"Foreign Affairs" alarmon për zhvillimet në Ballkan: ShBA dhe Evropa me vija të kuqe ndaj provokimeve serbe
Magazina amerikane Foreign Affairs e ka publikuar një artikull të gjatë kushtuar tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe rreziqeve të mëdha që i kanosen edhe vetë NATO-s nëse vazhdon qasja aktuale ndaj Beogradit. Çka thuhet në këtë artikull?
Artikulli është i titulluar “Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë” dhe flet për interesin e madh që e ka Rusia për të eskaluar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithçka nis me ushtrinë serbe që në fund të shtatorit, pas sulmit në Banjskë, i ishte afruar kufirit të Kosovës në numra goxha të mëdhenj. “... është pjesë e zhvillimit alarmues në Ballkan” – thotë artikulli i shkruar nga David Shedd dhe Ivana Stradner.
Në fakt, i gjithë toni i artikullit është alarmues. Aty theksohen qëllimet destabilizuese të presidentit Vuçiq, por kësaj i shtohet edhe qëllimi tjetër – i lidhur me Kremlinin – e që është “turpërimi i NATO-s.”
Autorët thonë që është më se e nevojshme që tash – para se të jetë vonë – ShBA-ja dhe Evropia t’ia bëjnë të qartë Beogradit dhe Moskës se “do të reagojnë fort, dhe me ashpërsi, ndaj provokimeve të ardhshme në Ballkan. Ata duhet ta forcojnë praninë e NATO-s në rajon dhe të vendosin vija të kuqe kredibile të cilat Serbia s’mund t’i kalojë pa provokuar një konfrontim ushtarak me forcat e NATO-s.”
Alarmi i autorëve më tej bëhet edhe më konkret. Pasi e cilësojnë Vuçiqin një oportunist dhe i përmendin qëllimet e shprehura më 2018 për një marrje të mundshme të territoreve brenda Kosovës, ata thonë këto fjalë:
“Me Perëndimin të zënë me furnizimin e Ukrainës, mbështetjen e Izraelit dhe frenimin e Kinës, Vuçiqi beson se mundësia e tij për të kryer operacione në Kosovë mund të vijë së shpejti.”
Por, çka po kërkon Moska në gjithë këtë punë? Çështja është pra është goxha më thellë. Sipas artikullit, qëllimi i Moskës është që të kthehet si negociatori më i besueshëm i konfliktit në Ballkan në mënyrë që pastaj të merrte koncesione të rëndësishme.
“Në fund të fundit, nëse paqja në Ballkan varet nga Putini, zyrtarët e NATO-s do të detyrohen që të bëjnë koncesione ndaj Moskës nëse duan të shmangin luftën.” - shkruhet tutje.
Por, fjalitë më shqetësuese dhe alarmuese janë si vijon:
“...ai (Putini) po ashtu shpreson që të tregojë se NATO-ja është tigër prej letre dhe se nuk do të veprojë me vendosmëri nëse testohet seriozisht. Dhe, edhe nëse NATO-ja lufton kundër Serbisë, Putini megjithatë mund të fitojë. Duke e hapur një front tjetër, Perëndimi do të kishte kapacitet më të vogël për ta ndihmuar Ukrainën.”
Artikulli tutje paralajmëron se nëse Perëndimi vazhdon qasjen e butë ndaj Vuçiqit, ai thjesht do të “trimërohet”.
Në këtë artikull që u botua sot, kërkohen veprime të menjëhershme nga ana e ShBA-ve dhe BE-së. Një nga këto veprime është edhe që të luftohet propaganda ruse dhe propaganda serbe përmes ekipesh që do ta bënin këtë punë.
“Për ta bërë një gjë të tillë, krejt çka duhet të bëjnë është ta flasin të vërtetën: Putini i ka duart e mbushura me një luftë që po e humbet kundër Ukrainës, dhe nuk do të ofrojë resurse për Serbinë për një konflikt të armatosur me Kosovën. Si provë, këto ekipe mund të përmendin luftën e shtatorit mes Armenisë dhe Azerbaixhanit. Rusia është aleat tash e shumë kohë i Armenisë, dhe pavarësisht kërkesave të kësaj të fundit, Rusia nuk dha ndihmë ushtarake, dhe Armenia humbi.”
A duhet të shqetësohemi?
Megjithëse trupat e NATO-s në Kosovë janë shtuar. Ky shtim është shumë më i vogël dhe nuk e ka zmbrapsur Serbinë nga retorika luftënxitëse e nacionaliste kundër Kosovës. Vendosmëria është shtuar vetëm në nivelin diplomatik në përpjekje për të nisur zbatimin në marrëveshjen e Ohrit.
Autorët e këtij artikulli kanë përmendur po ashtu edhe shpërfilljen e qëllimeve të Perëndimit nga Kosova “me raste” duke përfshirë këtu kërkesën për themelimin e Asociacionit dhe vendosjen e kryetarëve në ndërtesa komunale përmes zyrtarëve policorë. Por, ata thonë se asgjë nga sjellja e Kosovës nuk e justifikon fushatën “de fakto të Serbisë për të minuar pavarësinë e saj.”
