Në mes të "sulmeve", Kurtin përsëri e merr malli për opozitën - diskutohet për situatën në vend
Zhvillimet e fundit në vend e kanë shtyrë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që t'i ftojë për takim udhëheqësit e partive opozitare. Takimi do të mbahet sot më fillim nga ora 08:00. Edhe pse u sulmuan këto ditë, por edhe më parë, kryetarët e partive opozitare i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Kurtit.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar tri partitë opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se do t’i shkojnë në takim kryeministrit Kurti.
Nga PDK-ja kanë thënë se janë të domosdoshme takimet dhe koordinimi i Qeverisë me opozitën dhe me ndërkombëtarët.
“...Prandaj, në këtë situatë, koordinimi mes Qeverisë dhe Opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, duke përfshirë këtu Kuvendin e Kosovës, si dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme”- thuhet në njoftim e bërë nga PDK-ja të hënën.
Edhe LDK-ja ka konfirmuar se zyrtarët e saj do të takohen me Kurtin.
Në një prononcim për Nacionalen, Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së LDK-së, ka thënë se si parti do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.
Ftesën për Nacionalen e ka konfirmuar Lulzim Blaka, drejtor për informim në AAK. Ai ka thënë se ka ardhur ftesa në adresë të kryetarit Ramush Haradinaj dhe se udhëheqësi i partisë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga Kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”- ka thënë Blakaj.
Temë e diskutimit në këtë takim pritet të jenë zhvillimet e fundit në vend, pas largimit të serbëve të Kosovës nga të gjitha institucionet e vendit.
Sulmet e pushtetit ndaj opozitës
Largimi i serbëve nga institucionet ka shaktuar përplasje mes pushtetit dhe opozitës.
Zyrtarë të lartë të Qeverisë Kurti dhe anëtarë të Vetëvendosjes e sulmuan ashpër opozitën ditëve të fundit.
I pari që e filloi gjuhën e ashpër kundër opozitës, ishte aktivisti i LV-së nga Shqipëria, Boiken Abazi, duke thënë se Beogradi, në bashkëpunim me "disa politikanë të korruptuar shqiptarë", po e synon rrëzimin e Qeverisë Kurti II.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se opozita po dëshiron që t’i përmbushen apetitet Vuçiqit.
"Ata duan që t'i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç te pushteti”- ka shkruar Haxhiu.
Edhe Elvis Hoxha nuk mungoi në sulmet ndaj opozitës.
"Haptas e bëjnë mbështetjen për Vuçiqin. Haptas e kanë dëmtuar edhe më parë Kosovën"- ka shkruara para ca ditëve Hoxha.
Edhe deputetë të LV-së u mobilizuan me gjuhë linçuese ndaj opozitës. Deputetja Tinka Kurti, Arjeta Fejza e të tjerë nuk i ndalën sulmet.
Ndaj këtyre sulmeve reaguan partitë opozitare, të cilët e kundërshtuan gjuhën e përdorur ndaj tyre.
Nuk është hera e parë që LV-ja, edhe sa është në pushtet, e sulmon opozitën. Shpeshherë, kjo parti publikon video në të cilat sulmohen opozita dhe qeveritë e kaluara e biznesmenë të ndryshëm.
Çka ndodhi?
Pezullimi i drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq, dhe vendimi i Qeverisë për targat thuhet se janë dy arsyet kryesore, sipas përfaqësuesve serbë të Kosovës që të largohen nga institucionet.
Pas kësaj, Lista Serbe të dielën mbajti një tubim në sheshin e Mitrovicës Veriore, ku i shprehu pakënaqësitë ndaj këtyre vendimeve.
Politikanët serbë i kërkuan themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe tërheqjen e vendimit për targat.
Reagime
Situata e krijuar në veri të vendit e nxiti reagimin e ShBA-së dhe BE-së, të cilët kërkuan që çështjet të zgjidhen përmes dialogut.
ShBA-ja i kërkoi nga Kosova shtyrjen e vendimit për targat dhe themelimin e Asociacionit.
Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, u ka bëre thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që do të nxiste përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.
Po ashtu, edhe shtetet e rajonit, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë kërkuar që çështjet të zgjidhen në dialog.






