‘Me shumë gjasë’: Nga sot një vit, kosovarët udhëtojnë pa viza në Evropë
Liberalizimi i vizave, po që ishte një “udhëtim” me ulje-ngritje për qytetarët e Kosovës. Pas disa viteve në pritje, në dy muajt e fundit të vitit 2022, na erdhën lajme të mira rreth kësaj çështje. Edhe disa vendime duhet të merren në 2023-ën, ndërsa aktualisht, ajo që duhet të shtyjë vendime të tjera para, është Suedia, e cila do ta kryesojë presidencën e BE-së për gjashtë muajt në vijim. Por, finalja e madhe, do të jetë në fund të vitit që sapo kemi hyrë. Madje, vendimi i madh, mund të hyjë në fuqi saktësisht pas një viti, më 1 janar 2024. A do të lëvizim tash një vit veç me pasaporta?
Shumëkush e mban mend 23 qershorin e vitit që lamë pas. Ishim zgjuar me shpresën se më në fund, po merret një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave. Kjo nuk ndodhi atëherë.
“Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit të miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në planin afatgjatë.” – kishte thënë MPJ-ja franceze për Nacionalen.
Kushtin, më në fund e kuptuam
Do të kalonin rreth pesë muaj, që ne të kuptonim se për çfarë kushti bëhej fjalë, pasi që Komisioni Evropian, veç se kishte konfirmuar që Kosova i ka përmbushur kriteret para katër viteve.
ETIAS...e kishte emrin ky kusht, me të cilin, ndërlidhet edhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.
Pas takimit të tetorit në Këshillin e Evropës, ishte raportuar se Franca do ta kushtëzojë këtë proces me sistemin e informacionit, dhe se një vendim i tillë, është përkahur nga të paktën edhe katër shtete të tjera të Bashkimit Evropian, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.
“Franca mbështet objektivin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ministrat e Çështjeve Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Ëeimarit) kërkuan përparim në këtë çështje në shtator. Ky qëndrim përbën një njohje të përpjekjeve të Republikës së Kosovës.” – i ishte thënë Nacionales nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës, kur i kishim pyetur për këtë çështje.
Nacionale, atë kohë kishte kontaktuar edhe me Ministrinë e Drejtësisë së Suedisë (shtet ky i cili nga sot do ta kryesojë presidencën e BE-së)
Carolina Vrocharis, nga Divizoni për Migracion në Ministrinë e Drejtësisë së Suedisë, i kishte thënë Nacionales se ky shtet përkrah përpjekjet e Kosovës dhe progresin e bërë drejt heqjes së vizave.
Por, ajo na i kishte përmendur edhe zhvillimet e viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, duke arsyetuar se sistemi ETIAS, është mjet që menaxhon rreziqet.
“Sa i përket pyetjes suaj mbi ETIAS, qeveria suedeze do të donte ta shihte sistemin në funksionim pasi ne besojmë se do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të rreziqeve të sigurisë dhe migracionit ndaj BE-së. Për shkak të zhvillimeve të viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, ne besojmë se masat adekuate si ETIAS janë të rëndësishme për t'u diskutuar si një mjet për të menaxhuar rreziqet”, ka theksuar ajo.
1 janar 2024, më së largu
Në muajin e parafundit të vitit që lamë pas, fillimisht, shtetet anëtare të BE-së ranë dakord që me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi prej datës 1 janar 2024.
Disa ditë më vonë, që Kosova t’i liberalizohen vizat edhe ambasadorët e shteteve anëtarë të BE-së, të njohur si “COREPER II”.
Ky takim, vlen të theksohet se ishte paraparë që të zhvillohej më herët, por për shkak të tensioneve të asaj kohe në veri, ishte anuluar.
“Ambasadorët e vendeve të BE-së u pajtuan të mërkurën për mandatin negociues të Këshillit Evropian për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Mbi bazën e këtij mandati, presidenca do t’i fillojë bisedimet me Parlamentin Evropian.” – thuhej në njoftimin e presidences Çeke.
Ndërkohë, për të gjitha këto zhvillime, Nacionale kishte zhvilluar një intervistë me përfaqësuesen e përhershme të Çekisë, Edita Hrda, e cila na kishte dhënë detaje shumë interesante.
Nacionale e kishte pyetur znj.Hrda se a mund të lëvizin qytetarët pa viza më herët se 1 janari 2024, dhe ajo, e kishte arsyetuar përgjigjen e saj me sistemin ETIAS.
“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – na kishte thënë ajo.
Diplomatja çeke i kishte folur Nacionales edhe mbi arsyet e shtyrjes, fillimisht, të takimit të grupit Coreper.
“Takimet e COREPER kanë agjenda shumë të zëna dhe është e zakonshme për ne që të shtyhet një pikë e agjendës. Në këtë rast, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës dhe thirrje për depërshkallëzim të situatës, ne dëshironim që të shtyhet vendimi derisa situata të bëhet më e qartë.” – ishte shprehur ajo.


