Kur informacioni nuk mjafton: A po e ndryshon komunikimi shëndetësor sjelljen e qytetarëve në Kosovë? - NACIONALE

Kur informacioni nuk mjafton: A po e ndryshon komunikimi shëndetësor sjelljen e qytetarëve në Kosovë?

49 minuta më parë

nga NACIONALE

Një mesazh i qartë mund të jetë hapi i parë drejt një kontrolli që shpëton jetë.

Hulumtim: Qëndresë Uka-Matoshi

Çdo vit, mijëra qytetarë në Kosovë diagnostikohen me kancer, sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe sëmundje kronike të mushkërive. Shumë prej tyre i drejtohen mjekut vetëm kur sëmundja ka avancuar, ndonëse një pjesë e barrës së këtyre sëmundjeve mund të ulet përmes parandalimit, zbulimit të hershëm dhe trajtimit në kohë.

Në nivel global, sëmundjet kronike jo-ngjitëse janë përgjegjëse për rreth 74 për qind të të gjitha vdekjeve. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e këtyre vdekjeve mund të parandalohet përmes reduktimit të faktorëve të rrezikut, ndërhyrjeve të hershme dhe politikave të shëndetit publik.

Edhe në Kosovë institucionet shëndetësore organizojnë fushata, publikojnë statistika dhe përcjellin mesazhe për parandalimin dhe kontrollet shëndetësore.

Por pyetja mbetet: a mjafton që qytetarët të marrin informacion? A u tregojnë mesazhet publike jo vetëm pse duhet të kontrollohen, por edhe kur, ku dhe si duhet të veprojnë?

Ky hulumtim shqyrton mënyrën se si institucionet, profesionistët shëndetësorë dhe mediat komunikojnë për sëmundjet kronike jo-ngjitëse dhe nëse ky komunikim po arrin ta shndërrojë informacionin në veprim.

Sepse në shëndetin publik, qytetari nuk ka nevojë vetëm të dijë se çfarë është një sëmundje. Ai duhet të dijë edhe çfarë mund të bëjë sot për ta parandaluar ose zbuluar atë në kohë.

“Komunikoni drejt dhe thjesht”

Në vitin kur mendoi se beteja kishte përfunduar, profesoresha Lindita Rugova mori një lajm që askush nuk dëshiron ta dëgjojë: kanceri i gjirit ishte rikthyer.

Për herë të dytë, jeta e saj u nda mes analizave, trajtimeve dhe pritjes. Por, kësaj radhe ajo nuk po luftonte vetëm për veten. Luftonte edhe për dy fëmijët e saj dhe për një mesazh që dëshiron ta përcjellë te gratë e tjera: koha ka rëndësi.

“Kur u përballa me diagnozën për herë të parë, mendova se e kisha fituar betejën përgjithmonë. Rikthimi i sëmundjes më mësoi se kujdesi ndaj shëndetit nuk përfundon kurrë.”

Për të, komunikimi për shëndetin duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe i përshtatur me nevojat e njerëzve.

“Mesazhet duhet të jenë të qarta dhe të thjeshta. Njerëzit duhet të ftohen në takime informuese, ndërsa profesionistët duhet t’u japin shpjegimet e nevojshme. Komunikimi duhet të përshtatet sipas pacientit, moshës, nivelit të arsimimit dhe nevojave të tij.”

Rugova beson se edhe mesazhet motivuese kanë rëndësi.

“Unë jetoj me kancer prej 15 vitesh dhe vazhdoj të jetoj me të. Jam më e fortë se guri dhe nuk më mposht.”

Por, historia e saj ngre edhe një pyetje tjetër: nëse informacioni për parandalimin ekziston, pse ka ende kaq shumë raste që diagnostikohen vonë?

Të dhënat ekzistojnë, por a po shndërrohen në veprim?

Sipas të dhënave të fundit në dispozicion nga institucionet shëndetësore të Kosovës, çdo vit regjistrohen mijëra raste të reja të kancerit.

“Raporti i Sëmundjeve malinje për periudhën janar-dhjetor 2025” i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 në Kosovë u regjistruan 3775 raste të reja të kancerit. Në vitin paraprak, 2024 ndërkaq, u regjistruan 3644 raste.

Kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundjet kronike të mushkërive lidhen ngushtë me faktorë rreziku si përdorimi i duhanit, ushqyerja jo e shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i alkoolit.

