“Duhet me ble shtretër shtesë”: Kosovarët që jetojnë në mërgim dhe ata në Kosovë, ndajnë ‘ankthet’ për heqjen e vizave - NACIONALE

“Duhet me ble shtretër shtesë”: Kosovarët që jetojnë në mërgim dhe ata në Kosovë, ndajnë ‘ankthet’ për heqjen e vizave

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Sado klishe që mund të tingëllojë, liberalizimi i vizave duket më afër se kurrë. Por, si do të ndikojë në jetët e qytetarëve të Kosovës, folëm me tre persona nga populli i përvuajtur ‘iliro-dardan’ në perspektiva të ndryshme gjykuese.

Së fundmi, Presidenca Çeke e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Këshillin Evropian për t’i dhënë dritë të gjelbër fillimit të bisedimeve me Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Presidenca Çeke e mirëpret marrëveshjen e arritur në nivelin e Këshillit dhe i vlerëson përpjekjet e të gjithë aktorëve përkatës për arritjen e këtij rezultati”- thuhet në një deklaratë të Presidencës Çeke të Këshillit Evropian.

Në një mënyrë apo tjetrën, mundësia e lëvizjes së lirë nëpër Evropë, do të ndryshojë jetën tonë për dikë për mirë, e për dikë ky edhe mund të mos jetë lajm edhe shumë i mirë.

Ngazëllimi i qytetarëve që jetojnë në Kosovë për lajmin e liberalizimit të vizave mund të mos pritet në të njëjtën mënyrë edhe nga një pjesë kosovarëve që jetojnë nëpër zonat ku lejohet qarkullimi me vizë "Schengen".

Strese e potencialisht edhe kokëdhimbje nga presioni për të akomoduar familjarët e padalur nga Kosova mund të përjetojnë një pjesë e mërgimtarëve.

Arjeta, tash e 14 vite jeton në Francë me bashkëshortin dhe fëmijët, por në Kosovë ka familjarë të cilët tash “veç kanë fillu kërkesat” për vizita.

“Të them të drejtën, po, kanë nisë kërkesat (për vizitë, pas liberalizimit të vizave). Disa më thonë me shaka, e disa më me seriozitet. Duhet me ble shtretër shtesë (qesh)”, thotë ajo.

Një prej arsyeve pse potencialisht mund të ketë situatë të sikletshme mes këtyre nga Kosova që udhëtojnë dhe atyre në perëndim që i presin, mund të jenë dallimet në stil jetese dhe kulturën e zakoneve jo fort të përputhshme mes mënyrës si sillemi në Kosovë dhe si kërkohet nga ne të sillemi në perëndim.

Një shembull banal ndoshta por që nënvizon për mrekulli atë që thashë pak më lart, është ecja. Po, po, ecja.

Rrugët komplekse, me trotuare të stërmbushura me vetura, e ku trakat e biciklistëve edhe në ato vende ku janë të vendosura, kryesisht shfrytëzohen nga kalimtarët që ecin mbi to, kanë zhvilluar një pakujdesi të dukshme në mesin e popullatës për të hedhur hapat kudo që mund t’i fusin këmbët.

"Orientimi im në Londër ka qenë komplet ndryshe. Duke filluar kalimin në zebra sepse ishte gjithmonë instikti i shikimit në krahun e djathtë dhe tentativa për ta kaluar rrugën. Gjithmonë ndjeja një dorë tek më tërhiqte duke më shpetuar nga aksidenti", thotë Ardiani, prishtinasi që për udhëtimin e parë në jetë e pati këtë vit në Londër.

Në ndërveprime të rëndomta me njerëz, pas vizitave të tyre të para në perëndim, jo rrallëherë në diskutim e sipër kanë rrëfyer eksperiencat e tyre të sikletshme, teksa e kanë gjetur veten natyrshëm duke ecur mbi traka biçiklistësh, të cilët – ndryshe nga Kosova – kanë pushtet potent dhe janë në numër masiv. Gjithsesi, ky mbetet një shembull banal, derisa kultura e të kursyerit ishte evidente nga vizita e fundit që kisha në Berlin te një familjar.

Sorollatja nëpër dhoma, me nonshalancë ndaj fikjes së dritave, pastrimi i shpeshtë, ishin detaje që shndërroheshin në tema adresimi, më së shumti për shkak të kulturës së kursimit që është pjesë e pandashme e normave të pashkruara sociale në perëndim.

“Parvjet kam qenë për herë të parë në Kosovë pas 13 viteve,” - më tha tutje Arjeta.

“Kur u ktheva në Kosovë gjithçka ‘sallamadi’ qysh i thojmë ne. Këtu në Francë ku jam unë ka kulturë të jashtëzakonshme. Sidomos te kursimi. Dritat brenda murve të banesës veç kur të na duhet i ndezim”.

Artani, i cili vendet evropiane i ka vizituar vetëm interpersonalisht përmes filmave dhe videove të ndryshme në internet, i ka dyshimet e veta.

“Për me shku isha shku naj Itali a naj Spanjë (nuk njeh pasaportën e Kosovës) se m’pëlqen kultura, po kështu veç çka kena pa nëpër filma ec e dije a osht qashtu. A kështu, s’osht që kisha shku te naj familjar, me qef kisha shëtitë vet m’kish pëlqy me pa kultura t’reja”, thotë ai.

Adea është prej atyre më entuziasteve dhe që po e pret me ngazëllim liberalizimin e vizave për faktin se tash e disa vite është e lidhur në një marrëdhënie në distancë me të dashurin.

“Lidhja në distancë kërkon sfida, kërkon durim edhe shumë mirëkuptim për faktin se është shumë e vështirë të mbahet,” - thotë ajo.

“Kjo pjesa e liberalizimit të vizave mund të jetë një prej mundësive më të mira për ata që nuk kanë mundësi qe të udhëtojnë me viza, ndërkohë qe është edhe një mundësi për përmirësimin e mardhënies në distancë. I jep mundësi takimeve, momenteve!”.

Në bazë të asaj që raportohet e është raportuar vazhdimisht në ditët e fundit, janari 2024 duket të jetë data kur përfundimisht do t’u mundësohet qytetarëve kosovarë lëvizja e lirë, pa viza në zonën “Schengen”.

Lajme të ngjashme