Kurti luan sërish me shifra, teksa kthehet te arma e tij më e fortë, Diaspora - NACIONALE

Kurti luan sërish me shifra, teksa kthehet te arma e tij më e fortë, Diaspora

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur gjërat nuk shkojnë mirë, ose supozohen të jenë ashtu, kthehu te arma jote më e fortë. E për kryeministrin e Kosovës, një e tillë është Diaspora.

Përkundër faktit se edhe partitë tjera kanë filluar të përqendrohen në mërgatë, Lëvizja Vetëvendosje gëzon numrin më të madh të mbështetësve jashtë vendit.

Madje, për shumëkë, bashkatdhetarët tanë e vendosën atë për fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kurti ndërkaq, atëbotë u premtoi atyre edhe ndryshim në ligjin për të votuar, ligj ky që do të stepej ditë më vonë, për shkak të kërkesës edhe të faktorit ndërkombëtar dhe kundërshtimeve të shoqërisë civile e mediave.

"Karvani i Diasporës"

Teksa mori pjesë në aktivitetin “Karvani i Diasporës”, Kurti luajti sërish me shifra, sa për t’i ngazëllyer mërgimtarët e pranishëm.

Ai tha se secili bashkatdhetar është ambasador, dhe se Kosova i ka 1.85 milionë banorë, por 2.5 milionë qytetarë.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra, mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Na e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë. Duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi financu luftën çlirimtare edhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë bashkatdhetarët tanë i kanë sjell si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit”, tha kryeministri në Podujevë, komunë kjo që udhëhiqet pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje, ani pse dikur njeriu i ulur në kolltukun e të parit të komunës dikur sodiste politikën nën ombrellën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Parkingu

Kujtojmë se pikërisht Podujevë u bë temë në mediat nacionale. Kjo për faktin se, u bë një nga komunat që mori vendim për t’u dhuruar mërgimtarëve parkingjet komunale, duke nëpërkëmbur kështu banorët vendas, të cilët me siguri se kanë më tepër nevojë për lehtësime të tilla.

Në vendimin e Shpejtim Bulliqit bëhet e ditur se nga data 1 korrik e deri me datën 31 gusht 2022, oborri i komunës do të mund të shfrytëzohet për parking pa pagesë për veturat me tabela të huaja.

Hapësira në pjesën e përparme brenda oborrit të ndërtesës së re të Komunës lejohet për shfrytëzim të parkingut të automjeteve me targa të huaja nga bashkëatdhetarët të cilët qëndrojnë për pushime në Komunën e Podujeves, dhe jo vetëm. Hapësira lejohet për shfrytëzim 24 orë dhe atë pa pagesë,” thuhet në vendim.

Përmendim faktin se në zgjedhjet e fundit, VV ka marrë mbi gjysmën e votave të pranuara nga jashtë, përafërsisht mbi 40 mijë, shifër kjo relativisht e madhe.

Lajme të ngjashme