Institucionet shëndetësore dhe partnerët ndërkombëtarë zhvillojnë fushata për parandalimin, kontrollet dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve. Por komunikimi publik shpesh bëhet më intensiv gjatë ditëve ose muajve ndërkombëtarë të sensibilizimit.

Në pjesën tjetër të vitit, vëmendja publike shpesh zbehet.Kjo është një nga dobësitë kryesore të komunikimit shëndetësor: sëmundjet kronike janë të pranishme gjatë gjithë vitit, ndërsa komunikimi për to shpesh është sezonal.

Në rrjetet sociale, mesazhet për parandalimin shpesh përqendrohen në ditë të veçanta ndërkombëtare. Në media, vëmendja drejtohet më shpesh te mungesa e barnave, problemet në sistem, rastet tragjike ose zhvillimet e reja.

Këto tema janë të rëndësishme. Por raportimi për shëndetin nuk mund të kufizohet vetëm te momentet kur sistemi dështon.

Një qytetar duhet të dijë edhe:

  • në cilën moshë duhet të kryejë një kontroll;
  • ku mund të drejtohet;
  • sa shpesh duhet ta bëjë;
  • cilat shenja nuk duhet t’i neglizhojë;
  • dhe cilat janë hapat konkretë që mund t’i ndërmarrë.

Një mesazh si “Kontrollohuni” është i rëndësishëm, por shpesh nuk mjafton.

Nga “Kontrollohuni” te “Ja çfarë duhet të bëni”

Ekspertët e komunikimit shëndetësor thonë se një fushatë nuk duhet të matet vetëm me numrin e postimeve, videove apo aktiviteteve të organizuara.Pyetja kryesore është: a ka ndryshuar diçka në sjelljen e qytetarëve?

Sipas magjistres së komunikimit Teuta Berisha, komunikimi për shëndetin duhet të jetë një proces i vazhdueshëm që ndërton besim dhe krijon zakone të reja.

“Komunikimi efektiv nuk matet me numrin e postimeve apo fushatave, por me ndryshimin që arrin të prodhojë në sjelljen e njerëzve. Kur mesazhet shfaqen vetëm gjatë muajve të ndërgjegjësimit, ato rrezikojnë të perceptohen si ngjarje kalimtare.”

“Qytetari duhet të kuptojë se çfarë duhet të bëjë, kur duhet të veprojë dhe pse ai veprim është i rëndësishëm për shëndetin e tij.”

Një mesazh i tillë është shumë më konkret:“Bëni kontrolle të rregullta”, krahasuar me:“Kontaktoni Qendrën e Mjekësisë Familjare, informohuni për kontrollin që rekomandohet për moshën tuaj dhe caktoni termin.”

Ndryshimi i sjelljes kërkon përsëritje, besueshmëri dhe udhëzime konkrete.

Çfarë thonë qytetarët?

Për qytetarët, problemi nuk është gjithmonë mungesa e informacionit.

A.B., 53 vjeç nga Prishtina, thotë se informacionet për kancerin i merr kryesisht nga televizioni dhe portalet.

“Për kancerin dëgjoj zakonisht kur dikush humb jetën. Shumë rrallë dëgjoj çfarë duhet të bëj unë për ta parandaluar.”

L.R., 37 vjeçe nga Prizreni, beson se historitë personale kanë ndikim më të madh se statistikat.

“Kur dëgjon një grua që ka kaluar kancerin dhe sot jeton normalisht, e beson më shumë sesa një poster me numra.”

Edhe E.H., 61 vjeç nga Mitrovica, thotë se gjuha e komunikimit ka rëndësi.

“Kur përdoren vetëm terma mjekësorë, shumica nuk e kuptojnë mesazhin. Njerëzit kanë nevojë për gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme.”

Këto dëshmi nuk përbëjnë një anketë përfaqësuese të popullsisë. Por ato ilustrojnë një shqetësim të përsëritur: qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion që i udhëzon drejt një veprimi konkret.

Ky është dallimi ndërmjet informimit dhe komunikimit efektiv.

“Pacienti duhet të vijë para simptomave”

Për drejtorin e Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Ilir Kurtishi, komunikimi publik për kancerin ka shënuar përparim, por ende ka hapësirë për avancim.

“Informimi është i rëndësishëm, por objektivi kryesor duhet të jetë ndryshimi i sjelljes së qytetarëve, duke i motivuar ata që të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese.”

