Vizat: Suedia tregon pse e përkrah kushtin e ri, presidenca çeke s’e di kur ka vendim për Kosovën - NACIONALE

Vizat: Suedia tregon pse e përkrah kushtin e ri, presidenca çeke s’e di kur ka vendim për Kosovën

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të diskutohet edhe një herë të enjten mes Grupit Punues të Këshillit të Bashkimit Evropian. Suedia, një prej shteteve që u raportua se e përkrah ‘kushtin’ e ri me procesin ETIAS, përmend edhe zhvillimet e viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor si arsye për këtë. Ndërkaq, nga presidenca çeke, thonë se as ata nuk e dijnë se kur mund të merret një vendim rreth kësaj.

Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën vazhdojnë edhe nesër. Grupi Punues për Vizat mblidhet sërish në Bruksel në orën 10:00.

Funksionalizimi i sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, u raportua të jetë kushti i radhës për Kosovën, i cili thuhet se është përkrahur nga Franca, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Çështjet e sigurisë, migracioni dhe zhvillimet në rajon – Arsyetimi i Qeverisë Suedeze

Carolina Vrocharis, nga Divizoni për Migracion në Ministrinë e Drejtësisë së Suedisë, i tha Nacionales se ky shtet përkrah përpjekjet e Kosovës dhe progresin e bërë drejt heqjes së vizave.

Megjithatë, në përgjigjen e saj thuhet se “mbështesin liberalizimin e vizave pasi të plotësohen të gjitha kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes”, ndonëse Kosova i ka plotësuar këto kritere që në vitin 2018.

“Qeveria suedeze vazhdon të mbështesë përpjekjet e Kosovës dhe merr parasysh progresin që ka bërë Qeveria e Kosovës në lidhje me Udhërrëfyesin. Qëndrimi suedez është se ne mund të mbështesim liberalizimin e vizave pasi të plotësohen të gjitha kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes dhe kur rreziqet e sigurisë dhe migracionit në nivel kombëtar të jenë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Ky pozicion ka mbetur i njëjtë që nga viti 2018”, ka thënë ajo për Nacionalen.

Në lidhje me sistemin ETIAS, të cilin Suedia u raportua se është një nga shtetet që e mbështet si kusht të ri, znj.Vrocharis tha se kjo kontribuon në menaxhimin e rreziqeve të sigurisë dhe migracionit drejt BE-së.

Veç kësaj, ajo për Nacionalen i përmendi edhe zhvillimet e viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, duke arsyetuar se sistemi ETIAS, është mjet që menaxhon rreziqet.

“Sa i përket pyetjes suaj mbi ETIAS, qeveria suedeze do të donte ta shihte sistemin në funksionim pasi ne besojmë se do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të rreziqeve të sigurisë dhe migracionit ndaj BE-së. Për shkak të zhvillimeve të viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor, ne besojmë se masat adekuate si ETIAS janë të rëndësishme për t'u diskutuar si një mjet për të menaxhuar rreziqet”, ka theksuar ajo.

Kur përfundon çështja? Presidenca çeke: Do të dëshironim ta dinim vetë këtë

Nga Presidenca çeke, i thanë Nacionales se po vazhdojnë konsultimet me të gjitha shtetet anëtare dhe se po diskutohen edhe “shqetësimet e tyre”.

“Jemi në proces konsultimesh dypalëshe me të gjitha shtetet anëtare për të adresuar dhe diskutuar shqetësimet e tyre, nëse ka të tilla. Ekziston një mbështetje e gjerë për të ecur përpara dhe presidenca çeke punon shumë për të arritur një kompromis”, kanë thënë nga Presidenca çeke e Bashkimit Evropian.

Pyetur nga Nacionale se kur mund t’i jepet fund kësaj çështje, ata na thanë se “do të dëshironin që të ishin në gjendje edhe vetë që ta tregonin një gjë të tillë”.

“Në këtë pikë është e vështirë të vlerësohet ndonjë afat kohor. Por ne premtojmë se do të bëjmë çmos për të ecur përpara me agjendën gjatë Presidencës sonë”, thuhet në fund të përgjigjes.

Çfarë tha Franca?

Nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, në fillim të kësaj jave deklaruan për Nacionalen se mbështetin “objektivin e liberalizimit të vizave”, derisa përmenden reagimin e “Trekëndëshit të Weimerit”.

“Franca mbështet objektivin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ministrat e Çështjeve Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Weimerit) kërkuan përparim në këtë çështje në shtator. Ky qëndrim përbën një njohje të përpjekjeve të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga ky institucion.

Tutje, MPJ franceze deklaroi se janë të angazhuar për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar këtu hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Angazhimi i Francës për Ballkanin Perëndimor bazohet në pikëpamjen, e riafirmuar gjatë samitit të dedikuar javën e kaluar në Berlin, se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin familjes evropiane. Kjo u ilustrua nga përpjekjet e suksesshme të Francës nën Presidencën e saj të Këshillit të BE-së drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Nacionalen.

Sa i përket takimeve të kësaj jave, shteti francez deklaroi se “diskutimet në Bruksel po vazhdojnë”.

Çka është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.



Lajme të ngjashme