"Vrima e zezë” e buxhetit: Shoqëria civile kërkon të shuhet ndërmarrja publike NKEC dhe të ndalet politizimi dhe kapja e saj
Tashmë edhe Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) po kërkon që të shuhet Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC) për të cilën ndërmarrje Nacionale ka raportuar në vazhdimësi.
Organizatat e shoqërisë civile janë shprehur të shqetësuara për mosveprimin e Qeverisë së Kosovës ndaj ndërmarrjes publike NKEC e cila shpenzon para nga buxheti i shtetit, por që nuk kryen asnjë punë për qëllimin që ishte themeluar.
“Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mosveprimin e Qeverisë së Kosovës në raport më ndërmarrjen publike Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), e cila kryen shpenzime buxhetore nga paratë publike, ndonëse nuk kryen asnjë funksion në tregun e energjisë në Kosovë.” – thuhet në njoftim.
Më tej, aty thuhet se NKEC nuk ka nisur asnjë operim për tregun e energjisë në vend.
“Megjithatë, NKEC nuk ka nisur asnjëherë operimin efektiv, duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend, përkundër prezentimit të planeve të biznesit tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (Njësia) pranë Ministrisë së Ekonomisë në vitet 2020 dhe 2021.” – thuhet në reagimin e tyre.
Në reagimin e tyre gjithashtu përmendet edhe raporti Zyrës Kombëtare të Auditimit, e që sipas tyre Qeveria duke mos e mbyllur këtë ndërmarrje “ose duke mos i dhënë rol tjetër në tregun e energjisë, po lejon që ajo të jetë barrë buxhetore për vendin.”
“Sipas deklarimeve në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), vetëm kosto e pagesave për anëtarët e bordit dhe stafit të ndërmarrjes për vitin 2022, kap vlerën e rreth 96 mijë eurove, ndërsa vetëm Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje kishte pagë mujore prej 2,000 euro.” – theskohet në komunikatë.
Organizatat GAP, INDP dhe GLPS kanë përmendur edhe komunikatën e Vetëvendosjes për këtë ndërmarrje si dhe emërimin e bordit të ri të kësaj ndërmarrje që ka anëtarë të emëruar në kundërshtim me ligjin.
“Në komunikatën e datës 27 mars 2019 të subjektit politik që sot qeveris me vendin ishte thënë se NKEC “do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.””
“Për më tepër, në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës emëroi anëtarët e ri të bordit të kësaj ndërmarrje, pas shkarkimit të bordit të vjetër, pavarësisht që ndërmarrja mbetet jo aktive. Për më tepër, në bordin aktual ka anëtarë të emëruar në kundërshtin me Ligjin për ndërmarrjet publike. Anëtarja e bordit, znj. Elvisa Destanovic ka garuar me iniciativën “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021. Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në Bordin e Drejtorëve nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.”
“Marrë parasysh argumentet e lartëpërmendura, përmes këtij reagimi, CorrËatch kërkon që Qeveria e Kosovës të vendosë sa më shpejtë lidhur me këtë ndërmarrje, nëse dëshiron t’i ngarkojë një rol në sektorin e energjisë ose ta mbyllë krejtësisht atë, meqë e njëjta është barrë buxhetore e shtetit të Kosovës.” – thuhet tutje.
Ndërkohë, kujtojmë se Nacionale kishte raportuar para një viti për këtë ndërmarrje.
“Gjakderdhja financiare: Ndërmarrja i merr para të majme Kosovës për mbikëqyrjen e Termocentralit që s’ekziston” – është titulli i raportimit të Nacionale të cilën mund ta lexoni më poshtë:

