Ambasadorët e BE-së i hapin rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën
Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimi që u mbajtë të mërkurën më 30 nëntor. Data e mundshme e liberalizimit të vizave është 1 janar 2024.
Sipas njoftimit për mediat, vendimi i sotëm i hap rrugë Presidencës Çeke që t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian për vizat.
“Ambasadorët e vendeve të BE-së u pajtuan të mërkurën për mandatin negociues të Këshillit Evropian për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Mbi bazën e këtij mandati, presidenca do t’i fillojë bisedimet me Parlamentin Evropian. “Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë që të arrijmë marrëveshje shpejt me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm nga përpjekjet e Kosovës për fuqizimin e kontrolleve kufitare, menaxhimit të migrimit dhe sigurisë, dhe ne besojmë që ky bashkëpunim i mirë vetëm do të bëhet më i fuqishëm në të ardhmen”- ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky.
"Rregullat e draftit do t’ua lejonin qytetarëve të Kosovës udhëtimin për në BE pa viza për 90 ditë për çdo gjashtë muaj. Sipas pozicionit të Këshillit Evropian, lirimi nga vizat do të zbatohej nga data e fillimit të zbatimit të sistemit ETIAS dhe në çfarëdo rasti j omë vonë se 1 janari i vitit 2024.", thuhet në njoftimin e Komsioni Evropian.
Vendimi i ambasadorëve ishte paraparë që të mbahet javën e kaluar por “për shkak të situatës në veri”, ishte shtyrë për këtë javë.
Ndyrshe, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje edhe më herët për liberalizimin e vizave për kosovarë.
Sipas raportimeve të mediave "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nis në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024".
Çka është liberalizimi i vizave?
Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.
Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.
Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.
Lajmi në përditësim...