Kushti i ri apo alibi e re? Presidenca çeke e BE-së raportohet se përfshiu kërkesat e Francës për liberalizimin e vizave
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian (BE) ka dërguar një “dokument ndërinstitucional” sipas Radio Evropës së Lirë në të cilin është përfshirë kërkesa e Francës që u paraqit në takimin e parë të 13 tetorit.
Sipas këtij dokumenti në të cilin ka pasur qasje REL-i, aty është përfshirë edhe kushtëzimi i hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”.
Aty shtohet se janë përfshirë edhe kërkesat ndaj Kosovës “që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtas edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të BE-së.”
“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS)”, është formulimi i ri në draftin e fundit të këtij teksti.
Çka u tha më 13 tetor?
13 tetori ishte pritur me shumë shpresë në Kosovë, për shkak se po diskutohej në një nivel në të cilin nuk ishte diskutuar më parë.
Takimi i parë i grupit punues për vizat ishte përshkruar si pozitiv edhe nga gazetarja nga Brukseli, Xheraqina Tuhina.
“Asnjë shtet nuk ka kundërshtuar liberalizimin e vizave. Franca nuk ka kushtëzuar liberalizimin e vizave. Të paktën jo sot. Ajo ka shprehur disa kërkesa, por nëse do të insistojë në disa kërkesa, atëherë mund edhe të stagnojë procedura… Atmosfera ishte shumë pozitive,” – kishte thënë ajo në një prononcim në RTK.
Madje, ajo kishte vazhduar duke thënë:
“Gjithçka varet se sa ngulmuese do të jetë Franca – meqë lidhet me procesin ETIAS, i cili asnjëherë nuk ka qenë plotësisht operacional. Kjo kërkesë pak a shumë mund edhe të bie në ujë. Ndërkaq sa i përket riatdhesimit, këto janë pak më serioze si kërkesa. Nëse nuk gaboj, Kosova ka marrëveshje për riatdhesim me shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian,”
Por, del se kërkesa nuk ka rënë në ujë. Të paktën tash për tash.
Si kushtëzim të Francës e kishte interpretuar atë që kishte ndodhur më 13 tetor edhe Zv. Kryeministri Besnik Bislimi.
Çka është ETIAS-i?
ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.
Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.
"Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Schengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje", shkruhet në uebfaqen e ETIAS.
Është e pakuptueshme se si Kosovës i është vënë një kusht i tillë marrë parasysh që ai edhe më tej është jooperacional në vendet e Bashkimit Evropian.

