Ministrisë i vjen ‘marre’ të tregojë sa mërgimtarë i morën paratë e policave kufitare
Transparenca e llogaridhënia mund të themi se janë dy nga fjalët më të përdorura të Qeverisë Kurti përgjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Pavarësisht këtyre ‘trumbetave’ qeveritare, realiteti dhe faktet flasin ndryshe.
Tash e më shumë se dy muaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk ka treguar se sa mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim të mjeteve nga policat kufitare.
Në qershor 2022, ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar se Qeveria do të mbulojë edhe këtë vit policën kufitare për mërgimtarët, mirëpo, forma nuk ishte e njëjtë si vitin e kaluar.
Mërgimtarët fillimisht detyroheshin që të paguanin vetë policën kufitare dhe pastaj të aplikonin për rimbursimin e mjeteve meqë këto mjete do të subvencionoheshin nga qeveria.
Dy muaj pas, Qeveria e as Ministria e Financave, nuk ka treguar për shumën që është subvencionuar për rimbursimin e policiave kufitare për Diasporën. Pra, nuk ka treguar sa qytetarë mërgimtarë kanë marrë barrën për të marrë maksimalisht 20 euro.
A N K E S A
Për dallim nga viti i kaluar, mërgimtarët këtë vit kanë pasur më shumë ankesa për formën që ka zgjedhur qeveria e Kosovës për pagimin e policave kufitare për ta.
Kjo formë ka shkaktuar pakënaqësi te mërgimtarët që vijnë në Kosovë me automjete nga vendet e ndryshme të Evropës.
Mërgimtarët për Nacionale, në disa deklarata të para një jave, treguan se ndryshimi i procedurave ka shkaktuar telashe tek ata dhe se nuk do të aplikojnë për rimbursim të mjeteve për policën kufitare.
Armend Raci, mërgimtar nga Klina, kishte thënë për Nacionalen se nuk ka asnjë informacion se si mund të bëhet aplikimi për rimbursimin e pagesës së policës kufitare.
“Kurrkush s’na ka tregu se ban m’i rimbursu,” - tha Raci, teksa tregoi se ende nuk është rimbursuar për policën kufitare.
Tutje, ai ka thënë se ka paguar 20 euro për polisën për të cilën nuk do të rimbursohet.
“Mu m’thanë parkoje kerrin, prit qaty përpara dhe në të majtë shko bone sigurimin. Shkumë, 20 euro tha osht pagesa për 1 mujë,” ka thënë ai.
Në pyetjen e Nacionales nëse ka bërë kërkesën për rimbursim, ai u përgjigj i habitur.
“Jo. Pse, a ban?!” ishte përgjigjja plot habi e Racit.
Edhe mërgimtarë të tjerë me të cilët ka biseduar Nacionale janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e rimbursimit.
Mërgimtari tjetër, Fatlum Bajrami, pati thënë se procedurat që ka zgjedhur qeveria për rimbursim janë koklavitëse dhe marrin kohë.
“Po, e kemi bo pagesën për policë kufitare. Megjithatë, nuk kemi asnji vullnet për ta bo kërkesën për rimbursim te parave. Njona prej arsyeve pse mendojmë të veprojmë kësisoj, ka t’bojë me faktin se procedurat janë tepër koklavitëse dhe e shohim si shpenzim të panevojshëm të kohës sa jemi në pushim”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe mërgimtari tjetër, Driton Osmani, që ka ardhur për pushime nga Gjermania, u shpreh se është e kotë mënyra e rimbursimit.
“Jo, as që e kam nërmen me e bo kërkesën për me u rimbursu për 20 euro. Aih, krejt e kotë. Çfarti”, ka thënë ai.
P A R E
Ndërkohë, Valon Berisha nga Byroja Kosovare e Sigurimeve [BSK] për Nacionale në deklaratën e tij kishte thënë se kanë blerë policën kufitare mbi 240 mijë persona.
“240 mijë e 802 polica prej 1 janar deri më 1 korrik. Ndërkaq, për periudhën qershor-korrik 154 mijë e 580 kanë blerë policën kufitare”, theksoi Berisha.
Polica e sigurimit që blihet më shumë nga mërgimtarët është ajo me vlerën 20 euro.
Nëse e llogarisim, 240 mijë e 802 shumëzuar me 20 atëherë del që 4 milionë e 816 mijë euro mund të paguaj qeveria për policën kufitare, nëse të gjithë këta aplikojnë për rimbursim.
Këto të dhëna mund të ndryshojnë pasi mërgimtarët vazhdojnë akoma pushimet e ardhjet e tyre në Kosovë.
Kujtojmë që, Qeveria vitin e kaluar kishte ndarë 5 milionë euro për subvencionimin e policës kufitare për mërgimtarët ndërsa këtë vit nuk dihet ende shuma që është paguar apo do të paguhet nga buxheti i shtetit.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm për muajin qershor në Kosovë, në të gjithat pikat kufitare kanë hyrë 1 milion e 125 mijë persona.
Edhe të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës tregojnë për shifra më të mëdha të udhëtimeve këtë vit krahasuar me vitin 2021.
Përndryshe, Qeveria Kurti njihet si mbështetëse e devotshme për mërgimarët. Të enjten me 25 gusht 2022, kryeministri, Albin Kurti, ka ftuar përsëri diasporën që bëhen pjesë e proceseve vendim-marrëse në Kosovë.
Po ashtu, Qeveria Kurti përbëhet nga tre ministra që kanë ardhë nga vendet e Evropës për të derdhur djersë në Kosovë.






