REL: Ka kaluar propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, data 1 janar 2024 - NACIONALE

REL: Ka kaluar propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, data 1 janar 2024

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas Radio Evropës së Lirë, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi prej datës 1 janar 2024.

Ky medium ka marrë vesh se pajtimi është arritur “në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.”

Data në fjalë mësohet që ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë shteteve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, në raportimet e kaluara ishte përmendur pikërisht Spanja si një prej shteteve që kishte penguar procesin.

Ndërkohë, muajin e kaluar ishte Franca e cila e kishte kushtëzuar me programin ETIAS, i cili nuk varet nga Republika e Kosovës.

Kosova ka plotësuar kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për çështjen e vizave vite më parë, ndërkohë që besohej se mos-arritja e liberalizimit të vizave ishte ndërlidhur me çështje politike, siç ishte dialogu në Bruksel.

Sipas propozimit të miratuar, raporton REL, "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nis në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024".

Praktikisht, kjo nënkupton se edhe sistemi i udhëtimit ETIAS do të hyjë në fuqi para datës 1 janar të vitit 2024, ose pak më shumë se 11 muaj larg nga dita e sotme.

Ky propozim do të jetë në rend dite për miratim në takimin e ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që mbahet të mërkurën, më 23 nëntor.

Nacionale kishte dërguar pyetje në ministrinë franceze për Punë të Jashtme, dhe kishte marrë këtë përgjigje.

“Franca mbështet objektivin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ministrat e Çështjeve Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Weimarit) kërkuan përparim në këtë çështje në shtator. Ky qëndrim përbën një njohje të përpjekjeve të Republikës së Kosovës,”

Çka është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.

LAJMI NË PËRDITËSIM...

Lajme të ngjashme