Kalimi i përgjegjësive për urën e Ibrit te Policia e Kosovës, Osmani: Ndihmon integrimin e plotë të territorit të vendit
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka komentuar kalimi i përgjegjësive për sigurimin e urës së Ibrit te Policia e Kosovës.
Ajo ka bërë me dije se një gjë e tillë do të ndihmojë edhe më tej integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të Kosovës.
Në profilin e saj në Facebook, Osmani ka shkruar se ky zhvillim është historik.
“Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës janë zhvillime të mirëseardhura, që ndihmojnë edhe më tej integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të vendit tonë. Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Prandaj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë. Mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për të arritur deri këtu, e në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë barrën kryesore për sigurinë në çdo pëllëmbë të territorit tonë dhe për çdo qytetar të vendit tonë”, ka shkruar Osmani.