Kurti në serbisht dhe moskuptimi i serbëve - NACIONALE

Kurti në serbisht dhe moskuptimi i serbëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nevena Radosavljević

Ka disa muaj që po e dëgjojmë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se si serbëve të Kosovës po u drejtohet në gjuhën serbe. Qoftë nëse bëhet fjalë për urimin e Pashkëve, komentimin e protestave në Mitrovicë apo zhvillimin ekonomik, Kurti në disa raste ka treguar iniciativë, apo plan të ri, që t’u drejtohet serbëve në Kosovë në gjuhën e tyre amtare. Në përpjekjen e tij të fundit, Kurti iu drejtua serbëve përkitazi me ndërrimin e targave serbe, të cilat po përdoren në veri, në targa të reja të Kosovës.

A është në pyetje ndonjë plan i ri i Kurtit dhe qeverisë së Kosovës për t’i tërhequr serbët e Kosovës dhe me këtë të tregojnë se e kuptojnë rëndësinë e përdorimit të gjuhës amtare të një pjese të banorëve që t’u besojnë më shumë, apo është ekskluzivisht përpjekje që të tregohet se serbët mund t’i besojnë kësaj qeverie më shumë se asaj në Serbi, kjo mbetet e paqartë. Ajo që është evidente është se Kurti me këtë po tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendje, si në nivel lokal ashtu edhe tek faktori ndërkombëtar.

Ajo që serbët tashmë me muaj po e komentojnë niset nga fakti se sa është në të vërtetë e mirë gjuha serbe e folur nga Kurti dhe që në fjalimet e tij nuk ka gabime, e deri tek ajo që ai e flet më mirë gjuhën serbe se sa një pjesë e mirë e politikanëve serbë. Është fakt që Albin Kurti ka treguar se njohja e gjuhës serbe nga ana e tij është në një nivel të lakmueshëm, por ajo që ende mbetet si pikëpyetje është a i kontribuon kjo gjë besimit që serbët e kanë në të? Përderisa nga njëra anë duhet të shprehen të gjitha lëvdatat për mundin, nga ana tjetër vlen të analizohet edhe se çfarë bartin me vete porositë e Kurtit.
Në një pjesë të mirë të porosive të tij, Kurti përpiqet t’i bindë serbët se qeverisë në Prishtinë duhet besuar më shumë sesa asaj të Beogradit. “Mos bini nën ndikimin e regjimit autoritar në Beograd. Atyre nuk u interesojnë të drejtat e serbëve të Kosovës”, “Kini më shumë besim në Qeverinë e Kosovës”, “Kalimi nga targat ilegale në ato të vlefshme” kanë qenë vetëm disa nga porositë të cilat i ka dërguar Kurti gjatë paraqitjeve të tij në gjuhën serbe. Pse është e rëndësishme për Kurtin që t’i përcjellë këto porosi është jashtë çdo diskutimi, por çfarë lloj ndikimi kanë ato tek serbët nga Kosova është një çështje krejtësisht tjetër. T’u thuash serbëve se ata duhet të mbështeten më shumë tek Qeveria në Prishtinë se sa tek ajo në Beograd, apo që targat e tyre janë të jashtëligjshme paraqet edhe një herë mungesë të njohjes se si funksionojnë serbët në Kosovë. Pa marrë parasysh se çfarë është qeveria në Beograd, serbët do të vazhdojnë të mbështeten më shumë në të sesa në atë të Prishtinës. Arsyet për këtë janë të shumta, prej varësisë nga qeveritë në Beograd dhe financave, të menduarit se është më mirë të mbështetesh në Serbinë pavarësisht të gjithave, mungesës së mbështetjes nga institucionet kosovare e deri tek mospranimi i Qeverisë së Prishtinës si qeveri të tyre.

Që nga lufta, serbët e Kosovës jetojnë në një limb, midis mbështetjes në atë se Serbia do të bëjë diçka për ta dhe mospranimit të Qeverisë në Prishtinë si qeveri të tyren. Të gjitha integrimet e deritashme janë parë si të imponuara dhe asnjëherë të zgjedhura. I njëjti rast është edhe me ndërrimin e targave. Ka shumë gjasa që serbët do të hyjnë në procesin e ndërrimit dhe do të ngasin veturat me targa të Kosovës, por sigurisht që jo për arsyen se besojnë që targat e deritashme të regjistrimit ishin të paligjshme. Do ta bëjnë këtë sepse janë të detyruar ta bëjnë. Dhe këtu qëndron e gjithë problematika. Serbët e Kosovës kurrë nuk janë pyetur se çfarë duan dhe si duan, por jetojnë mes detyrimit dhe presionit si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova. Deri më tani, ata gjithmonë në njëfarë mënyre në fund kanë zgjedhur Serbinë, sepse ende e ndiejnë atë shtet më shumë si të tyre.

Tekefundit, përpjekjet e Kurtit që t’u afrohet serbëve ndoshta edhe nuk janë të kota. Por këto përpjekje duhet të jenë më të afërta për serbët, sepse t’i gjykosh dhe t’i quash të paligjshme targat e tyre të deritashme nuk i ndihmon kësaj. Të kuptosh se pse serbët sillen ashtu, pse ende e kanë Serbinë më të afërt, të kuptosh se si e ndiejnë veten “as atje e as këtu”, sepse askund tjetër as nuk janë, ndoshta do të duhej të ishte hapi i parë. Ndërsa edhe një herë të gjithëve u vjen mirë që e dinë se Kurti flet rrjedhshëm gjuhën serbe, megjithatë, duhet menduar edhe për atë se çka po fitohet me porositë e tij tek serbët. Përderisa veprimet e tyre quhen të paligjshme, përderisa nuk ka mirëkuptim për ta, çdo përpjekje për t’u afruar do të jetë e vështirë.

Shkrimi është marrë nga blogu New Perspektiva, që edhe e ka përkthyer atë nga serbishtja.

Lajme të ngjashme