"Luftë" e brendshme në PDK, Çitaku kundërpërgjigje Musliut: Veç reformim, s'ka rrugë tjetër - NACIONALE

"Luftë" e brendshme në PDK, Çitaku kundërpërgjigje Musliut: Veç reformim, s'ka rrugë tjetër

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Një "luftë" e brendshme duket të ketë filluar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Gjithçka nisi tre ditë më parë, kur PDK organizoi Konventën Programore të Gruas Demokratike.

Megjithatë, njëra prej deputetëve që publikisht doli kundër këtij organizimi ishte Ganimete Musliu.

Madje, kjo e fundit sot në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Muhamet Koci, tha se në partinë ku bën pjesë edhe ajo po instalohet fryma e mungesës së transparencës.

Veç kësaj, ajo paralajmëroi se në PDK tashmë ekziston një grup që synon të udhëheqë me partinë dhe t'i përjashtojë njerëz të caktuar.

"Besoj e kam bërë të qartë përmes sqarimit që e kam postuar në Facebook-un tim. Partia Demokratike, për një kohë të gjatë gjendet përballë një propagande të tmerrshme pa asnjë kriter dhe përtej kësaj pësoi një goditje të rëndë me arrestimin e ish liderëve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli përderisa gjendeshim para zgjedhjeve nacionale dhe lokale".

Tutje, Musliu vlerësoi se në PDK ka një grup të vogël që ka interesa të përbashkëta, e që më pas po synon të eliminojë nga partia këdo që nuk është në këtë frymë.

"Në gjithë këtë kaos, Partia Demokratike arriti të mbajë elektoratin e saj të cilët besojnë në ideologjinë dhe vizionin e partisë. Ne të gjithë mbështetëm fort lidershipin e ri të partisë, por me çdo ditë që kalon, në partinë tonë po instalohet fryma e mungesës së transparencës dhe e bashkëpunimit. Më e keqja është se po instalohet fryma e përjashtimit të një kategorie të caktuar, kjo si pasojë e zhvillimeve dhe e propagandës së cekur më lartë, por edhe si pasojë e interesave të një grupi të vogël brenda Partisë", tha ndër tjerash ajo për Nacionalen.

Nuk shkoi shumë që nga publikimi i intervistës dhe erdhi reagimi i nënkryetares Vlora Çitaku.

Kjo e fundit tha se i tërë koncepti i konventës është miratuar në kryesinë e PDK-së pa asnjë votë kundër.

Çitaku gjithashtu pohoi faktin se nuk do të ndalen deri në reformim, duke "thumbuar" kështu drejtpërdrejt Musliun dhe kritikat e saj.

"Të gjithë folësit në Konventën për barazi dhe fuqizim të gruas brenda PDK kanë qenë ose: 1) aktiviste të reja të PDK-së, ose anëtare të Kryesisë, ose Kryesuese Komunale, ose nënkryetare komunash, ose kryetarë komunash, ose drejtore në komuna, ose deputetë, ose anëtarë të Këshillit të Drejtues të PDK-së. I tërë koncepti dhe programi i konventës është miratuar në kryesinë e PDK-së pa asnjë votë kundër.

Të gjitha deputetet e PDK-së kanë qenë pjesë e paneleve. Pjesëmarrja ose jo ka qenë zgjedhje e tyre. Por, PDK do të hapet, dhe do të sjellë brenda vetës edhe gra e burra që nuk janë sot në PDK. Sepse vetëm ashtu ecim përpara. Do të krijojmë klimë pune për secilin që na bashkangjitet. E të tillë ka plotë. Nuk do të lejojmë monopolizim. Rrugëtimin në politikë nuk e kemi të gjithë të njejtë. Disa e fillojnë shumë herët si unë, dhe rriten në politikë, disa ndërtojnë profil dhe karrierrë profesionale, e pastaj i bashkohen politikës. Asnjëra nuk është gabim. Të dyja janë të vlefshme. Nuk kemi me u ndalë. Hapje. Reformim. Jo tjetërsim. Ska rrugë tjetër", shkroi Çitaku.

Lajme të ngjashme