Intervistë| Ambasadorja çeke në BE: 1 janari 2024, data e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën
Fundi i nëntorit solli një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës, ambasadorët e Bashkimit Evropian i thanë “PO” liberalizimit të shumëpritur të vizave. Përfaqësuesja e përhershme e Çekisë në Bashkimin Evropian, Edita Hrda në një intervistë për gazetën Nacionale, rrëfen se si u bindën shtetet skeptike, tregon se kur do të ketë takime të radhës, flet për shtyrjen e një pike nga agjenda, si dhe për kohën se kur mund të udhëtojnë kosovarët pa viza.
Gjatë javës që vjen, do të fillojnë edhe takimet trepalëshe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ka konfirmuar znj.Hrda. I pari, pritet që të mbahet më 14 dhjetor.
Në intervistën dhënë Nacionales, diplomatja çeke e pranon se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka marrë kohë, derisa flet edhe për bindjen e shteteve skeptike, gjë për të cilën, i jep merita edhe Kosovës.
Me shumë gjasë, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nëpër zonën Schengen që nga janari i vitit 2024. Znj.Hrda, ka shpjeguar edhe pse është vendosur kjo datë.
Para pak ditësh, pamë edhe se si u hoq nga agjenda e COREPER, pika ku do të diskutohej kjo çështje, e që ishte një prej takimeve kryesore për të vendosur rreth këtij procesi.
Përfaqësuesja e përhershme çeke në BE, ka folur edhe rreth kësaj, duke i përmendur tensionet në veri dhe duke shtuar se kishin nevojë për një “situatë më të qartë”.
Në fund, znj.Hrda ka thënë se Kosova duhet të harmonizojë edhe më tutje politikën e vizave me atë të BE-së, derisa na foli edhe rreth rolit që shteti që ajo që përfaqëson, Çekia, e cila e udhëheqë presidencën e BE-së aktualisht, e ka pasur në krejt këtë process.
Nacionale:
Qytetarët e Kosovës kanë pritur për një kohë të gjatë një vendim pozitiv rreth liberalizimit të vizave, si u bindën shtetet skeptike që të votojnë pro kësaj?
Hrda:
Liberalizimi i vizave për Kosovën ka marrë padyshim disa vite kohë. Jam shumë e lumtur që gjatë presidencës sonë kemi arritur një marrëveshje në një mandate Këshilli, për shkak të së cilit mund të fillojnë bisedimet trepalëshe me Parlametin Evropian. Mendoj që elementi kryesor është që sa shumë progress ka bërë Kosova në rrugëtimin e saj të libëralizimin të vizave që ishte vendosur, dhe të cilin e konfirmoi Komisioni Evropian në Tetor. Po ashtu, fakti që Kosova u angazhua në nivel bilateral me shtetet anëtare në çështjet lidhur me liberalizimin e vizave dhe tregoi gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive, i bindi shtetet anëtare.
Nacionale:
Tani pas vendimit të ambasadorëve, cilët janë hapat tjerë, kur priten takime të radhës në Bruksel për çështjen e liberalizimit të vizave?
Hrda:
Po, pritet që ketë patjetër takime të tjera – në veçanti ato tre palëshe me Parlamentin Evropian që do të fillojnë tani. I pari parashihet të mbahet më 14 dhjetor të vitit 2022 dhe mezi presim që të procedojmë shpejt.
Nacionale:
Siç u raportua, qytertarët e Kosovës me shumë mundësi, do të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga janari i vitit 2024, a mund të ndodhë kjo më herët, për shembull kur të fillojë aplikimi i sistemit ETIAS?
Hrda:
Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.
Nacionale:
Pati një shtyrje të takimit të COREPER (përfaqësuesve të përhershëm), për shkak të situatës në veri të Kosovës. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj, pse ndodhi një gjë e tillë?
Hrda:
Takimet e COREPER kanë agjenda shumë të zëna dhe është e zakonshme për ne që të shtyhet një pikë e agjendës. Në këtë rast, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës dhe thirrje për depërshkallëzim të situatës, ne dëshironim që të shtyhet vendimi derisa situata të bëhet më e qartë.
Nacionale:
Çka, specifikisht, ndikoi në një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave?
Hrda:
Siç e thashë tashmë Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit të vizave, domethënë., sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migracionit, duke përfshirë azilin, rendin dhe sigurinë publike, dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes. Ne gjithashtu theksuam se Kosova duhet të përpiqet të harmonizojë më tej politikën e vizave me politikën e vizave të BE-së. Për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në të ardhmen, kjo është shumë e rëndësishme.
Mendoj gjithashtu se roli i Kryesisë sonë ishte i rëndësishëm. Ne jemi angazhuar me shtetet anëtare për dosjen dhe e kemi bërë Ballkanin Perëndimor një nga prioritetet tona kryesore të marrëdhënieve me jashtë. Ne bëmë çmos për të afruar BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, pasi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor e kemi parë gjithmonë në BE.

