‘Diskriminuese për kosovarët’: Presidentja thotë se ETIAS nuk duhet të ndikojë në heqjen e vizave - NACIONALE

‘Diskriminuese për kosovarët’: Presidentja thotë se ETIAS nuk duhet të ndikojë në heqjen e vizave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së enjte, kur edhe u mbajt takimi i Grupit Punues për vizat i Këshillit Evropian, u raportua se Franca ka vendosur një kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën, “funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS”. Presidentja Vjosa Osmani, ka konfirmuar se disa shtete kanë kërkesa teknike, por që kjo nuk duhet të ndikojë në marrjen e vendimit, pasi në të kundërtën, vendosë kosovarët në pozitë diskriminuese.

Radio Evropa e Lirë dje raportoi se kushtëzimi i Francës për vizat është mbështetur edhe nga të paktën katër shtete, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Nga zyrtarët evropianë, nuk ka pasur asnjë konfirmim deri më tani rreth kësaj çështje.

Sidoqoftë, sistemin ETIAS, të premten e përmendi edhe Vjosa Osmani, derisa pati edhe një porosi për shtetet që kanë “kërkesa teknike”.

ETIAS të mos ndikojë te vendimi për vizat

Kjo është një prej kërkesave që znj.Osmani ka pasur gjatë takimit me ambasadorët nga Franca, Suedia, Holanda, Belgjika dhe Austria, tre prej këtyre shteteve që u raportua se e kanë mbështetur propozimin francez.

Presidenca në komunikatën për media pas takimit, tha se në takim është theksuar nevoja për vendimmarrje rreth liberalizimit të vizave gjatë presidencës çeke në BE.

Presidentja Osmani ka folur disa fjalë edhe për sistemin ETIAS, duke vlerësuar se ky nuk duhet të ndikojë në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Veç kësaj, kryetarja e shtetit thuhet se ka prezantuar argumente që një situatë e kundërt do t’i vendoste qytetarët e Kosovës në pozitë diskriminuese.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese”, tha ajo.

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës 🇫🇷, Suedisë 🇸🇪, Holandës 🇳🇱, Belgjikës 🇧🇪 dhe...

Posted by Presidenca e Republikës së Kosovës on Friday, October 14, 2022

ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

"Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje", shkruhet në uebfaqen e ETIAS,

Presidenca çeke konfirmon se diskutimet do të vazhdojnë

“Diskutimet do të vazhdojnë”, kështu konfirmoi Presidenca Çeke pas përfundimit të takimit të djeshëm.

Presidenca çeke ka bërë të ditur se u prezantua raporti i përditësuar i Komisionit Evropian që rikonfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”, thuhet në një përgjigje të tyre për Dukagjinin.

Mes tjerash në përgjigjen e tyre, u tha se diskutimet do të vazhdojnë pasi që është e nevojshme të sqarohen edhe tema të tjera.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, vijon përgjigja.

Lajme të ngjashme