Ndërmarrja publike "NKEC" pritet të shuhet: Çka raportoi Nacionale dhe pse nuk e mbylli Qeveria deri tash? - NACIONALE

Ndërmarrja publike "NKEC" pritet të shuhet: Çka raportoi Nacionale dhe pse nuk e mbylli Qeveria deri tash?

2 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës “NKEC” shumë shpejt pritet të mbyllet. “Gjakderdhja financiare” ishte kërkuar që të ndalet kohë më parë, që nga atëherë, kur kompanisë Contour Global për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” i ishte shkëputur kontrata në mënyrë të njëanshme nga Qeveria e Kosovës, përçka Kosova kishte humbur 20 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit.

Nacionale ka mësuar se kjo ndërmarrje do të shuhet dhe se shumë shpejt pritet qe vendimi të shkojë në mbledhje të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, Nacionale me disa shkrime rresht kishte raportuar mënyrën e funksionimit të kësaj ndërrmarje publike dhe që ekzistimi i saj nuk ishte i nevojshëm.

Tash e pesë vite Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës kishte funksionuar pa asnjë problem, pavarësisht se nuk kryente asnjë funksion mbi të cilin ishte themeluar.

Megjithatë, NKEC vazhdoi punën e saj dhe Qeverisë Kurti nuk i bënte përshtypje të ndalet “gjakderdhjen financiare” të cilën premtonte që do ta ndalet gjatë fushatave elektorale.

Bile, Vetëvendosje në një komunikatën më 2019 kishte thënë se NKEC do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.

Përveç kësaj, Qeveria Kurti kishte shkarkuar bordin e kësaj ndërmarrje dhe kishte emëruar bord të ri duke e ditur që nuk ka ndonjë rol kjo ndërmarrje.

Kësisoj, kjo ndërrmarrje publike që nuk kryente kurrfar funksioni, buxhetit të Kosovës i kushtoi gati 700 mijë euro për paga.

Sipas deklarimeve në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), vetëm kosto e pagesave për anëtarët e bordit dhe stafit të ndërmarrjes për vitin 2022, kap vlerën e rreth 96 mijë eurove, ndërsa vetëm Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje kishte pagë mujore prej 2 mijë 000 euro.

Ndërsa Sipas planit buxhetor për vitin 2021, NKEC kishte planifikuar shpenzime prej 702.954.00 euro, prej të cilave 452,970.00 euro për stafin që kishte planifikuar ta angazhojë.

Nacionale ka kontakuar me Ministrinë e Ekonomisë përgjegjëse për ndërmarrjet publike, për të kuptuar më shumë për NKEC, por deri në momentin e publikimit të shkrimit, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Çka ishte NKEC?

Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës [NKEC] ishte themeluar në vitin 2018 si shoqëri aksionare si ndërmjetësuese për energjinë elektrike mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global që kishte për detyrë ndërtimin e Termocentralit Kosova e re.

NKEC ishte themeluar si ndërmarrje mbikëqyrëse për ndërtimin e TC Kosova e Re dhe misioni i saj ishte përmbushja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. NKEC kishte për detyrë që të gjithë energjinë elektrike t’ua shet furnizuesve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës sipas kushteve të marrëveshjes për blerjen e energjisë.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 kishte nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.

Ndërsa në muajin qershor të vitit 2020 kishte njoftuar investitorin Contour Global për ndërprerje të marrëveshjes.

Ky akt i Qeverisë kishte bërë që me datë 19.11.2020, investitori Contour Global të padiste Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kosova kishte humbur arbitrazhin me kompaninë “Contour Global”, me ç'rast u detyrua t'i paguajnë dëmshpërblim 20 milionë euro.

Lajme të ngjashme