalë të mëdha shpejt, se tani po duhet me hangër. Duhet me u kujdes më shumë se çka po flasin, sepse kanë hyr në një proces në të cilin nuk është lehtë me dalë”, ka thënë Ymeri.
Qëndrimet e Kurtit dhe Konjufcës
Ndryshe nga Presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë me dije se drafti i ri është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Në konferencë për media, ai ka thënë se propozimi parasheh që vlerësimin për të ta jep Gjykata Kushtetuese.
“Në takimit e 21 tetorit nga emisarët amerikan dhe evropian na është thënë se drafti për vetemenaxhim, që e kanë sjell, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhet aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë. Pra, që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se dokumentin nuk ka dashur ta nënshkrujë Serbia.
“Ndërkaq dje në samitin e BE në Bruksel, para krerëve të BE-së në ofruam që pra tyre si dëshmitarë dhe si garantues të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të Brukselit të 27 shkurtit, me gjithë aneksin implementues të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin për zbatimin e nënti 7 të marrëveshje në lidhje me nenin 10. Pra, për idenë e vetmenxhiit të shndërruar në propozim”, ka thënë Kurti.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pati thënë të njëjtën gjë.
Ndonëse e kishte pranuar se nuk e kishte shqyrtuar me kujdes këtë plan, ai kishte thënë se ai është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor. Por po, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kufarë niveli i pushtetit në Kosovës. Por, edhe kjo nuk mendoj se është temë e negociatave me Serbinë”, ka thënë Konjufca.