“Tetori Rozë ka një rol shumë të rëndësishëm në sensibilizimin e popullatës, por kanceri nuk njeh kalendar. Edukimi dhe promovimi i parandalimit duhet të zhvillohen gjatë gjithë vitit.”

Kurtishi kërkon më shumë koordinim ndërmjet institucioneve shëndetësore, mediave dhe profesionistëve.“Komunikimi duhet të bazohet në fakte shkencore, të shmangë krijimin e frikës dhe dezinformatave dhe të promovojë besimin në sistemin shëndetësor dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta”.

Për mjekun familjar Dr. Qerim Haxholli, komunikimi për parandalimin duhet të fillojë para se pacienti të ketë simptoma.

“Mjeku familjar është kontakti i parë me sistemin shëndetësor. Kur qytetarët informohen mirë, ata nuk vijnë vetëm kur janë të sëmurë. Ata vijnë për t’u siguruar se janë mirë.”

“Në vend që t’u themi njerëzve vetëm ‘kontrollohuni’, duhet t’u tregojmë: në cilën moshë, për cilat kontrolle, sa shpesh dhe ku mund t’i bëjnë. Kur mesazhi është konkret, qytetarët reagojnë shumë më tepër.”

Frika mund të tërheqë vëmendjen. Shpresa e nxit veprimin.

Për psikologen Dr. Mimoza Shahini, një nga sfidat kryesore të komunikimit shëndetësor është hendeku ndërmjet asaj që njerëzit dinë dhe asaj që bëjnë.

“Fakti që një person e di se duhet të bëjë një kontroll nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të veprojë.”

Shtyrja e kontrolleve mund të lidhet me frikën nga diagnoza, përvojat negative me sistemin shëndetësor, mungesën e kohës, kostot ose mungesën e një kulture të kontrolleve të rregullta.

Sipas saj, mesazhet që bazohen vetëm në frikë mund të jenë kundërproduktive.

“Kur niveli i frikës është shumë i lartë dhe individi nuk ndien se ka kontroll mbi situatën ose nuk i ofrohet një zgjidhje konkrete, frika mund të çojë në shmangie, mohim ose paralizë psikologjike”.

“Komunikimi që i motivon njerëzit të veprojnë duhet të jetë i thjeshtë, i qartë, pozitiv dhe i përshtatur me situatën në të cilën ndodhet individi. Njerëzit kanë më shumë gjasa të veprojnë kur ndihen të aftë, të mbështetur dhe kur besojnë se veprimi i tyre mund të sjellë një rezultat pozitiv”.

Komunikimi publik duhet të jetë pjesë e parandalimit

Specialisti i Shëndetësisë Publike në IKSHPK, Dr. Faik Hoti, thotë se beteja kundër sëmundjeve kronike jo-ngjitëse duhet të fillojë shumë më herët se momenti kur pacienti hyn në spital.

“Pyetja sot nuk është vetëm çfarë dimë për këto sëmundje, por si komunikojmë lidhur me to. Në shëndetin publik nuk fiton ai që i ka faktet, por ai që arrin t’i shndërrojë ato në sjellje të reja dhe parandaluese.”Sipas tij, shumë qytetarë e dinë se duhani dëmton shëndetin, se aktiviteti fizik është i rëndësishëm dhe se kontrollet mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të disa sëmundjeve.Por informacioni nuk mjafton nëse nuk krijon besim, motivim dhe bindjen se ndryshimi është i mundur.

“Një mesazh si ‘Jetoni shëndetshëm’ është shumë i përgjithshëm. Ndërsa një mesazh që i tregon qytetarit çfarë duhet të bëjë, kur duhet të veprojë dhe pse është e rëndësishme, ka shumë më tepër gjasa të shndërrohet në veprim”.

Sipas tij, komunikimi duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët.

“Komunikimi nuk mund të mbetet përgjegjësi vetëm e institucioneve shëndetësore. Ai duhet të bëhet një aleancë ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, gazetarëve, sistemit arsimor, komunitetit dhe qytetarëve”, Sepse, argumenton ai, “në shëndetin publik, fjala nuk është vetëm mjet informimi, ajo është mjet parandalimi”.

Si raportojnë mediat?

Raportimi mediatik për shëndetin shpesh aktivizohet kur ka një zhvillim të ri: mungesë barnash, protestë pacientësh, problem në sistem ose një rast tragjik.

