Mbrëmë Chollet, sonte Ned Price - Departamenti Amerikan i 'fiksuar' pas themelimit të Asociacionit - NACIONALE

Mbrëmë Chollet, sonte Ned Price - Departamenti Amerikan i 'fiksuar' pas themelimit të Asociacionit

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kanë qenë të shpeshta kohëve të fundit dhe tashmë thuajse janë bërë të përditshme. Kërkesat e amerikanëve për krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sa vijnë e shtohen.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka ripërsëritur faktin se Kosova duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj, duke përmendur këtu eksplicit themelimin e Asociacionit.

Këto deklarime i bëri në një konferencë për media, në të cilën, për hir të korrektësisë, kërkesë pati edhe ndaj palës serbe, duke ftuar që ata të kthehen në institucione.

“Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, tha ndër tjerash ai.

Në anën tjetër, këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet mbrëmë bisedoi përmes telefonit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Këtë e pranoi vet njëri prej më të besuarve të presidentit Biden përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter".

Siç tha ai në cicërimën gjegjëse, temat kryesore për të cilat diskutuan ishin Asociacioni dhe kthimi i serbëve në institucione.

“Fola me Albin Kurtin sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre”, thuhet tutje.

Përgatitja

Kujtojmë faktin se Ambasada Amerikane në Prishtinë me datën 31 të këtij muaji do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin.

Nga kjo ambasadë kanë deklaruar se kanë ftuar për takim liderë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë.

Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi.” – kanë bërë të ditur nga ambasada.

Gjithashtu është bërë e ditur se synimi i ambasadës është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”.

Lajme të ngjashme