“Shqyrtuam kompetencat ekzekutive të Asociacionit”, “Veç pas nënshkrimit drafti mund të quhet i pranuar”: Çka ndodhi sot në Bruksel? - NACIONALE

“Shqyrtuam kompetencat ekzekutive të Asociacionit”, “Veç pas nënshkrimit drafti mund të quhet i pranuar”: Çka ndodhi sot në Bruksel?

9 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Transparenca për “mashallah”; e konsistenca edhe më “mozvet”.

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte në Bruksel ku u takua veç me ndërmjetësin sllovak, Miroslav Lajçak, me të cilin tha se çka-e-mos kanë diskutuar – përveç Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Homologu i tij serb, Petar Petkoviq, ndërkaq tha se kanë diskutuar çka-e-mos për draftin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, për të cilin draft i ka sjellë nga Beogradi plot 18 ekspertë për secilin Nen të shkruar në tekst.

Por, jo vep për secilin Nen, por edhe “për secilën kompetencë ekzektuive”, tha Petkoviq mëse i bindur para gazetarëve serbë.

Bislimi ndërkaq, ndonëse thotë se Kosova ka pranuar Draftin dhe ka dërguar komentetet e veta, thotë se “nuk nis puna (e zbatimit) pa nënshkrim” duke i qëndruar linjës më të re të Kurtit i cili supozon se “nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim”; ndonëse këtë siguri epistemologjike të tij s’e ndan askush, askund, assesi.

Bislimi – nëse mund t’i besojmë fjalës së tij siç e ka transmetuar RTK-ja, ngase nuk e kemi të dëgjuar e as gjetur me audio/video prononcimin e tij – ka thënë se drafti i Asociacionit “mund të konsiderohet i pranuar nga Qeveria e Kosovës atëherë kur draft të nënshkruhet bashkë me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin implementues”.

Çka thanë Bislimi e Petkoviqi, dhe kush (s’)po thotë çka?

Petkoviq tha se drafti i Asociacionit, që në takimin e tij me Lajçakun ishte kryepika, “duhet të përfaqësojë boshtin” e marrëveshjeve të 2013 dhe 2015, për çka tha se me vete morri 18 ekspertë të fushave të ndryshme nga Beogradi.

Hapi i parë, tha ai duke përfaqësuar qëndrimin e Beogradit, “është formimi i Asociacionit” dhe se në takimin e sotëm ishte “hapi i parë konkret”.

Petkoviq, në zhanrin e mellodramatistit, falënderoi ekspertë serbë, për të cilët tha se “folën qartë për aspektet e draft-Statutit e në veçanti për fuqitë/pushtetet ekzekutive të Asociacionit – planifikimin hapësinor, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe gjënë më të rëndësishme – financimin e tij nga Beogradi”.

Petkoviq s’ju shkëput deklarimeve për “ekspertë” vazhdimisht teksa tha edhe se “eskpertët tanë gjithashtu folën me eskpertë të BE-së për të gjitha pikët në agjendë”.

(...)sepse Asociacioni është një dokument ekstremisht i rëndësishëm për neve dhe ne përkujdesemi për secilën shkronjë të saj, sepse duhet të përfaqësojë tamam kurrizin e Asociacionit sipas marrëveshjeve të 2013 dhe 2015”, ka thënë Petar Petkoviq.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, doli me një komunikatë për media me një gjuhë të stërburokratizuar ku referencat janë veç “neni 7” dhe “neni 10” teksa thanë se “ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve”.

Por, në takimin e Bislimit me Lajçakun, tha ZKM, sërish në gjuhë stërformale, se “Draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve”.

Sërish, ZKM shkruan se janë të interesuar “për nënshkrim” siç ishin më 26 tetor në Bruksel në takim me Kancelarin Federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

Këto tre të fundit i kanë kërkuar që “formalitetet që kanë të bëjnë me aspekte të miratimit (lexo: nënshkrimi) nuk duhet të shërbejnë si pengesë në zbatimin e obligimeve”; duke ia flakur tutje Kurtit këmbënguljenb për firmosje me dorë të dokumentit dhe duke i qëndruar nënshkrimit verbal të marrëveshjes.

Bislimi, ndërkaq ka thënë se “drafti (i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe) që i është sjellë Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë përgatitjes të neneve të veta, ka pasur një kujdesë të shtuar për provizionet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, këtë e vendos Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovë”.

Bislimi, gjithnjë sipas RTK-së, ka thënë se “drafti mund të quhet i pranuar... kur ky draft të nënshkruhet bashkë me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin implementues”.

Lajme të ngjashme