Por parandalimi kërkon një qasje tjetër.

Një analizë e përmbajtjeve mediatike dhe komunikimit në platformat digjitale duhet të shqyrtojë jo vetëm sa shpesh raportohen temat shëndetësore, por edhe se çfarë lloj informacioni u ofrohet qytetarëve.

Një nga mangësitë më të shpeshta është se artikujt ndalen te përshkrimi i problemit, por nuk i përgjigjen pyetjeve praktike:

  • Çfarë duhet të bëjë qytetari?
  • Kur duhet të kontrollohet?
  • Ku mund të marrë shërbimin?
  • Kujt mund t’i drejtohet për këshillë profesionale?

Gazetari Alban Selimi thotë se shëndetësia nuk duhet të bëhet lajm vetëm kur sistemi dështon.

“Gazetaria ka edhe një mision parandalues. Duke raportuar më shpesh për faktorët e rrezikut, kontrollet parandaluese dhe historitë e suksesit, mediat mund të ndikojnë realisht në mënyrën se si qytetarët kujdesen për shëndetin e tyre”.

“Nëse ndalemi vetëm te kriza, qytetarët mbeten të informuar për problemin, por jo për zgjidhjen. Raportimi për shëndetin duhet të ndihmojë njerëzit të kuptojnë se çfarë mund të bëjnë sot për të parandaluar sëmundjen nesër”.

Një histori e një gruaje që e zbuloi kancerin në fazë të hershme mund të mos marrë aq klikime sa një histori tragjike. Por. ajo mund të ketë ndikim shumë më të madh në vendimin e një gruaje tjetër për të bërë një kontroll.

Në këtë kuptim, media nuk është vetëm vëzhguese e sistemit shëndetësor. Ajo mund të bëhet pjesë e përpjekjes për parandalim.

Çfarë thotë shkenca për komunikimin që ndryshon sjelljen?

Shkenca e komunikimit shëndetësor tregon se njerëzit nuk ndryshojnë sjellje vetëm sepse dëgjojnë një fakt.Ata duhet ta kuptojnë rrezikun, të besojnë se veprimi do të sjellë përfitim, të dinë se si ta ndërmarrin veprimin dhe të mos përballen me pengesa që e bëjnë atë të pamundur.

Kjo është arsyeja pse një mesazh si “Bëni mamografinë” është më pak i dobishëm se një mesazh që i jep qytetarit një rrugë konkrete si: “Informohuni për rekomandimet që vlejnë për moshën dhe rrezikun tuaj, kontaktoni shërbimin përkatës dhe kërkoni këshillë profesionale për kontrollin që ju nevojitet.”Një komunikim i tillë nuk krijon vetëm vetëdije. Ai e lidh informacionin me veprimin.

Studimet ndërkombëtare tregojnë se parandalimi i kancerit dhe zbulimi i hershëm kërkojnë jo vetëm shërbime dhe infrastrukturë, por edhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.

Studimet e International Agency for Research on Cancer (IARC) tregojnë se deri në 40 për qind e rasteve të kancerit mund të parandalohen duke reduktuar faktorët e rrezikut dhe duke investuar në diagnostikimin e hershëm. Megjithatë, përfitimet e skriningut realizohen vetëm nëse qytetarët marrin pjesë aktivisht në programe. Kjo pjesëmarrje nuk arrihet vetëm me infrastrukturë apo pajisje moderne, por edhe me komunikim të vazhdueshëm, të personalizuar dhe të besueshëm.

Pikërisht këtu komunikimi bëhet pjesë e politikës së shëndetit publik.

Çfarë mund të mësojë Kosova nga vendet e tjera?

Përvoja e vendeve evropiane tregon se komunikimi më efektiv nuk mbështetet vetëm në fushata të rastit.

Në Slloveni, programet kombëtare të skriningut DORA për kancerin e gjirit, ZORA për kancerin e qafës së mitrës dhe SVIT për kancerin kolorektal janë të lidhura me komunikim të vazhdueshëm dhe udhëzime të qarta për qytetarët.

Qytetarët nuk marrin vetëm informacion të përgjithshëm për rëndësinë e kontrolleve. Ata marrin ftesa, njoftime dhe udhëzime për mënyrën se si mund të marrin pjesë në programet përkatëse.

Në Kroaci, komunikimi për programet parandaluese mbështetet nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shëndetësore, instituteve të shëndetit publik, mjekëve familjarë dhe mediave.

