Çka duhet të dijë populli për draftin e Asociacionit që u publikua nga Ramadani? - NACIONALE

Çka duhet të dijë populli për draftin e Asociacionit që u publikua nga Ramadani?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drafti i Statutit të Asociacionit – i pretenduar të jetë ai i pesëshes euro-amerikane – tashmë është publikuar. Qoftë publikimi, qoftë komentimi, qoftë përmbajtja, qoftë ‘qoftet’ brenda saj janë të çuditshme. Çka mësuam pasi e lexuam për herë të parë?

Drafti në fjalë u publikua në faqen e Burim Ramadanit, një komentatori të fushës së sigurisë me prapavijë në inteligjencë dhe politikë. Peter Stano, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, u shpreh ses’e dinte kush ishte z. Ramadani dhe s’shihte arsye të komentonte mbi diçka që ai pretendonte apo publikonte.”

Qeveria jonë nuk flet. Për aq sa dihet, nuk ka folur as Serbia. Por, çka na ‘flet’ drafti i Statutit të Asociacionit që pretendohet të jetë pranuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia?

Këtu do të provojmë ta ‘vizatojmë’. Pra, nga ajo që shkruhet në draft-statut dhe duke operuar me atë që e mendojmë si imagjinatë kolektive – pa prekur aspektet juridike – do të provojmë të tregojmë se çka ndodh nëse e gjithë ajo që shkruhet në draft-statut bëhet realitet.

Së pari, statuti në fjalë do t’i shkojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese siç i kishte shkuar edhe drafti i vitit 2015. Dhe, menjëherë pasi Kushtetuesja e shqyrton – brenda 40 ditësh pasi del në faqen e saj – duhet të mbahet një seancë e Kuvendit të Asociacionit që e themelon Asociacionin.

Por, Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë fushëbeteja mes Kosovës dhe Asociacionit. Po, është menduar edhe për një gjë të tillë. Është menduar mirë bile. S’është e mundur që të mos ketë grindje e përplasje. Dhe që të zgjidhen grindjet e përplasjet mes Kosovës dhe Asociacionit duhet të themelohet një Komision i Arbitrazhit. Një arbitër do ta prezantojnë institucionet tona, një Asociacioni dhe i fundit do të jetë kryesuesi që vjen si rezultat i konsensusit mes neve dhe atyre.

Por, a mund të ketë konsensus për kryesues të Komisionit të Arbitrazhit mes Kosovës dhe Asociacionit? Vështirë. E meqë është vështirë, draft-statuti ka menduar edhe për këtë gjë. Nëse s’arrihet konsensus, kryesuesin e Arbitrazhit e cakton BE-ja.

A po e kuptoni? Pra, Kosova dhe Asociacioni kanë një mosmarrëveshje. Atë mosmarrëveshje e çojnë në Arbitrazh. Aty janë tre vetë. Një kosovar, një serb dhe një tjetër. Me këdo që bëhet ky tjetri, ajo palë fiton. Pra, do të kemi lëndë të madhe për debate të përnatshme televizive.

Të kalojmë më tej. Drafti i statutit i jep Asociacionit edhe një dimension gjeografik. Mitrovica e Veriut përcaktohet si qendër administrative. Pra, si vendi ku do të jetë administrata qendore e saj. Pra, Mitrovica e Veriut si në farë kryeqyteti. Më tej, dimensionin gjeografik e kuptojmë edhe te kompetenca që i jepet katër komunave veriore që të propozojnë kandidatin për komandant të Policisë. E çka nëse këto katër komuna s’duan të jenë pjesë e Asociacionit?!

Në këtë draft-statut ekziston edhe termi “full overview” (mbikëqyrje e plotë) për të cilin Gjykata Kushtetuese kërkonte shpjegime të mëtejme në vitin 2015. Këto shpjegime janë dhënë. Sipas draftit, kjo mbikëqyrje e plotë nënkupton “rregullimin, organizimin, koordinimin dhe kryerjen e punëve”. E kjo mbikëqyrje e plotë si funksion i Asociacionit do të bëhet në arsim, kujdes shëndetësor e social primar e sekondar, zhvillim ekonomik lokal, planifikim urban dhe rural.

Sa i përket organeve, Asociacionin mund ta kuptojmë me alegorinë e një shteti me një model presidencial.

Asociacioni do të ketë – siç e kuptuat tashmë – Kuvend. Dhe përveç Kuvendit do të ketë President, bord, komitet këshillues, administratë dhe zyre për ankesa.

Presidenti do të jetë njeriu më i fuqishëm i Asociacionit. Ndërkohë, do të kemi edhe një – kushtimisht thënë – kryeministër si nëpër sisteme presidenciale. Pra, në televizor të na del presidenti i Asociacionit. Ndoshta përnatë. Kryesuesi do të jetë kryesuesi i bordit, e bordi është qeveria. Kuvendi në anën tjetër do të përbëhet nga asamblistët e kuvendeve komunale. Secila komunë nga pesë. Nëse dhjetë komunat me shumicë serbe marrin pjesë në Asociacion, atëherë i bjen që Asociacioni t’i ketë 50 delegatë. Çka është komiteti këshillues? Në këtë farë komiteti do të jenë 30 anëtarë, përfshirë edhe krejt kryetarët e komunave anëtare. Por, pjesa tjetër duhet të pasqyrojë një farë diversiteti etnik.

E gjithë puna e Asociacionit për dy vjet do të minotorohet nga BE-ja. Ndoshta, sa për t’i dhënë një farë sigurie Kosovës? Kushedi. BE-ja për më tepër duhet që të rishikojë edhe buxhetin e saj të paktën në pesë-vjetorin e parë. Buxhet që lejon edhe financimin nga Serbia, natyrisht.

Çka të themi tjetër? Kësaj here asgjë.

Lajme të ngjashme