Pse ekziston PDK-ja? - NACIONALE

Pse ekziston PDK-ja?

2 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Është e drejtë të thuhet që nëse VV-ja me Albinin përfaqësojnë gjithçka, PDK-ja e sotme me Memlin nuk përfaqëson asgjë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është në opozitë prej 3 shkurtit të vitit 2020. Pra, që dy vjet e kusur. Kjo periudhë për këtë parti na ka mësuar se PDK-ja në fakt... nuk ekziston! Shtrirja e saj në hapësirë dhe kohë duket arbitrare marrë pararsysh që në kushtet e demokracisë tonë përfaqësuese, kjo parti nuk përfaqëson asnjë qëndrim e asnjë grup shoqëror.

Në fakt, PDK-ja deri diku e ka përfaqësuar një individ të vetëm gjatë 26 muajve të fundit: ish-Albin Kurtin. Në përpjekjen e saj për ta kundërshtuar kryeministrin, ajo ia ka përkujtuar atij qëndrimet e së kaluarës. Por, a mjafton përfaqësimi i një individi të vetëm që një grupim njerëzish të regjistruar në KQZ si parti të njihen si parti? JO!

RR Ë N J Ë T

Hashim Thaçi e Kadri Veseli – dy liderët e PDK-së – rridhnin nga fshatarësia e varfër e Kosovës, njësoj si shumica e popullit. Dhe, njësoj si shumica e popullit, edhe këta dy – e me ta krejt partia – iu nënshtruan rrebeve të kohës dhe pësorçe falsifikuan rrënjët dhe u bashkuan me shtypësit e tyre. Provuan të bëhen më urbanë, më elitarë, e më të pasur dhe përveç qëndrimeve këta e ndërruan edhe fizionominë e tyre.

Çlidhja nga njerëzit e shtypur i bëri pjesë të asaj shtrese që shtypte.

PDK-ja e viteve 2000 nuk kërkoi drejtësi - mos e ngatërroni me hakmarrjen - për zullumet e bëra gjatë sistemit jugosllav nga grupe të shoqërisë kosovare gjatë viteve ‘90, ‘80, e teposhtë. Përkundrazi! Ajo përveç që i amnistoi, madje edhe bashkëpunoi me to duke i korruptuar në këtë formë vlerat e saj themeltare. Legjitimimi i kësaj padrejtësie fillestare i çeli derën padrejtësive e pabarazive tjera shoqërore. U përzu edhe solidariteti i vendosur në shoqëri para dhe gjatë luftës prej një kapitalizmi të egër e pervers ku një familje s’kishte as bukë për drekë derisa të afërmit e po asaj familjeje kacavirreshin në shkallë të larta shoqërore siç kacavirren majmunët nëpër degë. Ky korrupsion vleror brenda kësaj partie çoi pashmangshëm edhe në korrupsionin institucional.

Ashtu si sot, edhe PDK-ja e viteve 2000 ishte ngurruese që të përfaqësonte diçka. Me varfanjakët i bashkonin veç dekat e dasmat. Pasanikët – me të cilët i lidhte biznesi – ishin të paktë. Shtresa e mesme në zgjerim e sipër dhe në urbanizim e sipër – për shkak se PDK-ja rridhte nga varfëria dhe kishte origjinë nga fshati – nuk ia pranoi përfaqësimin. E kësisoji, duke qenë e dalë nga lufta, në dorë PDK-së i mbeti veç ‘lufta’.

L U F T A në P A Q E

Por, ‘lufta’ si ngjarje u largua e po largohet gjithnjë e më shumë prej nesh. Fatkeqësisht për PDK-në, vitet vazhdojnë të ecin telart për çdo 1 janar (2020, 2021, 2022) dhe jo teposhtë siç do të dëshironin. E për më keq, ‘lufta’ e tyre është e konceptuar tepër ngushtë dhe nuk ia del të zgjerohet bile as në qëndrime nacionaliste e lëre më në qëndrime internacionaliste apo thjesht pro-demokratike.

Pranimi i padrejtësisë së lartpërmendur për dekadat nën Jugosllavi e korruptoi edhe vetë luftën. PDK-ja nuk kërkoi me ngulm drejtësi madje as për krimet e Serbisë më 1998 e 1999. Nuk hartoi kurrfarë strategjie për mbrojtjen e ‘vlerave të UÇK’-së. Toleroi fryrjen e listave të veteranëve dhe i njollosi të vërtetët me dyshimin se janë “të rremë”. Prandaj, kësaj të ashtuquajture parti gradualisht i iku edhe lufta.

E K Z I S T E N C A matanë K Q Z-së

Është e drejtë të thuhet që nëse VV-ja me Albinin – siç e kam thënë në një shkrim tjetër – përfaqësojnë gjithçka, PDK-ja e sotme me Memlin nuk përfaqëson asgjë.

Përfaqësimi i asgjëje në demokracinë përfaqësuese të çon drejt asgjësë. PDK duket që ende s’e ka kuptuar se rënia nga pushteti, dhe Albini me 50%, nuk ishin aksidente por ngjarje të pashmangshme ardhja e të cilave dukej shumë shumë moti. Duke mos përfaqësuar askënd, rënia nga pushteti e kësaj partie nuk do ta lëndonte e nuk e lëndoi askënd.

Prandaj, nëse ky grup njerëzish kërkon të shfrytëzojë faktin që janë të regjistruar në KQZ si parti për t’u bërë tamam parti, duhet të mos përtojë që ta mendojë seriozisht për bindjet politike. Në çka besojnë dhe në çka nuk besojnë anëtarët? Interesat e cilës shtresë shoqërore duhet dhe mund të përfaqësohen? Çfarë kauzash mund të lindin prej tyre? E shumë të tjera.

“20 vjet është shkatërru ky vend”, mund të jetë një akuzë e pabazë elektorale por e cila e përfsheh një të vërtetë të madhe: mungesën e lidhjes së PDK-së (e me këtë, krejt politikës) me çfarëdo zhvillimi të bërë përgjatë këtyre dy dekadave. “20 vjet shkatërrim” do të tingëllonte si pohim i çmendur dhe i pabesueshëm në rast se mos-shkatërrimi apo edhe ndërtimi të kishte zë/përfaqësim të njëmendtë politik. Fakti që kjo fjali është thënë dhe besuar nga një pjesë e madhe e shoqërisë duhet të mjaftojë si shpjegim për ato që u thanë më lart.

Ky shkrim vlen edhe për AAK-në!

Lajme të ngjashme