Mësimi kryesor për Kosovën është i qartë: komunikimi nuk duhet të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm.

Ai duhet të koordinohet ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së, SHSKUK-së, komunave, mjekëve familjarë, mediave dhe organizatave të pacientëve.

Problemi nuk është vetëm mungesa e informacionit

Ky hulumtim tregon se në Kosovë ekzistojnë informacione, statistika, fushata dhe aktivitete të shumta për sëmundjet kronike jo-ngjitëse.

Por hendeku ndërmjet informacionit dhe veprimit vazhdon të jetë i madh.

Mesazhet shpesh janë të përgjithshme: “Kontrollohuni.” “Parandaloni.” “Kujdesuni për shëndetin.”

Ato janë të sakta, por jo gjithmonë të mjaftueshme.

Qytetari ka nevojë për një mesazh që i përgjigjet pyetjeve: çfarë duhet të bëj, kur duhet ta bëj, ku duhet të drejtohem dhe pse duhet të veproj tani?

Nga intervistat dhe përvojat e ekspertëve del një përfundim i përbashkët: komunikimi më efektiv është ai që është i vazhdueshëm, i besueshëm, i kuptueshëm dhe i orientuar drejt veprimit.

Historitë reale mund të krijojnë identifikim emocional. Ekspertët mund të ofrojnë besueshmëri. Mediat mund ta sjellin informacionin te publiku. Institucionet duhet të ofrojnë udhëzime të sakta dhe shërbime të qasshme. Dhe qytetari duhet të jetë në qendër të këtij komunikimi.

Çfarë duhet të ndryshojë?

Nga gjetjet e këtij hulumtimi dalin disa rekomandime:

  • Të hartohet një qasje kombëtare për komunikimin mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse, me komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.
  • Çdo mesazh të ketë një thirrje konkrete për veprim: çfarë duhet të bëjë qytetari, kur dhe ku.
  • Të forcohet koordinimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së, SHSKUK-së, komunave, Qendrave të Mjekësisë Familjare, organizatave të pacientëve dhe mediave.
  • Të fuqizohet roli i mjekut familjar si burim i afërt dhe i besueshëm i informacionit.
  • Të përdoren më shumë histori reale të pacientëve, gjithmonë me respekt për privatësinë, dinjitetin dhe pëlqimin e tyre.
  • Mediat të raportojnë më shumë për parandalimin, faktorët e rrezikut, kontrollet, shërbimet dhe zgjidhjet, krahas raportimit kritik për problemet e sistemit.
  • Të forcohet komunikimi digjital përmes videove të shkurtra, infografikave dhe mesazheve të kuptueshme.
  • Të matet ndikimi i fushatave jo vetëm me numrin e postimeve apo shikimeve, por edhe me ndryshimin e sjelljes së qytetarëve.

Një fjali në kohën e duhur

Historia e Lindita Rugovës tregon se koha ka rëndësi.

Fjalët e mjekëve dhe psikologëve tregojnë se mënyra se si flasim për shëndetin mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj tij.

Eksperienca e gazetarëve tregon se mediat mund të bëjnë më shumë se sa të raportojnë për problemet pasi ato ndodhin.

Dhe përvoja e shëndetit publik tregon se parandalimi nuk ndërtohet me një fushatë të vetme.

Ai ndërtohet çdo ditë: në familje, në shkolla, në qendrat e mjekësisë familjare, në media dhe në rrjetet sociale.

Në çdo vend ku qytetari merr një informacion që mund të ndikojë në vendimin e tij.

Lufta kundër sëmundjeve kronike jo-ngjitëse nuk fitohet vetëm në spitale, klinika dhe laboratorë. Ajo fillon shumë më herët, në mënyrën se si një shoqëri komunikon për shëndetin.

Kur një qytetar vendos të lërë duhanin, të jetë më aktiv fizikisht, të kërkojë këshillë mjekësore ose të marrë pjesë në një program të përshtatshëm parandalues, ai mund të jetë duke iu përgjigjur një mesazhi që e ka bindur se veprimi i tij ka rëndësi.

Prandaj komunikimi publik nuk është vetëm një mjet për të shpërndarë informacion.

Kur ndërtohet mbi fakte, besim dhe empati, ai bëhet pjesë e parandalimit.

Dhe ndonjëherë, një fjali e thënë në kohën e duhur mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi që ndryshon një jetë.

Lajme të ngjashme