Nga “Jo Negociata” në “Më shumë Negociata”: Pse Kurti po kërkon të takohet një herë në muaj me Vuçiqin? - NACIONALE

Nga “Jo Negociata” në “Më shumë Negociata”: Pse Kurti po kërkon të takohet një herë në muaj me Vuçiqin?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar vazhdimisht idenë e negociatave me Serbinë pa u plotësuar disa kushte themelore prej saj. Por, ai së fundi po kërkon negociata më të shpeshta. Pse po ndodh një gjë e tillë?

Kemi shkruar shpesh për shkeljen e qëndrimeve të Albin Kurtit. Ky shkrim nuk ka të bëjë me shkelje, por me ‘kërcim’ në të kundërt të qëndrimit të tij.

Në një konferencë për medie më 6 janar, kryeministri Kurti i tha këto fjalë:

“Ftesë për dialog në Bruksel s’kemi ende. Kjo është pak e çuditshme për mua. Sepse në gusht u morëm vesh për takim çdo muaj. Tash që po bëhen katër muaj nga propozimi, kemi pasur vetëm një takim. Kam pritur intensitet më të lartë nga 18 gushti dhe 9 shtatori i vitit të kaluar,”ishte shprehur ai.

Këto fjalë tingëllojnë çuditshëm nëse njohim historinë e qëndrimeve politike të Kurtit. Ai jo që nuk donte takime të shpeshta me palën serbe, por nuk donte të takohej fare.

Sidoqoftë, po këto fjalë ai i kishte thënë edhe para një muaji e gjysmë gjatë dramës së gjatë të targave ilegale.

Pasi më 21 nëntor kishte shkuar në Bruksel në takimin urgjent për targat e paligjshme të serbëve, Kurti e Kosova ishin qortuar ashpër nga kryediplomati evropian Josep Borrell. Një nga sulmet e Kurtit ndaj Borrellit ishte se... nuk po takoheshin siç ishte paraparë me Vuçiqin.

“Tash ndodhemi ku ndodhemi sepse, pika e parë e kornizës së marrëveshjes praktikisht u braktis bashkë me propozimin (franko-gjerman)... A e mbani në mend se në gusht jemi marrë vesh për takime të rregullta mujore (me Vuçiqin). Kam pritur në shtator s’më kanë ftuar, kam pritur në tetor s’më kanë ftuar... Nëse Parisi Berlini e Brukseli me mbështetjen e Washingtonit sjellin një propozim, dhe dy muaj të mos ketë takim...” – tha Albin Kurti.

A e mbajmë mend? Natyrisht se e mbajmë mend. Siç mbajmë mend edhe grafitet “Jo Negociata!” apo edhe... atë që ndodhi më pas.

Kurti do të harronte këto fjalë e do të arrinte marrëveshjen për targa më 23 nëntor. Megjithëse të gjithë e shihnin se ishte e njëjta që ishte refuzuar më 21 nëntor, Kurti ‘kremtoi’ një fitore. Do të negociohej më shpesh për planin franko-gjerman ashtu siç edhe donte Kurti?

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, po më 21 nëntor do të njoftonte se kishin propozuar bazikisht të njëjtën gjë por me një shtojcë: të niste procesi i bisedimeve bazuar në propozimin e fundit të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Pra, Kurti me vartësit e tij po e festonin pranimin e kësaj pike më 23 nëntor për të fshehur turpërimin në lidhje me çështjen e targave.

Dhe, fjalët e tij të fundit të datës 6 janar i japin jehonë edhe më të madhe atij gëzimi. Nuk është thirrur asnjë takim në Bruksel dhe nuk është përfillur fare ajo që ishte thënë në gusht.

A është ky një dënim për Kosovën?

Deri më tash, nuk dihet. Dy këshilltarët që vijnë nga Presidenca e Francës dhe Qeveria Federale e Gjermanisë – e të cilët e kanë dorëzuar propozimin franko-gjerman në tavolinën e Kurtit më 9 shtator – do të vijnë gjatë kësaj jave në Prishtinë së bashku me nënsekretarin amerikan Derek Chollet.

Por, nëse kjo do t’i japë një dinamikë të re dialogut ashtu siç e kërkon kryeministri Kurti mbetet të shihet.

E deri atëherë, duket se do të kemi “Jo Negociata, Vetëvendosje!”

Lajme të ngjashme